REFLEKSIONE (Vazhdim nga 1990-a)

View previous topic View next topic Go down

REFLEKSIONE (Vazhdim nga 1990-a)

Post  1bilderberg on Wed Feb 18, 2009 1:12 pm

REFLEKSIONE (Vazhdim nga 1990-a) nga Blendi Gonxhe


Shkurt 2009. U mendova gjatë për këtë shkrim, por pikërisht për rëndësinë e atyre që i dua vendosa të nis të shkruaj një seri refleksionesh të miat, por që do dëshëroja të rroknin interesin e shumë të tjerëve, nëse po them ato që nuk më shqetësojnë vetëm mua.
Ku jemi ne sot?
Do thoni ju, ja mirë jemi, kemi filma piratë në televizion, kemi big brother, s’kemi ujë e drita 24 orë por ama kemi internet, kemi Champions League, bëjmë ski në Mal të Zi e në FYROM pa viza, kemi Palomën…
Në fakt as të mos na gënjejë mendja, sepse ne jemi shumë shumë mbrapa.
Shqipëria nga një pronë e një grushti njerëzish, që me dhunë e tortura, në izolim, u qeveris sipas një sistemi të mbrapshtë, antinjerëzor, deri në 1990-tën, është kthyer në një parajsë ekskluzive për një grusht spekullantësh, kësaj here me kufij e dyer të hapura, në epokën e Facebook-ut e të Internetit wireless, e gjitha e pispillosur në sytë e Evropës medemek si një treg i lirë dhe si një shtet demokratik i mirëfilltë.
E vërteta është që sot në Shqipëri asgjë e rëndësishme, asgjë, nuk realizohet dot pa një rekomandim, pa një mik në cilindo pushtet, pa një marr - dhënie me eprorin ose të besuarin e tij, ku më të “zgjuarit” i lyejnë të dy krahët, me lazëm, ku firmat kanë një ortak me të djathtën e tjetrin me të majtën. Ku një drejtor ose menaxher i përgjithshëm në administratë nuk kënaqet më me përqindje, jo, ka firmën e tij! E prokuron direkt!
Ku “biznesmenët” më në zë janë “miqtë” më të ngushtë të KING-ut, e sapo nuhasin vdekjen e tij politike: “Long Live the New King!”, të mjerët, por edhe të detyruar, zihen për të hyrë në listat e delegacioneve qeveritare. Më të mprehtit u bëjnë kurbane edhe pasardhësve. Risk më i lartë, “shpërblim” më i madh. Askush që zgjohet sot në Shqipëri me një endërr të madhe nuk e realizon dot atë nëse nuk njeh një nga “krahët” e kësaj shqiponje të zgjebosur.
Për pasojë, kur shohim një rrugë të re, 20% e saj (në cilësi, ndriçim, standarde) mungon, sepse i është “falur” tender-dhuruesit, një shkollë e re private shet diploma pa studiuar sepse pronari do nxjerrë kapitalin që ka paguar për të nxjerrë lejen nga Ministria, po pamë ndonjë pallat që ka kate pa leje shtesë është dorë me një që “investitori” ka edhe media, dhe pa e parë dihet se ajo media është palë me ata që duhet t’i shembnin ato kate.
Po pamë ndonjë lulishte, që qe nga të paktat gjëra të mira që na la trashëgim Enveri, dhe që do zihet me ndonjë biznesqendër, dihet që “politika, arti i të mundshmes” nuk ka “mundur” t’i rezistojë dot presionit, ose e ke vetë politikën aty investitor, zhvillues, deputet, BOB!
Komunitetet fetare, p.sh., po marrin pronat e dikurshme, pasuri që presupozohet se i përkasin bashkësive, pra që janë kryesisht kontribute nga trashëgimi brez pas brezi të familjeve e filantropëve shqiptarë për besimin e atyre që kërkonin një vend në parajsë, por në Shqipëri, një firmëtar-sekretar shet kundrejt bakshishit të majmë (batjava për arkën e bashkësisë) tokat e komunitetit, dhjetra hektarë, brenda ditës, si të ishin dhitë e veta, dhe si rezultat një individ, një klan, një grusht spurdhjakësh e gjen veten me titull pronësie 40 hektarë në bregdet, kur as me flori nuk shitet ajo që i takon të gjithëve, aq më tepër besimtarëve.
Të tjerë falsifikojnë dokumentet e hershme dhe përvetësojnë qindra hektarë në zona të virgjëra bregdetare, e kur toka u bie larg detit, ata e afrojnë, e “spostojnë”, duke i garantuar pronarit legjitim një pagesë qesharake, por ama cash, në këmbim të titullit të pronës (nderit, emrit, historisë së familjes) sepse pronari legjitim nuk ja gjen dot kurrë “anën” Komisionit të Kthimit të Pronave, pse? Sepse s’ka cash-in ose s’ka link-un e duhur.
