ARBËNIA
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Thirrje për bojkotim masiv të zgjedhjeve në Shqipëri më 28 qershor 2009

Go down

Thirrje për bojkotim masiv të zgjedhjeve në Shqipëri më 28 qershor 2009 Empty Thirrje për bojkotim masiv të zgjedhjeve në Shqipëri më 28 qershor 2009

Post  qiellikalter Tue May 19, 2009 4:27 am

"Problemi i legjitimimit të parisë së Tiranës dhe bojkoti si armë e domosdoshme politike"

Nga Shinasi A. RAMA

Zgjedhjet e 28 Qershorit janë një moment shumë i rëndësishëm politik për parinë e Tiranës. Për një ditë fati i sundimit të tyre është në duart e popullit dhe është po në dorën e popullit të tregojë se a pajtohet apo se nuk pajtohet me sundimin e parisë. Prandaj paria e Tiranës iu kushton rëndësi zgjedhjeve dhe iu druhet fort. Edhe në këto zgjedhje, objektivi kryesor i parisë sunduese të Tiranës është që të bindë të huajt, veten, dhe popullin shqiptar se ato e vetëm ato, duhet ta sundojnë shtetin shqiptar. Pa e krijuar këtë bindje në të tre grupimet e lartpërmenduar (dhe më parë tek pjesëtarët e vet natyrisht) paria nuk mund të sundojë kurrë e qetë dhe e sigurtë në zotërimin e saj, në shtetin shqiptar. Nuk ka galje se rezultati që del prej tyre, është i manipuluar, i ndryshuar apo se vetë zgjedhjet janë një farsë politike. Për parinë e Tiranës zgjedhjet janë prova më e qartë që paria e Tiranës mund të ofrojë si dëshmi të mbështetjes që kinse ajo vetë, por edhe sistemi që ajo ka krijuar dhe që është totalisht në shërbim të saj ka nga qytetarët e nga shqiptarët në veçanti.

