Paskal Milo: Ju tregoj takimet Nano me Millosheviç dhe Majko-Papandreu

View previous topic View next topic Go down

Paskal Milo: Ju tregoj takimet Nano me Millosheviç dhe Majko-Papandreu

Post  AuLoNa on Sat Feb 07, 2009 4:29 pm

Pjesë nga "Ditari i një ministri të Jashtëm": Të pathënat për Konferencën e Rambujesë

Të thënat e të pathënat, dilemat e diplomacisë shqiptare për vendimet e vështira mbi fatin e Kosovës, pozicionimet politike dhe bashkëpunimi me ndërkombëtarët, Konferenca e Rambujesë dhe rrjedhoja e saj, Pavarësia e Kosovës, të rrëfyera të gjitha në një libër. Paskal Milo, ministri i Jashtëm i Shqipërisë së asaj kohe, ka shënuar gjithçka me përpikmëri në një ditar. I hedhur në letër në momentet kur kanë ndodhur ngjarjet, Ditari i Paskal Milos, botuar me besnikëri sipas shënimeve të asaj kohe, tashmë ka marrë formën e një libri memorial-dokumentar të titulluar "Ditari i një ministri të Jashtëm; konflikti i Kosovës 1997-2001". I hedhur në treg nga shtëpia botuese "Toena", ky libër vjen në kohën e duhur, në 10-vjetorin e Konferencës së Rambujesë, që hodhi themelet për zgjidhjen e të ardhmes së Kosovës dhe përvjetorit të parë të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, si rrjedhojë e kësaj Konference. Të vërtetat që dalin nga botimi i këtij libri, të thëna e të pathëna për arsye të ndryshme gjatë këtyre 10 vjetëve, janë një ndihmesë e çmuar për të kuptuar realisht ato që kanë ndodhur gjatë kohës së konfliktit, në Kosovën e pasluftës e deri më sot. Ditën e martë, 10 shkurt, ora 12.00 në hotel "Tirana", me pjesëmarrjen e autorit dhe praninë e shumë figurave të tjera politike, "Toena" do të organizojë një takim promovues, për të vazhduar në datën 13 shkurt me Prishtinën.

AuLoNa
No rank
No rank

Female
Number of posts : 1002
Location : USA
Humor : Plenty..:)
Registration date : 2009-01-27
Points : 118
Reputation : 33

Back to top Go down

Takimi Nano-Millosheviç në Kretë-5 nëntor 1997

Post  AuLoNa on Sat Feb 07, 2009 4:30 pm

Dje mbaroi Samiti i Kretës, në qytetin Iraklio, në hotelin "Kapsis" ku u takuan kryetarët e shteteve dhe të qeverive, si dhe ministrat e Jashtëm të vendeve të Evropës Juglindore. Ky Samit, i pari në historinë e këtyre vendeve, ngjalli interes të madh, disa e pritën me kërshëri, disa të tjerë me dyshim e skepticizëm. Greqia, si iniciatore, u përpoq të nxirrte përfitime maksimale, të manifestonte në njëfarë mënyre lidershipin e saj në Ballkan. Turqia, që pa dyshim ishte kundër saj, u përpoq së bashku me Rumaninë të minimizonte rëndësinë e Samitit. Madje u përpoqën që të mos kishte as edhe një dokument në fund të tij. Millosheviçi, nga ana e tij, kërkoi të nxirrte përfitimet e rastit. Me praninë e tij në Samit ai synonte të thyente izolimin e pjesshëm ndërkombëtar dhe ta shfrytëzonte atë për propagandë në fushatën elektorale për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në Serbi në 7 dhjetor 1997.

Ne shkuam atje për të manifestuar vullnetin tonë të mirë për marrëdhënie korrekte me fqinjët, për bashkëpunim dhe mirëkuptim me ta. Propozimi serb për takimin e nivelit të lartë midis dy vendeve në Kretë u konsiderua me kujdes në Tiranë dhe për këtë u informua edhe Presidenti Rugova përmes Zyrës së Qeverisë së Përkohshme të Kosovës në Shqipëri.

Vendimi përfundimtar për të realizuar këtë takim u mor pas konsultimeve me Departamentin e Shtetit të SHBA-së. Ambasadorja amerikane në Tiranë, Mariza Lino, i përcolli qeverisë shqiptare këto mesazhe: "Opinioni i jashtëm do të presë shumë më tepër nga çfarë mund të arrihet realisht nga ky takim. Ne nuk jemi kundër zhvillimit të takimit, por sugjerojmë që gjatë bisedimeve të përqendroheni në problemet kufitare (hapja e pikave doganore) dhe në shkëmbimet tregtare, që kosovarëve t‘u jepet mundësia të lëvizin lirshëm në të dyja anët e kufirit, të kërkoni vendosjen e dialogut me kosovarët dhe zbatimin e marrëveshjes për arsimin".

Në fund, Departamenti i Shtetit sugjeronte që "nuk duhet të shpreheni apo të mbani qëndrime që mund të komprometojnë murin e jashtëm të sanksioneve dhe mos bëni deklaratë të përbashkët pas takimit (pala tjetër do ta kërkojë)".

Qeveria shqiptare u përgatit seriozisht për Samitin e Kretës dhe në mënyrë të veçantë për takimin e nivelit të lartë me palën serbe. Në 30 tetor, MPJ-ja i dërgoi kabinetit të Kryeministrit Fatos Nano materialin përgatitor me tezat për takimin me delegacionin e Jugosllavisë. Nga mbi katër faqe që përmbanin këto teza, dy faqe e gjysmë i kushtoheshin Kosovës dhe ato ndodhen në Arkivin e MPJ-së të Shqipërisë në dosjen mbi Samitin e Kretës. Në këto teza thuhej se "çështja e Kosovës është përsëri një problem i madh, që ka bllokuar marrëdhëniet midis dy vendeve. Shteti shqiptar, këtij problemi kaq të madh, nuk ka si t‘i shmanget, sepse është një obligim i natyrshëm", se "ne i konsiderojmë plotësisht të drejta kërkesat që shqiptarët e Kosovës kanë formuluar dhe askush nuk na jep të drejtë që t‘i modifikojmë apo ekzagjerojmë ato… Ajo që shteti shqiptar dëshiron të theksojë, është se tashmë Kosova nuk është thjesht një problem i marrëdhënieve midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë, por një problem i Jugosllavisë me Komunitetin Ndërkombëtar".

