Custom's and Traditions of Vlora Region in Times!/Zakonet dhe Traditat e Zonës së Vlorës në Kohëra!

View previous topic View next topic Go down

Custom's and Traditions of Vlora Region in Times!/Zakonet dhe Traditat e Zonës së Vlorës në Kohëra!

Post  AuLoNa on Sun Feb 01, 2009 6:58 pm

Dasma vlonjate, zakonet dhe personazhet

*Studim nga Petrika Grosi*

Si objekt të ciklit mbi traditën, zakonet dhe ritualet e dasmave, lindjes dhe vdekjes, këtë javë “Shekulli-Kontakt” u ndal në zonën e Vlorës. Ajo që dihet, është se traditat ndryshojnë nga një vend tek tjetri dhe Vlora ka shumë zona. Ajo bën pjesë në zonën e Labërisë, por njëkohësisht ndahet edhe në 9 zona të tjera, siç janë; zona e Lumit të Vlorës, zona e Dukatit, që përmbledh Dukat, Tragjas e Radhimë e njëkohësisht, janë dhe zona e Bregdetit dhe ajo e Papalltisë, pra një pjesë e Myzeqesë që futet në Rrethin e Vlorës. Siç parathamë, gjithsecila prej zonave të lartpërmendura ka veçantinë e saj, por ajo çka krijon një unitet tradite, është pjesa e Labërisë së Vlorës.



***

Sigurisht, që edhe në Labëri nuk gjendet një moment tjetër më i rëndësishëm jetësor sesa organizimi dhe festimi i një martese. Ceremonia, ritualet dhe tradita, janë ato që sërish flasin me një gjuhë krejt autentike të zonës, duke shfaqur veçanti, ashtu sikurse në episode fragmentare, natyrisht që nuk mund të mungojnë elementë të përngjashëm me dasmat që zhvillohen në trevat e tjera të vendit. Periudha e martesës është momenti më i rëndësishëm i jetës në zonën e Labërisë. Para se të planifikohej një bashkim mes dy familjesh, përmes lidhjes së kurorës nga çifti i ri, ajo që shikohej me vëmendje më parë nga të dyja palët, ishte zgjedhja e mikut. Krushqit, duhet patjetër që të ishin të një niveli ekonomik, social e kulturor, në mënyrë që të mos lindnin diferencime e mospërputhje klasore dhe të shmangeshin pakënaqësitë e përveçme.

Ai që merrte iniciativën për një bashkim martesor, patjetër që nuk mund të ishte veçse mblesi. Mblesi shkonte për të pirë kafe në shtëpinë së cilës i kishte vënë “shënjestrën” dhe nëpërmjet simbolikës frazeologjike, plastikës së lëvizjes dhe çdo gjesti e fjale që thoshte, linte të kuptohej qëllimi i vizitës. Pra, e thënë në mënyrë më popullore, “ai kuptohej që në gojë, kur kishte ardhur për punë mblesërie”. Më tej, mblesi kërkonte dorën e vajzës në emër të familjes që do ta merrte për nuse. Çdo bisedë zhvillohej mes burrave. Pastaj, sipas zakonit, familja e vajzës kërkonte pak kohë për të dëgjuar “zërin” e dhëndrit dhe familjes së tij, pasi kishte raste kur ai mund të ishte me të meta fizike, mendore, apo me ndonjë ves. Novruz Bajramaj, tregon se “para disa ditësh ishim duke pirë kafe, pimë një gotë raki, morëm nga një gotë tjetër dhe i zoti i lokalit na thotë se kam raki të mirë. Miku im nga Labëria, ia kthen: Kur vjen dikush e të kërkon vajzën për djalin, nuk thuhet që ke vajzë të mirë, sepse ai e ka vlerësuar derisa ka ardhur ta kërkojë”. Kjo histori tregon dhe njëherë, për traktatet dhe mënyrat e komunikimit mes familjeve, ku gjithçka vendosej prej krushqve e mblesëve dhe pak kishin në dorë ata që do të martoheshin, që dashur pa dashur, do të kalonin jetën me njëri-tjetrin.