Si e siguron legjitimitetin paria e Tiranës?
Duke e ditur mirë rëndësinë e legjitimimit të sistemit të saj, paria e Tiranës ka përdorur sistematikisht e me shumë kujdes të gjitha armët në arsenalin e saj. Natyrisht, instrumenti kryesor e parësor i saj është vendosja e ruajtja e kontrollit të hekurt mbi shtetin dhe mbi strukturat e pushtetit lokal. Përdorimi i burimeve të shumta materiale dhe njerëzore të shtetit si dhe manipulimi i ligjit nga ana e saj kanë qenë e mbeten instrumente të preferuara të parisë së Tiranës për kontrollin e fatit të të gjithë shqiptarëve.
Po ashtu, në veçanti, përpjekja e parisë për të fituar legjitimitet dallohet qartë në nivelin e shtypit e informacionit. Këtu mund të përmenden argumentet e tyre ideologjike që e paraqesin të gjithë botën e qytetëruar si një botë kriminale ku parja blen e shet gjithkënd. Paria nuk len metodë pa përdorur: këtu dallohen organizimi i strukturave mbarëshoqërore dhe i aktiviteteve partiake në bazë klanesh e me karakter të dallueshëm mafioz, përdorimi e glorifikimi i analistëve injorantë dhe manipulimi i opinionit përmes komentatorëve me përgatitje profesionale shumë të dyshimtë, si dhe hapja e mbyllja e debateve pa pikë vlere e mbi tema shterpë që thjesht shërbejnë që të deformojnë mendjet e vlerat e njerëzve me një ritëm marramendës. Qëllimi i tyre është krijimi i përshtypjes se kjo është rruga e vetme ku duhet shkuar e nuk ka tjetër. Kësaj i shërben, mbi të gjitha, zhveshja e përditshme dhe e pandalshme e shoqërisë nga vlerat e vërteta dhe nga morali njerëzor. Në Tiranë çdo gjë e ka një çmim në pare, edhe nderi, edhe fytyra, edhe vlerat, edhe historia. Paria jeton e vdes për lekun e ajo po lufton ta ndërrojë shoqërinë shqiptare në shëmbëlltyrën e saj kriminale. Nuk ka pikë dyshimi se mjete të preferuara të parisë së Tiranës janë korrupsioni, klientelizmi, shitja e shtetit dhe e interesave te qytetarëve të tjerë dhe blerja e njerëzve me çmimin që kanë dhe mbyllja e gojës. Cubat dunë me dhanë e me marrë me cubat, hajnat japin e marrin me hajnat. Kontrolli i saj duhet të jetë i hekurt dhe i padiskutueshëm edhe mbi ekonominë.
Sipërmarrësve, reshperëve, tregtarëve e afaristëve, po nuk iu bindën, iu hiqet buka e gojës. Kështu ato bien në gjunjë para politikës dhe nuk guxojnë as të ngrenë kokën. Kur nuk ecën kjo taktikë, përdoret përzënia e denigrimi i kundërshtarëve, por edhe izolimi i atyre individëve e grupimeve që mund të bëjnë diçka të mire por që e shohin veten si të pazotët të luftojnë kundër tyre. Prandaj Tirana është një tymnajë e kënetë thashethemesh nga më të ndyrat që mund të bëhen. Pusi i llumit njerëzor nuk ka fund. Dhe paria e din se mund ti mbajë njerëzit peng për dobësitë e veta, çdo person, çdo familje, e çdo grup e shtresë të shoqërisë. Për këtë punohet sistematikisht e pa ndërprerje. Në shtetin shqiptar, askush nuk duhet me kenë i pastër e i ndershëm por të gjithë duhet të bëhen vegla të parisë, pse gjithnjë do të kenë frike prej vetes e prej hijes së vet. Si ka thanë Montenji (Montaigne), nuk ka një njeri që pot ë gjykohet për çka ka mendue e ka nuk varet të paktën dhjetë herë. E paria lufton me i përdorë këto pika të dobëta vetëm e vetëm që me iu mbyllë gojën njerëzve dhe me i kthye në vegla të vetat.