Tezat përmbanin një numër propozimesh konkrete, që Kryeministri shqiptar duhej t‘i bënte Millosheviçit në lidhje me Kosovën, si lirimin e të burgosurve të ndërgjegjes dhe marrjen fund të shkeljes flagrante të të drejtave të popullsisë shqiptare në Kosovë, Mal të Zi e Serbi, heqjen e masave policore nga Kosova, rikthimin e të larguarve me dhunë nga puna, shqiptarizimin e administratës në bazë të realiteteve demografike në Kosovë dhe vise të tjera ku jetojnë popullsi shqiptare etj.

Në fund, tezat e MPJ-së theksonin se "normalizimi i gjendjes në Kosovë, nëpërmjet zgjidhjeve politike, do ta lehtësonte në mënyrë të dukshme atmosferën e rënduar. Për këtë propozojmë që udhëheqja jugosllave fillimisht të konkretizojë dialogun e nisur me udhëheqësit politikë të Kosovës për rikthimin e objekteve shkollore, çështje kjo që tashmë është në objektiv të vëmendjes së opinionit publik ndërkombëtar. Kjo gjë është urgjente, sepse shenjat në Kosovë tregojnë për një zhvillim që mund të ketë pasoja për stabilitetin në Jugosllavi dhe në tërë rajonin e Ballkanit. Marrëveshja për arsimin, kthimin e nxënësve dhe studentëve e profesorëve në lokalet e tyre do të ishte një fillim i mbarë dhe nëse e arrijmë këtë gjë sot këtu në Kretë, ky do të ishte një hap serioz i hedhur në drejtimin e duhur për të kthyer përsëri besimin në zgjidhjen politike e në dialogun, si mënyrat e vetme produktive që mund të parandalojnë krizat".

Para se të them nëse tezat e përgatitura nga MPJ-ja u përdorën ose jo, le të shikojmë shkurtimisht se si u arrit në takimin Nano-Millosheviç në mbrëmjen e 3 nëntorit në hotelin "Kapsis" të Iraklios në Kretë. E vërteta është se përmes kanaleve diplomatike, të dyja palët ishin përpjekur paraprakisht të binin dakord për temat e bisedimeve. Por pala jugosllave refuzonte që në bisedime të flitej për Kosovën, ndërkohë që pala shqiptare e kishte vënë si kusht se pa biseduar për këtë çështje nuk kishte arsye që të bëhej takimi midis dy delegacioneve.

Samiti pati rëndësi për takimet bilaterale. Takimet më interesante dhe më të komentuara ishin ato Simitis-Jillmaz dhe Nano-Millosheviç.

Deri në drekë, më 3 nëntor nuk ishte e sigurt nëse do të zhvillohej takimi. Gjatë drekës unë me Nanon ishim ulur në qoshen e tavolinës së madhe. Menjëherë, në një radhë me ne, ishin ulur Milutinoviç dhe Millosheviçi. Në një moment Milutinoviç i propozoi Nanos që të ndërronin vendin, por Nano refuzoi. Gjatë gjithë drekës ata nuk i folën njëri-tjetrit.

Më në fund, kur përfundoi dreka, duke dalë nga restoranti në hollin e hotelit ne u ndodhëm përballë Millosheviçit. Një takim në dukje i rastit. I dhamë dorën, ndërkohë që fotoreporterët bënë punën e tyre. Ky shtrëngim duarsh zgjidhi gjithçka. Nano i propozoi Millosheviçit që të takoheshin kokë më kokë. Millosheviçi pranoi.

Në moment e ndjeva që Nano bëri gabim që vendosi të takohej vetëm. Ai e dinte klimën në të cilën zhvillohej takimi dhe për të larguar një pjesë të dyshimeve, apo edhe të akuzave të padrejta që po bëheshin me bollëk duhej të ishte treguar më i kujdesshëm. Duke zbritur shkallët për në dhomat tona, i thashë Nanos se do të ishte mirë që të mos shkonte vetëm në takim dhe të takoheshim në rang delegacionesh. Nano m‘u përgjigj: "Nuk ka gjë, le të më akuzojnë mua si tradhtar!".

Takimi filloi në një nga dhomat e përgatitura enkas në katin e dytë të hotelit. Nano dhe Millosheviçi u ulën në kolltukë përballë njëri-tjetrit. Unë me Milutinoviçin mbetëm prapa derës dhe biseduam rreth një orë. Takimi zgjati rreth një orë e gjysmë nga 19.30-21.00, kur ishte parashikuar vetëm treçerek ore. Presidenti i Maqedonisë, Kiro Gligorov, me të cilin kishim takimin tjetër, u detyrua të priste rreth një orë. Për të mos shkaktuar ndonjë incident, unë shkova dhe bisedova vetë për gjysmë ore me Gligorovin dhe ministrin e Jashtëm Hanxhinskin.

Takimi Nano-Millosheviç ishte i pari që bëhej pas 51 vjetësh që prej qershorit 1946, kur në Beograd ishin takuar zyrtarisht Enver Hoxha me Titon. Takimi duhej bërë dhe ishte i dobishëm. Ne u treguam pa komplekse dhe qeveritë evropiane dhe ajo amerikane na mbështetën. Por ende pa mbaruar takimi, madje para tij, pati reagime në Kosovë e Shqipëri.

Qeveria e Kosovës dhe Ibrahim Rugova që më 2 nëntor kishin dalë me një deklaratë ku shprehej shqetësim, por edhe ankth për mundësinë e diskutimit të çështjes së Kosovës në këtë Samit dhe për mungesën e ftesës për udhëheqësit kosovarë për të marrë pjesë aty. Sigurisht që çështja e pjesëmarrjes nuk ishte e argumentuar, sepse Kosova nuk ishte shtet i pavarur dhe qeveria e zotit Bukoshi e panjohur nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Por shigjetimi kryesor në këtë deklaratë, qoftë pa e përmendur me emër, drejtohej kundër Nanos kur thuhej se "askush tjetër, përveç përfaqësuesve të zgjedhur të popullit të Kosovës, nuk ka mandatin dhe nuk mund të bisedojë në emër të Kosovës, apo të marrë përsipër zgjidhje të çfarëdolloj natyre për Kosovën".