Momentet premartesore të Labërisë

Siç mbaronin punë mblesërit, familjet që jepnin pëlqimin reciprok për njëra-tjetrën, caktoheshin datat dhe vazhdonin përgatitjet njëra pas tjetrës. Kryheshin ceremonitë paramartesore të shkëmbimit të nishanit, dhuratave, unazave, e kështu me radhë për të ardhur tek ajo që e kemi quajtur “momenti premartesor”. Një grup nga familja e dhëndrit, “sijinxhit”, ku zakonisht futen daja i djalit, që zë vendin dhe përgjegjësinë kryesore, xhaja, e ndonjë tjetër i afërm, shkojnë u bëjnë peshqeshe nuses dhe krushqve. Ata priten me të gjitha respektet, sipas zakoneve dhe pasi hanë e pijnë tërë natën, në mëngjes bëhen gati të rikthehen në shtëpinë e dhëndrit, duke marrë me vete kuajt, që tashmë janë ngarkuar nga krushqit e nuses, me plaçkat dhe pajën që ajo ka përgatitur.

Nusja do të hipej siç e donte adeti; mbi një pelë të madhe, të bardhë e të zbukuruar, sikundër në ditët e sotme, për të zgjidhen makina luksoze të bardha e të zbukuruara më tepër se të tjerat, me shirita, lule, tollumbace... Por, kishte raste që brenda një dite këmbeheshin rrugës dy palë karvanë dasmorësh, që sillnin nuset për tek dhëndri. Ndryshe nga zona e Korçës dhe e Dibrës, ku të tilla koincidenca pasoheshin me tragjedi, pasi asnjë karvan nuk i hapte rrugën tjetrit, sepse i shkonte dasma ters, vlonjatët kanë një traditë tjetër; të paktën kështu shprehet etnologu Bajramaj: “Ishte zakon, që kur shkëmbeheshin dy karvane dasmorësh në një rrugë, atëherë, ata ndaleshin dhe nuset shkëmbenin mes tyre shamitë e bardha dhe nga një ëmbëlsirë. Kjo kishte kuptimin që t’i jepnin fat njëra-tjetrës, ndërsa ëmbëlsirën e falnin për të lehtësuar lotët e ndarjes nga familja, që i fshinin me shamitë e tyre.



Nusja pritet me krisma

Duhej doemos, që nusja të shoqërohej gjatë rrugës për në shtëpinë e dhëndrit, nga një fëmijë i vogël, i afërm i saj. Teksa karvani dasmor i afrohet shtëpisë së burrit, njerëzit e këtij të fundit, dalin jashtë e qëllojnë në ajër me armët e tyre, për të lajmëruar se nusja erdhi shëndoshë e mirë. Janë pikërisht këto çaste, kur atmosfera ndizet në maksimum dhe këngët, vallet e lojërat, ndjekin njëra-tjetrën. Por, duhet thënë se dasma në shtëpinë e dhëndrit ka nisur që një javë para, me rituale e ceremoni të tjera, siç janë: “Dita e kafeve”, apo “Dita e druve”, kur i gjithë fshati del në pyll për të prerë dru, që nevojiten për ngrohje dhe gatim, gjatë dasmës madhështore që zhvillohet gjithmonë nga familja e dhëndrit.



Sprovat që duhen kaluar me vjehrrën


Studiuesi vlonjat, Novruz Bajramaj, tregon se “provokimet kanë qenë në traditën e Labërisë. Para se nusja të nisej nga shtëpia e saj, porositej prej grave të fisit, hallave dhe tezeve, që të mos harronte asnjë zakon të traditës. Në asnjë mënyrë, nusja nuk duhej që të harronte se, po të takonte një nuse tjetër rrugës, ato duhet të këmbenin shamitë dhe ëmbëlsira mes tyre. Më pas, nusja e re nuk duhet të harronte gjithashtu, momentin kur të hynte në shtëpinë e dhëndrit; ajo patjetër që duhet të linte mënjanë ngurimin dhe hutimin dhe shumë solemnisht, kur të zbriste nga pela e bardhë, duhet që të përulej e t’i puthte dorën vjehrrit dhe vjehrrës. Po kështu, nusja e re nuk duhet të harronte që kur i afrohej pragut të portës, të mos hynte brenda pa ardhur ena me mjaltë, me të cilin ajo do të ngjynte pragun. Më pas, kemi momentin kur ajo përballet tet a tet, me vjehrrën në dhomën e burrave, ku duhet ta rrotullojë plakën tre herë dhe t’i puthë dorën në çdo rrotullim, për të kaluar tek monedha që nusja duhet ta fusë në këpucën e saj para se të niset, në mënyrë që kur nipçja i vogël i dhëndrit të shkojë e t’i heqë këpucën, ta gjejë këtë simbol mbarësie... Nëse nusja harronte ndonjë prej këtyre adeteve, atëherë do të shikohej që në fillim me përçmim nga vjehrra dhe do të kishte probleme në marrëdhëniet mes tyre. Veç këtyre zakoneve, kemi dhe atë që quhej “Syri i zi”. Për të shmangur “Syrin e zi”, nuses i vareshin hudhra e qepë të fshehura dhe një flamur i kuq, pasi labët besonin se shejtani e kishte frikë të kuqen dhe largohej.