Mbi të gjitha, loja e parisë së Tiranës shihet qartë tek përpjekja e tyre për të shtyrë njerëzit që të zgjedhin ose njërën palë të parisë ose tjetrën. Lufta e parisë së Tiranës është që ti bindë njerëzit se ato duhet të zgjedhin njërën palë të parisë mbi palën tjetër. Paria i shtyn njerëzit që të mendojnë se ato duhet të zgjedhin të keqen ma të vogël. Por nuk ka rëndësi se cila palë fiton zgjedhjet; ajo që ka rëndësi është që fiton sistemi i parisë dhe përmes tij fitoj paria vetë. Në fund por jo më e fundit, marka me e dallueshme e parisë së jeniçerëve është përdorimi i strukturave kriminale, banda të frikshme mafioze e kamorriste që nuk ndalen para asgjëje, të kamufluar herë si militantë e herë si zhumile politike, por të përdorura sistematikisht për të mbjellë frikë e terror në mendjen e njerëzve. Njëlloj si vampirët e lugetërit që e duan natën të jetë 24 orë, ashtu edhe paria e Tiranës do ti bindë shqiptarët se jeta e tyre duhet të jetë ferr e jo ndryshe. Dhe ato e dinë se terri e nata fillon e mbaron në mendjen e njerëzve.

Legjitimimi i sistemit dhe cilat janë palët e interesuara
Megjithëse paria e Tiranës e ka krijuar bindjen se gjendja në shtetin shqiptar është nën kontrollin e saj të hekurt, asaj i duhet shumë legjitimimi publik i sundimit të saj i shprehur periodikisht nga pjesëtarët e saj, por edhe nga populli me vullnetin e tij të lirë si dhe nga përfaqësuesit e vendeve të huaja. Në një mënyrë ose në një tjetër, pjesëtarët e parisë, të huajt dhe populli i sunduar duhet ta shprehin besimin e tyre tek paria; çdo kundërshtim është një goditje që paria nuk e harron e as nuk e fal. Paria e prêt dhe e kërkon legjitimimin nga populli. Demokracia është një problem i madh për parinë e Tiranës. Mirëpo për shkak se formalisht shteti shqiptar duhet të duket se është demokraci, paria nuk i vë dot njerëzit në rresht i ti nisë në kutinë e votimit, si dikur. Ajo ka gjetur mënyra për ti bërë njerëzit që ta shprehin besnikërinë e tyre publikisht ndaj parisë së Tiranës e ndaj sistemit të saj jodemokratik, duke e arritur qëllimin e saj që ato njerëz ti nënshtrohen asaj me vullnetin e tyre të lirë. Zgjedhjet janë ky moment kur njeriu e ka fatin e tij në dorë. Çdo votë pro partive të parisë ka peshë sepse ndihmon në zgjedhjen e parisë por çdo vote kundër është një problem ashtu siç është një problem i madh bojkotimi i zgjedhjeve dhe i sistemit si një formë refuzimi publik për me kenë pjesëtar, mbështetës, e instrument i interesave të parisë.