Takimi dhe biseda e kryetarit të qeverisë shqiptare me kryetarin e një shteti fqinj, qoftë ky edhe Millosheviçi i Serbisë, nuk mund të paragjykohet apriori. Politikanët dhe kryetarët e shteteve e të qeverive janë për t‘u takuar, për të zgjidhur problemet e për të nxitur zhvillimin e marrëdhënieve. Aq më tepër që kishte mbi gjysmë shekulli që nuk kishte pasur takim midis liderëve të të dyja vendeve. Por brishtësia e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, çështja e Kosovës dhe natyra thellësisht antishqiptare e Millosheviçit duhej ta bënin Kryeministrin shqiptar që të mendonte një takim më zyrtar e më protokollar, më të hapur, me kolegë e këshilltarë në krah që t‘u jepte edhe përmasa më të gjera e më tepër siguri bisedimeve.

Takimet kokë më kokë mbartin në vetvete diplomacinë konspirative, prandaj edhe bëhen, por nuk mund dhe nuk duhej bërë një i tillë midis dy njerëzve që përfaqësonin dy qeveri, dy vende e dy kombe që ishin në grindje e mosmarrëveshje historike. Nano, po të ishte me delegacionin, do t‘u përmbahej në substancë tezave të përpunuara nga MPJ-ja për bisedimet dhe ato do të ishin shënuar në rekordet e takimit dhe ai do të ishte i mbrojtur nga akuzat që vërshuan si lumë pas Kretës, si nga opozita në Shqipëri, ashtu edhe nga një pjesë e politikës dhe opinionit publik në Kosovë e diasporë.

AuLoNa
No rank
No rank

Female
Number of posts : 1002
Location : USA
Humor : Plenty..:)
Registration date : 2009-01-27
Points : 118
Reputation : 33

Back to top Go down

Një takim në Tiranë me rezonancë në Prishtinë 21 dhjetor 1998

Post  AuLoNa on Sat Feb 07, 2009 4:31 pm

Sot pasdite, rastësisht nga një radiostacion privat, mora vesh se në hotel "Rogner" u realizua në dukje krejt papritur një takim i dyshes qeveritare Majko e Meta me dyshen opozitare Berisha e Pollo. Në mëngjes u ndodha te zyra e Kryeministrit Majko, por ai as më dha shenjën më të vogël për këtë takim.

Ambasadorja amerikane M. Lino që u ndodh sot pasdite në zyrën time në kohën kur zhvillohej takimi, ishte në dijeni të tij. Nuk e ndjeva veten aspak mirë kur një ngjarje politike kaq të rëndësishme nuk e dinte ministri i Jashtëm i Shqipërisë, por e dinin përfaqësuesit e huaj diplomatikë në Tiranë. Si puna ime, të befasuar, u ndodhën edhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar, Kryetari i Kuvendit dhe nuk jam i sigurt nëse e dinte edhe Presidenti. Mbi të gjitha nuk e dinte as edhe kryesia e Partisë Socialiste.

Takimi, duke ardhur krejt papritur, shkaktoi pështjellim në të dyja kampet politike. Ai u realizua në kulmin e retorikës konfliktuale midis qeverisë e opozitës, që këtë herë ishte shkaktuar edhe nga një grevë urie dyjavore e rreth 90 studentëve në Qytetin Studenti që ishte më se e qartë që ishte organizuar nga PD-ja. Në mënyrë publike, si iniciatore dhe ndërmjetësuese e takimit, u shpall Shoqata e Studentëve të Dhjetorit (të vitit 1990), e cila është e njohur për prirjen e saj pro Partisë Demokratike.

Unë jam pothuaj i sigurt që ky takim spektakolar, për mënyrën se si u organizua dhe kohën që u zgjodh për ta realizuar, nuk mund të ishte vepër e kësaj shoqate, e cila nuk përfaqësonte ndonjë zë të fuqishëm dhe me autoritet në opinionin publik shqiptar. Në qoftë se nuk është kjo shoqatë, atëherë cilët janë organizatorët e vërtetë të këtij takimi? Kush kishte interes që ky takim të bëhej dhe përse? Këto pyetje implikojnë për mendimin tim tri palë: zotin Berisha, Kryeministrin dhe zëvendësin e tij e disa përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë (ambasadorja Lino e SHBA-së, ambasadori Spatafora i Italisë dhe ambasadori Everts i OSBE-së).

Përse Berisha ishte i interesuar? Mendoj për disa arsye: strategjia e tij e bojkotit të Parlamentit, e tensionimit të situatës dhe e destabilizimit të vendit për t‘u rikthyer në pushtet me dhunë dështoi. Si ministër i Jashtëm jam në dijeni të plotë për izolimin e tij nga faktori ndërkombëtar. Eliminimi i tij nga jeta politike shqiptare ishte bërë objekt diskutimi. Në këto rrethana, shefit të opozitës i duhet një arsye e fortë që të rikthehet në Parlament, që të braktisë sheshin "Skënderbej", që e ka marrë me qira për muaj të tërë. E kuptoi vetë, apo e ndihmuan të tjerët ta kuptojë, kjo është një çështje tjetër. Unë më tepër mendoj se është e dyta.

Po Majko me Metën pse ishin të interesuar ta bënin këtë takim? A e morën vendimin vetë, apo ua imponuan të tjerët? Në parim takimi ishte i rëndësishëm, i domosdoshëm e i dobishëm. Ai i shërben uljes së tensioneve dhe zhvillimeve normale demokratike në Shqipëri. Nga kjo pikëpamje të gjithë e mbështesin dhe nuk ka pse mos të mbështetet. Probleme të tilla madhore nuk u takojnë vetëm një apo dy njerëzve, por të gjithë forcave politike. Majko dhe Meta e dinë shumë mirë këtë dhe ata pavarësisht se kryesojnë qeverinë nuk mund të mbajnë mbi supet e tyre një përgjegjësi kaq të madhe pa marrë miratimin e kryesisë së PS-së. Atëherë dikush tjetër i ka shtyrë, mbështetur e inkurajuar për ta bërë këtë takim "historik".

Kush është apo cilët janë? Kam arsye të besoj se këtë takim e kanë nxitur e organizuar amerikanët, përmes ambasadores Lino, në bashkëpunim edhe me Spataforën e Dan Everts. Jo rastësisht sot ambasadori italian më tha se Berluskoni kishte pranuar një ftesë të Berishës për të ardhur në Shqipëri, porse ai e kishte këshilluar që do të ishte më mirë të vinte me ftesë të Kryeministrit Majko dhe me këtë rast takonte edhe Berishën. Sipas Spataforës, Majko kishte pranuar ta bënte ftesën. Edhe ambasadori i OSBE-së, Everts, erdhi e më pyeti se çfarë mendimi kisha nëse kryetari i ardhshëm i radhës së OSBE-së, ministri i Jashtëm norvegjez, Knut Volebek, gjatë vizitës së tij në Tiranë më 9 janar 1999, mund të takonte Sali Berishën? Më tha se do të shkonte të bisedonte me shefin e opozitës dhe do t‘i kërkonte të bënte gjeste të tilla që të ndryshonin nga veprimet e deritanishme në rast se dëshironte të takonte Volebekun.