***

Kur vjen nusja te dhëndri, të parët që ta presin duhet të jenë patjetër vjehrra me vjehrrin. Nusja, sapo zbret nga kali, i puth dorën që të dyve, ndërkohë që, pas çaste më pas, të tjerët nisin e i hedhin nuses lekë, oriz, karamele, derisa shkon tek pragu i shtëpisë, ku vjehrra i sjell mjaltë, me të cilin nusja, për mbarësi duhet të lyejë derën. Pasi nusja hyn në shtëpi, kemi një zakon tjetër; ajo drejtohet menjëherë në dhomën e burrave, ku gjen të ulur në krye të këndit, vjehrrën. Kjo është përballja e parë vetëm për vetëm, e dy zonjave të shtëpisë. Pasi hyn në dhomë, nusja fillon të vërtitet plot tri herë rreth karriges ku është ulur vjehrra dhe në çdo rrotullim, shkon dhe i puth dorën plakës. Diçka para dhe pas atyre momenteve ishte e pathënë, por vetëkuptohej prerazi: Për çdo fjalë që vjehrra thoshte, nusja duhet t’ia kthente kokëulur “lepe”, që do të thotë “si urdhëron”. Siç mbaron me rrotullimin tri herë dhe puthjen e dorës së vjehrrës, nusja ulet në fronin e saj, ku duhet të nusërojë disa orë. Aty vjen një nga nipçet e dhëndrit dhe i heq vajzës këpucën, për të marrë monedhën që ajo ka fshehur.



Dhëndri dhe lojërat e hajdutërisë

Nëse krijojmë një pasqyrë imagjinare të ndarë në dy sfonde, në krahun tjetër të ndodhive me nusen, ishin dhe ndodhitë me dhëndrin. Ai merrej nga djemtë dhe burrat e fisit, të cilët e uronin, e përqafonin dhe më pas loznin me të, apo e ngacmonin me alegori, por gjithmonë në një sfond tepër dashamirës dhe në funksion të ndezjes së atmosferës festive të dasmës. Pas momentit kur fëmija i vogël merr monedhën nga këpuca e nuses, në dhomë hyn dhëndri, i cili i ngre perçen gruas, për ta parë në fytyrë. Gra e burra nuk kanë qëndruar asnjëherë bashkë, madje gjithmonë ndarjet bëheshin në tri kategori: Gratë, burrat dhe fëmijët, që uleshin të ndarë sipas klasifikimit dhe nuk përziheshin me njëri-tjetrin. Si në dhomën e grave ashtu dhe nga burrat, kryheshin lojëra popullore, të cilat sipas traditës, për fitues kishin atë që tregohej më i zoti ndër shokët për të vjedhur njëri-tjetrin. Shamia e xhepit, qosteku, lekë e monedha, duheshin shtrënguar mirë, e në të njëjtën kohë, me sy kërkohej preha që duhej të humbte, pikërisht ato objekte që “hajduti” i ruante për vete, mos ia vidhnin sy ndër sy... Ka qenë dhe një zakon tjetër sipas të cilit, krushqit e nuses, para se të jepnin vajzën për grua, provonin dhëndrin sa i zoti ishte. Ata i vinin si kusht që ai të vidhte, p.sh., dashin më të mirë të një kopeje që ata ia caktonin. Nëse dhëndri nuk e bënte, do të thoshte se nuk qe i zoti “për ta nxjerrë qimen nga qulli” dhe nusja nuk i jepej. Teksa e pyesim për këtë zakon, etnologu Bajramaj, na thotë se “ky nuk është një zakon i mirëfilltë vlonjat, por e ka origjinën më tepër nga barinjtë e malësisë, të cilët kishin si zakon që ia vidhnin njëri-tjetrit bagëtinë dhe nëse dhëndrit i vidhej bagëtia dhe ai nuk vidhte dot, atëherë tregohej se nuk qe i zoti për familje”.