Si shprehet besnikëria ndaj sistemit e ndaj parisë
Pjesëtarët e parisë së Tiranës e shprehin mbështetjen për këtë sistem kriminal duke u bërë pjesë e tij, duke u konformuar me jovlerat e këtij sistemi dhe duke u sjellë si pritet prej tyre, d.m.th. si gangsterët e rrugës me poste e me rroba firmato. Si shpërblim ato marrin tenderë, licenca, e punësohen në shtet. Kur i duhen parisë, të gjithë këto individë e ulin qafën e i shërbejnë asaj me bindje qorre sepse ndjekin interesat e veta. Të gjitha ato gjëra që këto individë, përndryshe të shkolluar, thonë në klube e në rrethe të ngushta kundër parisë, njërit e kundër tjetrit janë thjesht pallavra për të larë ndërgjegjen e tyre.
Kur iu kërkohet nga shefat e tyre, të gjithë këto pjesëtarë të parisë e shërbëtorët e zgjedhur të rangjeve të tjera vihen në rresht si ushtarë të bindur. Kur refuzojnë ose kur hedhin vickla, shefat e tyre iu kujtojnë veset e shumta, dashnoret, bizneset, pisllëqet, dosjet, poshtërsitë e ‘nderet’ e pandershme të panumërta që iu kanë bërë dhe kështu e gjejnë mënyrën ose t’ua mbyllin gojën ose ti fusin edhe një herë në rresht. Këta tipa kanë harruar se ka edhe një mënyrë të sjelluri me dinjitet. Sa për ilustrim të këtyre tipave të parisë, po sjell rastin e Arben Imami, sot shef kabineti në zyrën e kryeministrit Sali Berisha, sepse ky është një rast shumë domethënës. Dikur Imami ka qenë një ëndërrimtar e aktor i talentuar, më vonë u ciklua si parlamentar i dështuar, mandej u njoh si opozitar me dhëmbë të thyer e trup të copëtuar nga Saliu e veglat e tij, gjeneral i vetëshpallur i një rebelimi leninist, konstitucionalist pa një ditë shkollë për atë punë, e gjendet tash i vënë pa kushte në shërbim të atij që, në kushte të tjera ka thënë se i ka shkatërruar familjen, shëndetin e jetën. Njeriu habitet se çka ban ky tip në politikë??!!! Si ky ka mjaft që e kanë pasur karrierën të ndërlikuar por ky është prototipi i këtij grupi që njihen si VIP në Tiranë. Natyrisht, parë nga këndvështrimi i parisë së Tiranës, zgjidhja e tij ka qenë racionale dhe duket se kështu i del llogaria, si atij ashtu edhe pjesëtarëve të tjerë të parisë së Tiranës.
Nga ana e tyre, të huajt janë të interesuar kryesisht për stabilitet. Për to shteti shqiptar është në një gjendje katastrofike por duhet shmangur gjithnjë më e keqja dhe ajo shmanget duke e mbajtur kapakun të mbyllur. A fiton krahu i majtë i Gërdecit apo i djathti, për to nuk ka shumë rëndësi sepse ai vend ka qenë një problem i madh dhe vazhdon të jetë edhe më problem sot kur duket sikur në Tiranë nuk lëviz asgjë. Ato e dinë mirë se me kë kanë të bëjnë, të gjithë këto pjesëtarë të parisë së Tiranës i kanë dosjet e mbushura me gjithfarë xhevahiresh dhe të gjithë kanë dhënë prova që janë përjashta normës së sjelljes së duhur. Pse duhet të ndërhyjnë të huajt kur këto të ashtuquajtur udhëheqës i zgjedh vetë populli i tyre? Me e thanë me gjuhën popullore, kur grindet burri me gruan komshiu që vjen me i nda, shpesh e qan më shumë hallin e vet. Po ashtu, mësimet e nxjerra nga kriza e vitit 1997 i kanë bindur të huajt se ndoshta duhet ti lënë këto të merrem me punët e tyre. Ky është një mësim që paria e Tiranës e ka mësuar shumë mirë dhe prandaj kur një i huaj flet mirë, e thërrasin në parlament dhe i japin Urdhrin e Skënderbeut ose e shpallin Nderi i Kombit. Kur nuk flet mirë nuk e presin herën tjetër ose e nxjerrin persona “non grata”. Mirëpo, në thelb të të gjithë lojës politike të legjitimit të parisë është qëndrimi i popullit.
As të huajt e as paria nuk mund të vazhdojnë të qetë cic-micin në Tiranë nëse populli e shqiptarët në veçanti fillojnë e shfaqin shenja të qarta se ato nuk pajtohen me sundimin e tyre. Deri në këtë pike, ato kanë arritur ta kontrollojnë popullin, ta bindin se e vetmja rrugë është sjellja kriminale dhe bindja ndaj parisë e ndaj rregullave të vendosura prej saj e kështu ta kriminalizojnë. Teknikat e saj të stërholla me i mbajtë njerëzit peng për interesat e veta materiale dhe ndërkohë me i zhveshë nga çdo vlerë njerëzore kanë qenë deri diku të suksesshme. Paria e ka mbërritur qëllimin e vet duke përdorur urrejtjen e mllefin për të shkuarën, neverinë për jetën e tashme, dëshirat për me ruejtë e me marrë pronat, apo me ruejtë pronat e vjedhura apo të ndërtuara në mënyrë të paligjshme. Mbi të gjitha, sa herë vijnë zgjedhjet, pavarësisht manipulimeve, rrahjeve e kacafytjeve publike, paria e Tiranës nuk ndjehet shumë e sigurtë se si do të sillet populli. Prandaj fushata zgjedhore është një përpjekje e kushtueshme financiarisht por edhe e sofistikuar në nivel të agjitacionit e propagandës për me u sigurue që njerëzit do të sillen si don paria.
Qytetarët duhet të shkojnë, do të shkojnë e do të votojnë ose për një palë të parisë ose për palën tjetër. Por në fund të fundit paria gjithmonë del e fituar se politika shqiptare është dushk për gogla. Kësaj here, sic do here populli shqiptar e ka mundësinë të bëjë një zgjidhje që ose do ta legjitimojë ose do ta minojë sundimin e parisë. Në mungesë të forcave politike që do të mbrojnë interesat e shqiptarëve më e pakta që shqiptarët mund të bëjnë do të jetë të minojnë e ta deligjimojnë sundimin e parisë.