Ky takim, që u përshëndet nga Uashingtoni menjëherë pas përfundimit të tij, synon patjetër forcimin e stabilitetit politik në Shqipëri edhe në funksion të zhvillimeve në Kosovë. Ky synim u bë i qartë edhe në fund të takimit kur të dy palët deklaruan se do të mbanin qëndrime të përbashkëta ndaj Kosovës. Amerikanët mendojnë se afrimi i forcave kryesore politike në Tiranë do të ndikojë edhe në afrimin e faktorëve politikë shqiptarë në Kosovë. Majkos dhe Berishës u është kërkuar që të moderojnë qëndrimet e liderëve të Kosovës dhe t‘i nxisin ata për të krijuar një grup të ri negociator gjithëpërfshirës, i gatshëm për t‘u ulur në bisedime me Beogradin për të nënshkruar një marrëveshje kalimtare për statusin e Kosovës.

Nuk është e rastit që takimi Majko-Berisha u bë një javë pasi në 14 dhjetor dështoi një mbledhje në Vjenë, e iniciuar nga amerikanët midis liderëve kryesorë të Kosovës, përfshirë UÇK-në me përfaqësues të Grupit të Kontaktit. Synimi i këtij takimi ishte pikërisht krijimi i grupit të ri negociator kosovar. Po në 14 dhjetor, pas vrasjes në kufirin me Shqipërinë të 35 ushtarëve të UÇK-së, midis të cilëve edhe drejtues të saj nga njësi të ushtrisë jugosllave mori fund armëpushimi i përkohshëm. Kjo ngjarje u pasua menjëherë me vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në një kafene të Pejës. UÇK-ja u distancua nga përgjegjësia për këto vrasje.

AuLoNa
No rank
No rank

Female
Number of posts : 1002
Location : USA
Humor : Plenty..:)
Registration date : 2009-01-27
Points : 118
Reputation : 33

Back to top Go down

Një mision i vështirë, por i suksesshëm. Shqiptarët i thonë "Po" marrëveshjes-23 shkurt 1999

Post  AuLoNa on Sat Feb 07, 2009 4:32 pm

Po shkruaj 24 orë pasi kam mbërritur në Paris dhe jam duke fluturuar për në Vjenë ku nesër zhvillohet mbledhja e grupit "Miqtë e Shqipërisë" dhe ku jemi ftuar të marrim pjesë.

Qëndrimi në Paris ka qenë një kalvar i vërtetë diplomatik. Me të mbërritur fillova menjëherë të kontaktoj me disa anëtarë të delegacionit kosovar, me Xhavit Halitin (Zekën), me Jakup Krasniqin, me profesor R. Qosjen, me Azem Sylën, Veton Surroin.. Ata ma paraqitën situatën brenda delegacionit alarmante, po përçaheshin dhe Konferenca mund të pësonte fiasko. Të gjithë përgjegjësinë e përqendronin te një emër: Hashim Thaçi. U përpoqa të lidhesha me atë, po ai më fshihej. Rastësisht e kapa te telefoni i Zekës, por më "rrëshqiti" dhe e mbylli. Përpjekjet për t‘u rilidhur përfunduan pa sukses. Me Majkon në Tiranë komunikoja vazhdimisht.

Qëkur u nisa nga Tirana kisha kërkuar takim me zonjën Ollbrajt, Vedrin dhe Kuk. Amerikanët ishin përgjigjur pozitivisht dhe përmes zëdhënësit të Departamentit të Shtetit ia kishin dhënë lajmin dhe shtypit. Gazetarët ishin mbledhur në hotel "Intercontinental" ku qëndronte Ollbrajti, deri në mesnatë në pritje të takimit tonë. Por takimi nuk u realizua. Ollbrajt deri vonë u përpoq të thyente rezistencën e Thaçit, por pa dobi. E zhgënjyer dhe e zemëruar, ajo u kthye në hotel.

U lidha me delegacionin amerikan, fola me Tinën, Karl Sibentritin dhe më në fund me Hillin. As ata nuk më jepnin shpjegime. U kërkova të na ndihmonin të takonim po atë natë delegacionin shqiptar të ngujuar në kështjellë, por na kthyen përgjigje që francezët nuk donin. Madje atyre nuk u kishte pëlqyer as ardhja ime në Paris. Ata ishin përpjekur të na mbanin larg Rambujesë.

Hilli më foli shumë i zemëruar. Për Thaçin më tha se duhet të shkojë me pushime. Më tha gjithashtu se Ollbrajti ishte shumë e prekur dhe kishte deklaruar se n.q.s. nuk do të kishte marrëveshje, ajo do ta harronte fjalën Kosovë!

I kërkova Hillit që të na e sillnin delegacionin shqiptar në hotel. Ai na premtoi se do të përpiqeshin të rregullonin takimin. E organizuan për ditën tjetër (sot) në orën 8.00 brenda në territorin e kështjellës. Të lodhur dhe plot tension ramë të flemë pak orë.

Në orën 8.00 sot u takuam me R. Qosjen, V. Surroin, A. Sylën dhe H. Thaçin në një zyrë të administratës së kështjellës. I. Rugova, megjithëse e kishim kërkuar, nuk erdhi. Dëshmoi edhe një herë hapur se nuk dëshironte të kishte lidhje me ne, inferioritetin dhe mungesën e kurajës për t‘u ballafaquar dhe parë sy më sy. Nga amerikanët prapa derës qëndronte Sibentriti.

Ngadalë dhe me qetësi u sqarova kosovarëve se ne do t‘i mbështesim dhe nuk do t‘i lëmë kurrë vetëm. E dinim që Thaçi duhej të bindej me argumente, por ai kishte marrë një qëndrim të pandryshueshëm dhe kokëfortë, aq sa bisedimet që zgjatën mbi një orë nuk sollën asnjë përfundim! U ndamë si miq me mendimin se ata, gjatë shqyrtimit të projektit përfundimtar që do t‘u dorëzohej në orën 9.00, do reflektonin pozitivisht.