Po cash-i si gjendet? Ah, prandaj parajsa është në tokë, se mjafton prokura e pronësisë. Falë saj zmadhohen sipërfaqet, fallsifikohen firmat, 40 hektarët bëhen 140, ose fjala DYNYM korrigjohet me HEKTAR, për të “kënaqur” ata që bëjnë të mundur aferën si dhe për të “ulur kostot” me pronarët belaxhinj. Pastaj, pa asnjë studim apo vlerësim real, hartat e parajsës transformohen në kredi bankare (edhe këto të siguruara falë bakshisheve të majme) dhe në 24 orë, “TOKA I KALON ATIJ QË I TAKON!” Pra ja ku kemi arritur, në ditën që një subjekt i vetëm, falë mikut, bakshishit, e allish-verishit, mund të bëhet vetëtimthi edhe pronar i 1000 hektarëve tokë! 10 milionë metra katrorë, minimalisht 100 milionë euro pasuri! Spektakolare por mjerisht dëshpëruese për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.
Po shteti? Ja pra, ky që thamë më lart është shteti ynë. Kjo është vetëm një copëz e gjendjes.
Kështu dinë të na qeverisin këta që ne vetë i zgjedhim.
Ndaj, të gjithë politikanëve mos u dëgjoni fjalimet apo inaugurimet, por shihni mbrapa busteve, mos u besoni, kërkojini hesap! Kërkoni debat, jo parada debilash. Kërkojuni transparencë, jo speca. Kërkojuni statistika jo stickers-a. Kërkojuni të deklarojnë pasuritë, jo t’u deklarojnë “dashuritë”, kërkojuni shtet e jo sekt.
Ky shtet nuk do që të gjithë qytetarët të deklarojnë çdo vit, shpenzime, fitime, të ardhura reale, si çdo vend normal në botën e qytetëruar.
Kjo klasë politike e lë vendin në mjegull duke e bërë normale që vetëm ujqit të gëzojnë e festojnë.
Ndaj këtu njeriu i ha njeriut mundësitë, nderin, pronën. Sepse në një vend normal pronari i 1000 hektarëve ose do ishte trashëgimtar lordësh, ose do ta kishte emrin në Revistën Forbes, tek seksioni i industrialistëve, ose do taksohej që t’i vinte mendja rrotull për burimin dhe pasurinë duke rishpërndarë pasuri tek ata në nevojë.
Por ja që ky është shteti ynë, këta jemi ne, këtë qeverisje (në çdo nivel) meritojmë ne.
Mirë të na e bëjnë dhe hak e kemi, bile të na vijë 100 fish turp sepse nuk jemi në monizëm. Turp që nuk dimë të protestojmë, që vrapojmë pas atyre që na moralizojnë nga podiumet duke harruar të shënojmë në kontratën tonë me ta thelbin, që ne rëndom e zëvendësojmë me fjalët e bukura që i merr era, apo me efektet që na dehin.
Ndaj jemi mbrapa shumë, sepse kënaqemi me asgjë.
Thelbi është që kur mungon debati real, transparenca, rotacioni, meritokracia, demokracia e brendshme, check-balance, skanimi i çdo aktiviteti që ndikon tek tjetri, kur s’bëhet kontrolli i imtësishëm i burimeve dhe të ardhurave (për të gjithë pa dallime), pra kur kjo mungesë na shitet për normalitet atëherë të gjithë ne rrezikohemi, e ardhmja jonë është peng i BOB-ave, fëmijët tanë do të jetojnë më keq se ne, do të kenë shkolla më të këqija, ushqime të pambrojtura, sigurime pa vlerë, paga e pensione poshtëruese, infrastrukturë kandahareske, shtëpi e lagje jashtë standarteve, një jetë plot pasiguri e natyrisht Evropa do na mbajë të izoluar deri sa ne të gjejmë dinjitet e forcë për t’u ngritur kundër kësaj maskarade, kësaj republike bananesh, këtyre politikanëve që edhe po nuk vodhën vetë s’dinë të na mbrojnë nga vjedhja e grup-servilave e të papaftëve që u kurojnë këtyre paranojat e që pompojnë regres për ne.

Vazhdon....

Botuar në Gazeta LIBERTAS, dt. 17.2.2009

1bilderberg
Veteran Member
Veteran Member

Male
Number of posts : 236
Registration date : 2009-01-28
Points : 38
Reputation : 20

Back to top Go down

View previous topic View next topic Back to top

- Similar topics

 
Permissions in this forum:
You cannot reply to topics in this forum