vazhdon më poshtë...

qiellikalter
Junior Member
Junior Member

Number of posts : 25
Registration date : 2009-03-20
Points : 11
Reputation : 6

Back to top Go down

Thirrje për bojkotim masiv të zgjedhjeve në Shqipëri më 28 qershor 2009 Empty Re: Thirrje për bojkotim masiv të zgjedhjeve në Shqipëri më 28 qershor 2009

Post  qiellikalter Tue May 19, 2009 4:28 am

...Vijimi

Cilat janë rrugët që mund të ndiqen?
Në çdo kohë, por veçanërisht sot, kur vjen puna tek legjitimimi i sundimit të parisë, populli shqiptar ka katër rrugë për të ndjekur. Njëra rrugë, ajo më e lehta, është ajo e legjitimit të sistemit të parisë. Edhe pse ky sistem duket demokratik e i bazuar në votën e lirë, përshtypja është se shoqëria shqiptare jeton me një frikë të madhe për të nesërmen dhe me një pasiguri të thellë për bukën e gojës. Në shtetin shqiptar boka e gojës fitohet vetëm e vetëm duke qenë pjesë e një klani të caktuar dhe duke hyrë në rresht. Prandaj njerëzit shkojnë e votojnë. Por duke votuar për thesin e miellit që marrin prej partisë, ato e legjitimojnë sistemin dhe i japin parisë të drejtë që të sundojë për katër vite të tjera. Në këtë mënyrë, askush nuk ka të drejtë të dalë e të thotë se paria na bëri këtë e atë sepse ato ua kanë dhënë votën. Kur e pati mundësinë, secili e bëri zgjidhjen e vet dhe votoi për njërën ose për tjetrën palë të parisë. Kështu, paria sundon me votën e popullit.
Rruga tjetër është organizimi i një force politike që të punojë për shqiptarët si komb. Pavarësisht tamtamit mediatik, politika në shtetin shqiptar është një politikë e mbështetur në identitetin etnik. Mirëpo paria ka interesa e jo ndjenja etnike apo kombëtare. Nga ana tjetër, paria don që gjithsecila nga pakicat të ketë partinë e vet por shqiptarët të mos kenë përfaqësim e ndërgjegjësim politik. Kështu, në këtë pikë pakicat në shtetin shqiptar janë të organizuara shumë mirë në strukturat e Unionit Vllah, Partisë për të Drejtat e Grekëve, Partia e Maqedonasve, apo partia e Romëve dhe të gjitha këto forca luajnë një rol disafish më të madh se pesha numerike e tyre. Për parinë jeniçere të Tiranës, vetëm shqiptarët nuk duhet të kenë një forcë që mendon e që lufton të mbrojë interesat e tyre. Si shihen gjërat, shqiptarët nuk do të kenë përfaqësim politik në këto zgjedhje. Kur të organizohen si shqiptarë do të jenë gjërat më ndryshe.
E treta është rruga e luftës së hapur me çdo mjet e pamëshirë kundër këtij sistemi jeniçero-martalloz si në nivelin shoqëror ashtu edhe në atë politik. Në shtetin shqiptar ka shumë rezistencë ndaj sistemit të parisë. Nga një anë ka shumë forca të majta në të cilat militojnë njerëz të ndershëm dhe që besojnë në një formë të ideologjisë marksiste apo enveriste. Nga ana tjetër, ka një rezistencë të dallueshme veçanërisht në grupimet që po lindin dhe që janë të organizuar në bazë të ideologjisë fetare. Po ashtu ka pasur shenja të rritjes së anarkizmit e të formave të tjera të rezistencës. Ka edhe grupe e individë që pajtohen vetëm në urrejtjen personale kundër sistemit por që janë të paqartë në rrugën politike. Edhe pse duan të kontribuojnë në politikë, nuk e kanë përgatitjen e duhur. Po ashtu, ka një rezistencë që shihet qartë në forcimin e strukturave familjare e lokale që i kundërvihen sundimit të parisë dhe mbeten ne anë të debatit politik.

Rruga e fundit është ajo e bojkotit. Bojkoti është një armë e fuqishme. Kur njerëzit nuk ia japin votëbesimin sistemit, sistemi shkërmoqet e bëhet hapur diktatorial e tiranik. Njerëzit e deklarojnë zgjedhjen e tyre dhe ndarjen prej sistemit të parisë e prej vlerave të saj. Njerëzit tregojnë se kanë nder e dinjitet edhe duke refuzuar për me u ba pjesë e krimit. Po shihet qartë se parinë e Tiranës e ka kapur paniku se shqiptarët do të bojkotojnë sistemin e tyre. Në kushtet e sotme, lufta e parisë është që të mos lejojë bojkotimin e zgjedhjeve sepse kjo çon në deligjitimimin e sistemit të saj, asaj i duhet vota e popullit. Nuk është njëlloj si me sundue me dhunë si me sundue me lejen tande. E paria e kërkon shumë legjitimimin e vet.