U kthyem në Paris, në ambasadë, në pritje të orës 12.00, kur delegacionet do të jepnin mendimet e tyre me shkrim për projektin. Nuk kishim veçse disa minuta që ishim kthyer, kur Kris Hill nga Rambujeja më telefonoi e më kërkoi një takim në orën 11.30.

Iu drejtuam përsëri Rambujesë dhe eskorta na çoi në selinë e delegacionit amerikan, një shkollë që u kishte dhënë nxënësve një javë më tepër pushime. Në takim me Hillin dhe Sibentritin shkuam unë, Godo dhe ambasadori L. Rama. Hill filloi të fliste dhe nuk e fshihte zemërimin. Gjithçka e kishte me Hashim Thaçin. "Takimi me Demaçin në Lubjanë, turfullonte Hilli, ka luajtur një rol shumë negativ. Çudia më e madhe ka qenë se, duke mos besuar tek Ollbrajt, delegacioni shqiptar i ka kërkuar asaj që të lidhen drejtpërdrejt dhe të flasin me Presidentin Klinton. Kjo të bën të mendosh se ata vijnë nga një planet tjetër". Hilli tha dhe shumë fjalë të tjera i plagosur rëndë edhe në sedrën e tij, por edhe në përgjegjësinë që kishte si negociator amerikan që donte të siguronte suksesin e Konferencës që do të ishte njëkohësisht edhe sukses amerikan, por edhe arritje personale e tij. Interesa të kombinuara, por që jo gjithnjë është e lehtë të gjesh ekuilibrin midis tyre.

Deklaratat e Hillit ishin sigurisht pak të nxituara e në inat e sipër, që reflektonin një tension e lodhje të jashtëzakonshme. "Kam 42 orë pa gjumë, na tha dhe zonja Ollbrajt, nuk ka qenë kurrë më e zemëruar se dje."

Së bashku me zotin Godo u përpoqëm ta qetësojmë duke i thënë se Thaçi ndodhet nën presionin e segmenteve të caktuara të UÇK-së në terren, se ai djalë nuk është i lirë të vendosë vetë dhe të marrë përgjegjësi kaq të rënda, se është i ri e nuk ka shumë përvojë politike etj.

Në momentin që dëgjoja Hillin e zemëruar, mendova se çfarë dëmi mund t‘i bëhej çështjes së Kosovës nga kokëfortësia apo nga frika e marrjes së përgjegjësisë. Menjëherë i kërkova Hillit që të na krijonte mundësinë që t‘i takonim dhe një herë shqiptarët për pesë minuta. Godo në fillim kundërshtoi, po më vonë më dha të drejtë.

Pas më tepër se gjysmë ore, erdhën për t‘u takuar përsëri R. Qosja, V. Surroi, A. Syla dhe H. Thaçi. Fillova t‘u flas me qetësi për çfarë tha Hilli, rëndësinë që kishte në parim miratimi i marrëveshjes për Kosovën, iu referova bisedave të bëra me Bedri Islamin, u përmenda letrën e Presidentit Meidani. Ismail Kadare i kishte dërguar dje delegacionit një letër mbresëlënëse që unë e lexova në zyrën e Majkos. Majko më mori në telefon dy herë gjatë bisedës.

Të gjitha këto veprime ishin mbështetje edhe për mua që të këmbëngulja fort e më fort. Në fund e ngrita tonin kundër Thaçit dhe i thashë se me qëndrimin e tij po i kursente Serbisë bombardimin, por të mos harronte që kishte përgjegjësi edhe ndaj Shqipërisë, sepse ne vuajmë rrjedhojat e konfliktit në Kosovë. Ne duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të mirëkuptohemi me njëri-tjetrin.

Rexhep Qosja foli përsëri bukur dhe me logjikë, po kështu Surroi. Edhe Syla, ndonëse i kontraktuar, e mbështeti marrëveshjen në princip.

Thaçi në përfundim kërkoi gjysmë ore afat që të mbyllej vetëm në dhomë dhe të reflektonte! E kuptova që do të këshillohej me ata që e mbanin peng! Para se të ndaheshim i thashë Thaçit:

"Po të shikoj drejt në sy dhe ato sy më thonë se ti do të marrësh një vendim të drejtë".

U larguam nga kështjella, pasi amerikanët e miratuan shtyrjen e afatit edhe pas orës 13.00 për t‘i dhënë mundësi delegacionit shqiptar të arrinte konsensusin. Abdyl Sylës i lashë numrin tim të telefonit dhe i kërkova të më njoftonte për vendimin. Shkuam në një restorant në pritje të përgjigjes.

Në restorant fola disa herë me Presidentin, me Majkon e Gjinushin. Tirana ishte në ankth si të gjithë ne. Fola edhe me Demaçin, i cili në momentin kur çdo gjë pothuajse kishte mbaruar, më tha që të kërkoja shtyrjen e Konferencës për një javë, ardhjen e tij si anëtar i delegacionit dhe sigurimin e një takimi me M. Ollbrajtin! Kodra pas bregut!

Përfundimisht rreth orës 15.30, A. Syla më njoftoi se konsensusi u arrit dhe letra e delegacionit shqiptar iu dorëzua negociatorëve. Morëm frymë lirisht dhe u drejtuam nga ambasada në Paris. Godo shkoi të çlodhej në hotel, ndërsa unë u dhashë intervista BBC-së, "Zërit të Amerikës", kanaleve televizive shqiptare, "Gazetës Shqiptare" etj.

Kur isha në ambasadë, shumica e anëtarëve të delegacionit shqiptar më morën në telefon dhe më përgëzuan për kontributin personal që kisha dhënë për të bindur Thaçin. Madje u çudita kur më telefonoi dhe më përgëzoi edhe Bujar Bukoshi! Vetëm Ibrahim Rugova nuk u bë i gjallë.

Megjithëse konsensusi u arrit, ai ishte shumë i brishtë. E kuptova edhe më shumë, kur i ndodhur pranë tij, dëgjova Thaçin në intervistën që i dha RTSH-së në emisionin e orës 18.35. Përsëri u përpoq ta distancojë veten nga marrëveshja.