Last edited by AuLoNa on Sun Feb 01, 2009 7:22 pm; edited 2 times in total

AuLoNa
No rank
No rank

Female
Number of posts : 1002
Location : USA
Humor : Plenty..:)
Registration date : 2009-01-27
Points : 118
Reputation : 33

Back to top Go down

^^^cont!

Post  AuLoNa on Sun Feb 01, 2009 7:00 pm


Dajat, gjithmonë në krye të këndit


Tradita e respektimit të dajës maksimalisht, madje shumë më tepër sesa xhaxhain, gjendet edhe në zonën e Labërisë. Bajramaj tregon, se “jo vetëm nëpër dasma, por në çdo ceremoni tjetër, vendet kryesore i zinin dajat, pastaj krushqit e mëdhenj në moshë, e kështu me radhë...”. Daja kishte rëndësi të madhe dhe konsiderohej si njeriu më i respektuar në familje, pasi nuk ishte pjesë e familjes, por ishte vëllai i nënës dhe miku më i afërt i familjes. Vazhdimisht daja ka qenë personi më i rëndësishëm, edhe për nusen dhe për dhëndrin, ndërsa xhajat kishin detyrime në shtëpi dhe merreshin me punët e dasmës. Daja mbante peshën kryesore të mbarëvajtjes së gostive, muhabeteve, festës dhe krejt ceremonive. Duhet thënë se fjala e dajës kishte tepër peshë; ajo qe urdhër, qoftë për ata që shkojnë të marrin nusen, apo dhe për ata që e sjellin nusen tek dhëndri.



Vallja e Zogave

Një valle e veçantë me tipare qytetare, nuanca të së cilës ndeshen në krejt Labërinë, por edhe më gjërë, në Kosovë, Çamëri e Maqedoni, është “Vallja e Zogave”. Në një anë të odës, qëndron një grua bashkë me vajzat e saj dhe ia nis këngës me këto fjalë: “Lum kush ka zoga shumë...”, në anën tjetër ndodhej një grua e vetme, e cila ia kthente vargun së parës: “Ke ti, por ta marr unë...”. E kështu, çdo herë që përsëriteshin këto fraza, gruaja e vetme i merrte gruas që niste këngën nga një vajzë, simbolikisht, për djemtë e saj, kuptohet, nëpërmjet këngës dhe vallëzimit.



Natën e parë, me nusen fle nipçja i dhëndrit

Natën e parë, nusja nuk flinte me burrin, por me një të afërm të burrit. Kuptohet, që i afërmi duhet të ishte një nip dhe i vogël, me të cilin nusja flinte natën e parë. Burri nuk bëhej xheloz për këtë gjë, pavarësisht mentalitetit, sepse ishte përgatitur gjatë gjithë jetës për të pritur, pranuar dhe zhvilluar me normalitetin më të madh, këtë zakon.



Mëngjesi i parë i nuses, pasi ka fjetur me dhëndrin

Nusja, pasi fle me dhëndrin, del e shoqëruar nga kunatat dhe puna e parë që bën, do t’i çojë kafe vjehrrit e vjehrrës, ndërsa ata i hedhin para në tabaka (dhisk). Pastaj, ajo është e detyruar të ndërrojë rrobet e nusërisë, për të mbajtur veshjen karakteristike të zonës së gruas të shtëpisë. Siç përfundon me kafet, nusja merr shtambën dhe shkon të mbushë ujë në burimin e fshatit. Por, që në të gdhirë, kemi një fenomen tjetër tashmë të harruar, i cili ka qenë zakon për zonën. Për të treguar virgjërinë e vajzës, në mëngjes, vjehrra var në oborr çarçafin që e ka hequr nga krevati ku kanë fjetur nusja me dhëndrin, i cili duhet të jetë i përlyer me gjak, për të treguar se vajza e ka ruajtur nderin dhe ka qenë e virgjër. Por jo gjithnjë dasmat shkonin mirë...! Nëse burri s’do ta gjente vajzën e virgjër, atëherë ai e kthente në shtëpi. Këtu nuk kishte ndonjë problem mes familjeve, pasi vajza kthehej mbrapsht pa ndonjë qejfmbetje, por ata që e mbanin përgjegjësinë më të madhe ishin mblesët, të cilët kishin dalë edhe garant për vajzën. Ka pasur raste që këto probleme janë mbyllur me vrasje, ashtu siç ka ndodhur që janë mbyllur edhe me mirëkuptim.