Bojkoti, si rruga e vetme për të luftuar sistemin?
Ka zëri që thonë se ka ardhur koha që shqiptarët ta ndajnë mendjen dhe të bëjnë një zgjidhje të vështirë por shumë të dobishme për to. Dihet që sistemi i parisë së Tiranës nuk do të ndryshojë. Zgjedhjet nuk do të zgjidhin asgjë vetëm do të legjitimojnë parinë e diskredituar të Tiranës. Cilado parti të fitojë zgjedhjet ajo do ti ruajë interesat e tjetrës. Si e ruajti Fatos Nano Sali Berishën, ashtu e ruajti Sali Berisha Fatos Nanon.Siç tregon edhe përvoja e Gërdecit, çmimin e kanë paguar e do ta paguajnë shqiptarët se paria sharrën e rrahën por vetëm për fitimet e tyre. Kështu që nuk humbet gjë, si votove si nuk votove se zgjedhjet janë ‘dushk për gogla’. Pse të votosh për një parti kur ajo është pjesë e krimit dhe vegël e palës tjetër thjesht sepse të dyja janë pjesë integrale e parisë së Tiranës? Edhe kësaj here, si një herë në katër vjet, njerëzit e kanë mundësinë që t’i bojkotojnë zgjedhjet dhe frika e parisë është se do të ketë bojkot masiv të zgjedhjeve. Gur gur bahet mur, mur mur bahet kalaja. Nga shprehjet në shtyp e nga shqetësimi i analistëve të lidhur me segmentet e parisë, ndjehet frika e bojkotimit të zgjedhjeve dhe e bojkotimit të sistemit.
Paria është krejtësisht e vetëdijshme që secila votë që nuk hidhet në mbështetje të njërës ose tjetrës palë të parisë, është një shigjetë e hedhur në zemër të sistemit kriminal të saj që i shërben asaj dhe që i duhet asaj. Duke mos votuar, njerëzit do të tregojnë se nuk pranojnë të jenë pjesë e krimit të parisë së Tiranës. Kjo është frika e madhe e parisë. Makthi i parisë së Tiranës, pra, është refuzimi i shqiptarëve për me shkue me votue, bojkotimi masiv i zgjedhjeve që ato i kanë përgatitur me aq kujdes dhe që iu duhen aq shumë. Momenti që ato i druhen më fort, por që kurrë nuk do ta pranojnë mendërisht është momenti kur në qendrat e votimit do të jenë vetëm komisionet e militantëve e kur gangsterët e partisë do të shkojnë shtëpi më shtëpi por të gjithë shqiptarët ose janë të sëmurë, kanë shkuar me pushime, kanë thyer këmbën, nuk iu pëlqen kandidati i radhës, mendojnë se koalicioni ka qenë i gabuar, nxjerrin bishta (si bie fjala, nuk kanë letërnjoftime, pasaporta, nuk e kanë emrin në lista, ose e kanë në katër lista etj) ose e thonë të vërtetën që politika ka qenë një mashtrim i madh dhe i paturpshëm dhe nuk duan të votojnë e pikë. Makthi i vërtetë i parisë është që emigrantët do të shkruajnë dy gisht letër e do tu thonë të afërmve të tyre që po votuat, nuk iu nisi më asnjë euro apo dollar. Makthi i parisë së Tiranës e ka emrin bojkot.

Përfundimi
Në përfundim duhet thënë se legjitimimi i sundimit të parisë së Tiranës është një provë e madhe që nuk duhet kaluar lehtë. Paria e kërkon, dhe ato që nuk mendojnë se ajo votë që hedhin është një plumb në zemër të së ardhmes së tyre e të fëmijëve të tyre janë për tu mëshiruar. Duke gjykuar nga niveli i thellë i krizës së gjithanshme, bojkotimi, nëse ndodh, do të jetë një hap i madh përpara drejt riorganizimit të sistemit politik në shtetin shqiptar. Në mungesë të strukturave, bojkotimi do të jetë një vendim i marrë nga shumë individë të vetmuar, por rëndësia e aktit të tyre do të jetë shumë e madhe.
Po ashtu duhet thënë se Paria e Tiranës ka mësuar ta kthejë dhimbjen në fitore mirëpo bojkoti masiv, si praktikë e sprovuar, është një goditje për vdekje e cilitdo sistemit ekzistues dhe në rastin e shqiptarëve ai një shenjë e qartë se shqiptarët kanë filluar të mendojnë se nuk duhet ti lënë më peng familjet e jetën e tyre në duart e parisë së Tiranës.

http://www.sot.com.al/index.php?option=com_content&view=article&id=10902:seria-1001-perrallat-e-tranzicionitq&catid=55:komente


Last edited by qiellikalter on Tue May 19, 2009 4:38 am; edited 1 time in total (Reason for editing : shtova lidhjen nga ku eshte shkeputur artikulli)

qiellikalter
Junior Member
Junior Member

Number of posts : 25
Registration date : 2009-03-20
Points : 11
Reputation : 6

Back to top Go down

Back to top

- Similar topics

 
Permissions in this forum:
You cannot reply to topics in this forum