Në Rambuje kosovarët arritën të bashkohen. Po kur të kthehen në Kosovë? Demaçi doli kundër, por edhe komandantët lokalë të UÇK-së. Çfarë do të ndodhë? Të presim. Në Rambuje shqiptarët ranë dakord që të krijojnë edhe një qeveri të përbashkët. Pse u nxituan? Për të ndarë portofolat për të ardhmen? Ishte një kompromis për të qëndruar së bashku? Qosja më tha se Kryeministër u zgjodh Jakup Krasniqi, ndërkohë që më vonë mora vesh se flitej për Hashim Thaçin. Demaçi, në një deklaratë për shtyp, e hodhi poshtë këtë qeveri dhe vetë Marrëveshjen e Rambujesë. Demaçi po pengon, ndoshta pa dashje. Me të duhet biseduar.

AuLoNa
No rank
No rank

Female
Number of posts : 1002
Location : USA
Humor : Plenty..:)
Registration date : 2009-01-27
Points : 118
Reputation : 33

Back to top Go down

Bisedë e vështirë mes Majkos e Papandreut-10 mars 1999

Post  AuLoNa on Sat Feb 07, 2009 4:33 pm

Ministri i Jashtëm grek, Jorgos Papandreu, erdhi sot në Tiranë. Si gjithmonë miqësor dhe shumë i sjellshëm, Papandreu veç miq bën. Erdhi në kuadrin e një turneu të shpejtë ballkanik për çështjen e Kosovës. Grekët e ndërmorën këtë turne për një çështje, e cila u sjell dhe mund t‘u sjellë shqetësime të mëdha, jo vetëm refugjatëve, por dhe largim investitorësh e komprometim si të vetmit anëtar të BE-së dhe të NATO-s në Ballkan.

Papandreu u shpreh për statusin e ardhshëm të Kosovës, me termat autonomi të zgjeruar brenda kufijve të RFJ-së. "Të gjithë, tha ai, jemi të interesuar për një zgjidhje të përshtatshme", dhe shfaqi kënaqësinë për sa dëgjoi nga Meidani e Majko se shqiptarët kanë shfaqur gatishmërinë për të nënshkruar marrëveshjen.

Ministri i Jashtëm i Greqisë ishte duke kryer një turne rajonal që do ta çonte edhe në Beograd. "Millosheviçi, na informoi ai, ende refuzon praninë ndërkombëtare ushtarake në Kosovë, veçanërisht atë të NATO-s". Mënyra se si e shtroi këtë çështje, më dha të kuptoj se ai donte të dinte mendimin tonë nëse do të ishte e pranueshme për shqiptarët e Kosovës edhe një tjetër forcë ndërkombëtare nën çfarëdolloj emri.

Presidenti Meidani e bëri të qartë qëndrimin e tij dhe i dha edhe një përgjigje Papandreut kur e vuri theksin në nevojën e dislokimit të forcave paqeruajtëse të NATO-s, ose nën komandën e NATO-s në Kosovë si garantuese e marrëveshjes.

Biseda në zyrën e Kryeministrit Majko e vuri Papandreun në një pozitë të vështirë dhe të papritur. Kryeministri me të drejtë vuri në dukje se serbët po përpiqen të evitojnë nënshkrimin e marrëveshjes, por ministri i Jashtëm grek e vuri në dyshim këtë konkluzion.

Majko shkoi më tej dhe përmendi një deklaratë të Vuk Drashkoviçit për një ndarje të mundshme administrative të Kosovës, e cila ka bërë që të lindin dyshime në radhët e shqiptarëve për vendosjen e forcave të huaja aty, ku forcat e vendeve që përkrahin Serbinë do të pozicionoheshin në ato rajone që mund t‘i shkëputeshin Kosovës. Aludimi këtu ndër të tjera mund të ishte edhe për Greqinë.

"Ne, vazhdoi Majko, po përgatitemi për më të keqen. Në qoftë se do të fillojnë masakra në Kosovë dhe një pjesë e refugjatëve do të drejtohen në kufi, Shqipëria do të përfshihet në konflikt dhe ne nuk mund të qëndrojmë mënjanë, do të jemi të detyruar të veprojmë. Nëse sulmohemi do të jemi të detyruar të mbrohemi dhe se po të mos nënshkruhet marrëveshja do të ketë konflikt total midis shqiptarëve dhe serbëve".

E pashë Papandreun që u shqetësua, sepse nuk e priste një deklaratë kaq të fortë. Për t‘u sqaruar më mirë, ai e pyeti Majkon: "Bëhet fjalë për shqiptarët e Shqipërisë apo të Kosovës?"

Kryeministri iu rikthye me një përgjigje akoma edhe më të fortë:

"Nëse vriten dhjetë mijë veta në ditë në Kosovë të gjithë shqiptarët do të orientohen nga zgjidhja e armatosur dhe i gjithë ky reaksion do të përhapet në Maqedoni dhe Mal të Zi. Sinjale vijnë dhe nga shqiptarët në Turqi, ku numërohen 4-5 milionë. Vetë unë do të shkoj në front".

Papandreu u përgjigj:

"Fillimi i luftës do të ndizte tendencat nacionaliste në të gjitha vendet e Ballkanit dhe i gjithë bashkëpunimi i deritanishëm do të kthehej mbrapsht. Do të synohej krijimi i shteteve të pastra nacionale, çka nënkupton një luftë ballkanike. Kemi bashkëpunuar me Shqipërinë, por i gjithë ky bashkëpunim do të shembej dhe bashkë me të edhe perspektiva euroatlantike. Ju premtoj se do të bëj ç‘është e mundur për gjetjen e një zgjidhjeje".

E përcolla Papandreun në aeroport. Pasi u ktheva, e mora Majkon në telefon dhe i thashë me të qeshur se e kishte "tmerruar" Papandreun dhe diplomatët grekë që e shoqëronin. Very Happy

AuLoNa
No rank
No rank

Female
Number of posts : 1002
Location : USA
Humor : Plenty..:)
Registration date : 2009-01-27
Points : 118
Reputation : 33

Back to top Go down

Re: Paskal Milo: Ju tregoj takimet Nano me Millosheviç dhe Majko-Papandreu

Post  AuLoNa on Sat Feb 07, 2009 9:40 pm

Instituti i Librit dhe i Promocionit Toena dhe Kolegji Universitar Victory
organizojnë paraqitjen e librave të autorit Paskal Milo, “Ditari i një ministri të Jashtëm Konflikti i Kosovës 1997-2001” dhe “Kosova nga Rambuje në Pavarësi” ditën e premte, dt. 13. 02.2009, ora 12.00, në Hotel Victory, Prishtinë.