Matriakati i fshehur

Gruaja ka pasur pushtet të madh në zonën e Labërisë. Zakonisht, kush luan rolin më të rëndësishëm në shtëpi, është dhe më i fuqishmi. Në zonën e Labërisë, burrat shkonin në mal për të kullotur bagëtitë, apo në luftë e kurbet. Në të tilla raste, gruaja me moshë më të madhe në familjes, pra zonja e shtëpisë, bënte ligjin. Ajo mbante paratë, bënte llogaritë për të gjitha gjërat, deri tek më delikatet, pra, luante rolin kryesor në ekonominë e shtëpisë dhe sigurisht, kishte pushtet më tepër edhe se burri, por me një përjashtim: Kjo nuk ndodhte në ato familje, burrat e të cilave quheshin “Burra të Kuvendeve”, të cilët kishin pushtet absolut në shtëpitë e tyre.





Lindja, vjehrra e lidhte nusen në stallën e bagëtive

Kur në një familje labe kishte lindje, lajmi nuk trumbetohej me të madhe. Tingëllon duke zgjuar habi, por është e vërtetë! Bajramaj tregon se “nuk duhej ta merrte vesh njeri ditën e lindjes së një fëmije, pasi syri i keq dhe magjitë, mund të dëmtonin foshnjën. Zakonisht lindjet bëheshin në shtëpi dhe dita nuk tregohej e saktë. Kishte gra që merreshin me këtë punë. Sipas zakoneve pagane që kanë ekzistuar deri vonë, vjehrra e merrte nusen dhe e lidhte në stallën e bagëtive nga të dyja duart dhe e linte aty të ulërinte e vetme, derisa të lindte”. Kuptohet që, nëse fëmija do të lindte mashkull, festa do “buçiste” edhe më shumë, por edhe në rast se fëmija qe vajzë, gëzimi dhe festa vazhdonin, pasi vinte në botë fëmija i parë për çiftin. Peshqeshet më të mëdha ishin të vajzës nga prindërit e saj, kur lindte fëmja, pas 40 ditësh. Nëna e re, e merrte pjellën e vet dhe e çonte tek familja e saj, për t’u rikthyer pas disa ditësh tek shtëpia e dhëndrit, bashkë me peshqeshe të shumta...

AuLoNa
No rank
No rank

Female
Number of posts : 1002
Location : USA
Humor : Plenty..:)
Registration date : 2009-01-27
Points : 118
Reputation : 33

Back to top Go down

Re: Custom's and Traditions of Vlora Region in Times!/Zakonet dhe Traditat e Zonës së Vlorës në Kohëra!

Post  AuLoNa on Sun Feb 01, 2009 7:05 pm

Keto jane vetem disa studime te percipta qe kane qene ne koherat e vjetra.
Mund te sillni nga rrethet tuaja te dhena te tilla, dhe te hapni tema per c'do rreth me qellim qe te njohim sa me teper rreth traditave tona sado te vjetra apo edhe per te qeshur te jene ato!

Tani e solla kete artikull ketu per ata/ato qe do u mbushet mendja te bashkohen me ndonje nga rrethi i Vlores, ti bejne hesapet mire.
Kjo eshte si ajo Bibla jone si tu themi.(se bej shaka)

AuLoNa
No rank
No rank

Female
Number of posts : 1002
Location : USA
Humor : Plenty..:)
Registration date : 2009-01-27
Points : 118
Reputation : 33

Back to top Go down

Re: Custom's and Traditions of Vlora Region in Times!/Zakonet dhe Traditat e Zonës së Vlorës në Kohëra!

Post  Sponsored content Today at 7:48 am


Sponsored content


Back to top Go down

View previous topic View next topic Back to top

- Similar topics

 
Permissions in this forum:
You cannot reply to topics in this forum