Instituti i Librit dhe i Promocionit Toena
dhe
Kolegji Universitar Victory


organizojnë paraqitjen e librave të autorit Paskal Milo,



“Ditari i një ministri të Jashtëm Konflikti i Kosovës 1997-2001”

dhe

“Kosova nga Rambuje në Pavarësi”



ditën e premte, dt. 13. 02.2009, ora 12.00, në Hotel Victory, Prishtinë.



Me pjesëmarrjen e autorit.
Vlerësime për veprat

nga presidenti Rexhep Meidani
dhe akademiku Rexhep Qosja.



Jeni të ftuar të merrni pjesë.
Për të pranishmit jepet një koktej.





Një libër memorial – dokumentar i rëndësishëm që vjen në kohën e duhur, në 10–vjetorin e Konferencës së Rambujesë, që hodhi themelet për zgjidhjen e të ardhmes së Kosovës dhe përvjetorit të parë të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, si rrjedhojë e kësaj Konference.


Autori i librit, historiani, diplomati dhe politikani i njohur Paskal Milo, ka qenë ministër i Jashtëm i Shqipërisë në vitet 1997 – 2001, në momentet nga më të rëndësishmet dhe më të vështirat të historisë së kohës së sotme për vendin dhe botën shqiptare në Rajon, që njihen tashmë në historigrafi dhe media si vitet e Konfliktit në Kosovë. Konçiz dhe i drejtëpërdrejtë, i përpiktë, shkruar këndshëm dhe me ngjyra letrare Ditari i Milos, i hedhur në letër në momentet kur kanë ndodhur ngjarjet dhe i botuar me besnikëri sipas shënimeve të asaj kohe, është një kontribut i vyer për të kuptuar atmosferën kur u zhvilluan ngjarjet dhe ku vepruan aktorët kryesorë të këtyre viteve, personalitetet më të njohur të botës shqiptare dhe ata ndërkombëtarë.


Të vërtetat që dalin nga botimi i këtij libri, të thëna e të pathëna për arsye të ndryshme gjatë këtyre 10 vjetëve, janë një ndihmesë e çmuar për të kuptuar realisht ato që kanë ndodhur gjatë kohës së Konfliktit, në Kosovën e pasluftës e deri më sot.


Përpos vlerave njohëse dhe rëndësisë për historinë, idetë dhe mesazhet që marrim nga ky libër – ditar janë të shumta, por stigmatizimi i natyrës kriminale të regjimit të Millosheviçit, mbështetja e fuqishme dhe e vendosur ndërkombëtare, qëndrimi i vendeve fqinje, roli historik i vendimit të vështirë të Delegacionit Shqiptar për të firmosur në Rambuje, qëndrimi i secilit anëtar delegacioni dhe sa ndikoheshin nga pozicionet politike që përfaqësonin janë disa prej kulmeve që ngjallin dhe më shumë kuriozitet për lexuesit. Por mbi të gjitha, në të evidentohet dukshëm roli aktiv që ka luajtur vendi amë, Shqipëria, në mbështetjen pa kufizim për zgjidhjen e Çështjes së Kosovës, dhe kjo gjë është thënë si rrallëkund tjetër, edhe pse të gjithë e shihnin dhe pak e shprehnin publikisht, madje pak e harruar sot. Vetë ambasadori Petriç shkruan në parathënien e tij për këtë libër se “…duhet thënë se mbështetja që Shqipëria dha për zgjidhjen paqësore dhe demokratike të konfliktit nuk është reflektuar aq sa ajo meriton si duhej në opinionin e gjerë publik”.







Paskal MILO ka lindur në Palasë, Himarë, më 22 shkurt 1949.
Është diplomuar për Histori dhe Gjeografi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, Universiteti i Tiranës. Ka kryer studime pasuniversitare në Suedi. Ka gradën shkencore “Doktor” në histori dhe titullin “Profesor”.
Ka kryer detyra shtetërore: sekretar shteti për arsimin (1991); ministër i Punëve të Jashtme (1997-2001); ministër për Integrimin Evropian (2001-2002). Është deputet në disa legjislatura të Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 1992 dhe ka kryer funksionet e kryetarit të Komisionit të Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Shëndetësisë (1992-1996) dhe të sekretarit të Komisionit të Politikës së Jashtme e Marrëdhënieve Ndërkombëtare (2003-2005).
Ka ushtruar detyra profesionale e shkencore: përgjegjës i Katedrës së Historisë Botërore (1988-1995); dekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë (1991-1992); anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë (1988-2002); anëtar i Këshillit Shkencor të Universitetit të Tiranës (1991-1992); anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1985-1991); anëtar i Bordit të Drejtorëve të “Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë” (Fondacioni Soros) Tiranë (1993-1997); anëtar i Komisionit të Historisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Milano Itali (1991-2001); anëtar i Këshillit Argjentinas të Marrëdhënieve Ndërkombëtare (2000); anëtar korrespondent i “Shoqatës Kiliane të Historisë e Gjeografisë” (2000).
Është ligjërues në Universitetin e Tiranës dhe në universitete të tjera jopublike në Tiranë e Prishtinë. Ka ligjëruar në universitete të ndryshme në SHBA, Kanada, Suedi, Itali, Spanjë, Greqi etj. Ka referuar në institute e këshille për politikë të jashtme e marrëdhënie ndërkombëtare, si në SHBA, Kanada, Argjentinë, Kili, Britani e Madhe, Suedi, Norvegji, Danimarkë etj. Ka kryer kërkime shkencore në arkivat historikë të: Departamentit të Shtetit në SHBA (1996 dhe 1997), të Forin Ofisit në Londër (1994), të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë (1994), të K’e d’Orsej-Paris (1997), si dhe në Greqi, Egjipt etj.
Pas vitit 1990 ka një veprimtari aktive shoqërore e politike. Ka qenë kryetar i Komitetit Kombëtar Shqiptar të Asamblesë së Qytetarëve të Helsinkit (1993-1997), anëtar në disa borde e komisione rajonale për paqe e mirëkuptim ballkanik. Është kryetar i Partisë Demokracia Sociale e Shqipërisë. Është dekoruar me urdhra, medalje e çmime të ndryshme brenda e jashtë vendit.
Është autor i disa librave politikë dhe historikë, i monografive, i botimeve shkollore dhe universitare, i shumë artikujve shkencorë të botuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Është pjesëmarrës me referate e kumtesa në kongrese, konferenca, simpoziume e seminare kombëtare e ndërkombëtare.

AuLoNa
No rank
No rank

Female
Number of posts : 1002
Location : USA
Humor : Plenty..:)
Registration date : 2009-01-27
Points : 118
Reputation : 33

Back to top Go down

Paskal Milo, Veprat mbi Kosoven dhe Ditari i Tij

Post  AuLoNa on Tue Feb 10, 2009 2:39 pm



Ditari i një ministri të Jashtëm dhe Kosova nga Rambujeja në pavarësi janë dy veprat që sjell për lexuesin shqiptar historiani dhe politikani Paskal Milo. Përmes eksperiencës së tij Milo zbulon në ...

AuLoNa
No rank
No rank

Female
Number of posts : 1002
Location : USA
Humor : Plenty..:)
Registration date : 2009-01-27
Points : 118
Reputation : 33

Back to top Go down

Paskal Milo dhe qendrimi ndaj Kosoves

Post  qiellikalter on Thu May 14, 2009 10:27 am

AuLoNa wrote:
Në momentin që dëgjoja Hillin e zemëruar, mendova se çfarë dëmi mund t‘i bëhej çështjes së Kosovës nga kokëfortësia apo nga frika e marrjes së përgjegjësisë. Menjëherë i kërkova Hillit që të na krijonte mundësinë që t‘i takonim dhe një herë shqiptarët për pesë minuta. Godo në fillim kundërshtoi, po më vonë më dha të drejtë."


"Thaçi në përfundim kërkoi gjysmë ore afat që të mbyllej vetëm në dhomë dhe të reflektonte! E kuptova që do të këshillohej me ata që e mbanin peng! Para se të ndaheshim i thashë Thaçit:

"Po të shikoj drejt në sy dhe ato sy më thonë se ti do të marrësh një vendim të drejtë"."


Ne nje interviste te koheve te fundit, Paskal Milo u shpreh qe s'kishte ndryshuar mendim per gjykimet e dhena ne kete liber.
Kurse une mendoj se qendrimi i pales shqiptare ka qene qendrimi i nje pale qe nuk ka besim te forcat e veta qe mund ta arrinte fitoren, ndaj zgjodhi rrugen me pak "te dhimbshme".
Perderisa Majko eshte shprehur me Papandreun qe nese edhe Shqiperia do perfshihej ne koflikt, te gjithe ne do dilnim te luftonim per Kosoven, atehere mesazhi qe iu dha delegacionit te Kosoves qe shqiptaret te lene luften e tyre pa arritur pavaresine e plote, per mua ishte gabim gati i pashpjegueshem.
Gabimi me i madh eshte mosperfshirja e referendumit qe i takon me te drejte popullit te Kosoves per te vendosur per veten e vet pas nje periudhe fillestare kur do te qeverisej nga nderkombetaret.
E sic e dime fare mire sot, Kosova gjendet ende duke u perpelitur sa nen nderkombetaret, sa nen korrupsionin qe po zhvillohet si nga nderkombetaret e shqiptaret, sa nen problemet ndertnike qe te huajt me zgjidhjet e tyre vetem sa i mbajne te ngrira, por s'arrijne t'i zgjidhin sot.
Lexova qe para 4 ditesh trupa ushtarake serbe ishin futur ne brendesi te territorit te Kosoves dhe kane arrestuar nje te ri shqiptar. Keto jane nje nga shembujt e shumte te gjendjes jo te favorshme ku gjenden shqiptaret e Kosoves sot.

qiellikalter
Junior Member
Junior Member

Number of posts : 25
Registration date : 2009-03-20
Points : 11
Reputation : 6

Back to top Go down

Re: Paskal Milo: Ju tregoj takimet Nano me Millosheviç dhe Majko-Papandreu

Post  AuLoNa on Thu May 14, 2009 11:43 am

qiellikalter wrote:
Ne nje interviste te koheve te fundit, Paskal Milo u shpreh qe s'kishte ndryshuar mendim per gjykimet e dhena ne kete liber.
Kurse une mendoj se qendrimi i pales shqiptare ka qene qendrimi i nje pale qe nuk ka besim te forcat e veta qe mund ta arrinte fitoren, ndaj zgjodhi rrugen me pak "te dhimbshme".
Perderisa Majko eshte shprehur me Papandreun qe nese edhe Shqiperia do perfshihej ne koflikt, te gjithe ne do dilnim te luftonim per Kosoven, atehere mesazhi qe iu dha delegacionit te Kosoves qe shqiptaret te lene luften e tyre pa arritur pavaresine e plote, per mua ishte gabim gati i pashpjegueshem.
Gabimi me i madh eshte mosperfshirja e referendumit qe i takon me te drejte popullit te Kosoves per te vendosur per veten e vet pas nje periudhe fillestare kur do te qeverisej nga nderkombetaret.
E sic e dime fare mire sot, Kosova gjendet ende duke u perpelitur sa nen nderkombetaret, sa nen korrupsionin qe po zhvillohet si nga nderkombetaret e shqiptaret, sa nen problemet ndertnike qe te huajt me zgjidhjet e tyre vetem sa i mbajne te ngrira, por s'arrijne t'i zgjidhin sot.
Lexova qe para 4 ditesh trupa ushtarake serbe ishin futur ne brendesi te territorit te Kosoves dhe kane arrestuar nje te ri shqiptar. Keto jane nje nga shembujt e shumte te gjendjes jo te favorshme ku gjenden shqiptaret e Kosoves sot.


Ke te drejte qiellikalter, puna tek ne eshte pikerisht sepse nuk kemi pamvaresi tek udhehqeja jone nga asnjera pale qe vete ne pushtet.
Te gjithe jane nen mvarjen e dikujt te huaji, vetem ne Shqiperi eshte bere kjo gjithmone, pervec disa perjudhave.

Psh ne paralamentin Shqiptar vete e flet nje deputet anglez qe vertet nuk i takon, si psh te vente nje nga deputet tane e ta vinin te fliste e tu bente leksione Parlamentit Amerikan apo anlgez.

AuLoNa
No rank
No rank

Female
Number of posts : 1002
Location : USA
Humor : Plenty..:)
Registration date : 2009-01-27
Points : 118
Reputation : 33

Back to top Go down

Re: Paskal Milo: Ju tregoj takimet Nano me Millosheviç dhe Majko-Papandreu

Post  Sponsored content Today at 7:52 am


Sponsored content


Back to top Go down

View previous topic View next topic Back to top

- Similar topics

 
Permissions in this forum:
You cannot reply to topics in this forum