Kuvendi, ndjekje penale ndaj Ramës

View previous topic View next topic Go down

Kuvendi, ndjekje penale ndaj Ramës

Post  Leka on Sat May 16, 2009 8:52 pm

Komisioni Hetimor paraqet fakte dhe prova të pakontestueshme që implikojnë kryebashkiakun në afera korruptive


Kuvendi do t`i kërkojë Prokurorisë së Përgjithshme fillimin e çështjes penale ndaj Edi Ramës për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit në praktikat e dhënies së lejeve të ndërtimit. Në përfundim të punës 3-javore, Komisioni Hetimor parlamentar doli në konkluzionin se, në praktikat e ndjekura nga KRRT-ja e Tiranës për dhënien e lejeve të ndërtimit ka shkelje skandaloze të ligjeve dhe abuzim të hapur me detyrën dhe funksionin publik. Komisioni Hetimor, në raportin përfundimtar të paraqitur gjatë seancës së djeshme, i kërkoi Kuvendit të konstatojë pavlefshmërinë e vendimeve të KRRT-së së Bashkisë së Tiranës më datën 17 prill 2009 dhe të ngarkojë Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive që, në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit, të ndërmarrin masat ligjore sipas ligjit për konfliktin e interesave në ushtrimin e funksioneve publike. Sipas raportit, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka përfituar të paktën 9 milion euro nga korrupsioni me lejet e ndërtimit, duke miratuar në KRRT shumicën e lejeve të ndërtimit për dy studiot e miqve të tij. Komisioni Hetimor për investigimin e praktikave të dhënies së lejeve të ndërtimit në Tiranë, paraqiti dje në Kuvend raportin përfundimtar, në të cilin konstaton shkelje të rënda të ligjit dhe Kushtetutës nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Sipas raportit, studioja e Alban Eftimit ka marrë 158 000 m katrorë ndërtim vetëm për objekte private, që në tërësi përbëjnë një vlerë investimi prej 48 milion eurosh. Raporti konstaton se, sipas modelit të Bashkisë së Tiranës dhe mënyrës se si ajo administron pushtetin e saj, vlera e përfitimit të padrejtë llogaritet në 15% të investimit, duke përfituar rreth 7 milion euro. Po kështu, studioja e Artan Shkrelit ka marrë leje nga KRRT-ja e Tiranës për një sipërfaqe vetëm për objekte private rreth 46 000 metër katrorë, që përbëjnë një vlerë investimi prej rreth 14 milion euro. Duke analizuar vlerën e përfitimit të kësaj studioje si më lart, prej 15% rezulton të jenë përfituar në mënyrë të padrejtë 2 milion euro. Anëtarët e komisionit, pas marrjes në pyetje të anëtarëve të KRRT-së dhe drejtoreshës së Agjencisë së Prokurimeve Publike, kanë arritur në konkluzionin se, bëhet fjalë për shkelje të rënda ligjore, afera korruptive dhe marrje vendimesh në konflikt të hapur interesi. Raporti citon dëshminë e anëtarit të KRRT-së, Marin Biçoku, i cili shprehet se çështjet që do të trajtohen në mbledhjet e KRRT-së miratohen nga Bashkia e Tiranës dhe nënshkruhen nga kryetari i saj, gjë që nënkupton se është Rama ai që vendos se cilat kërkesa për leje ndërtimi të përfshijë në rendin e ditës dhe cilat jo. Ai nënvizon se një nga problematikat që hasen në mbledhjet e KRRT-së është mungesa e transparencës në vendimmarrje. "Është fakt që gazetarët, mediat dhe qytetarët nuk lejohen të marrin pjesë në mbledhjet e KRRT-së, pavarësisht kërkesave, ftesave dhe insistimeve të anëtarëve të KRRT-së", citon më tej raporti anëtarin e KRRT-së.

Bashkia refuzoi dërgimin e informacionit të kërkuar

Raporti përfundimtar i Komisionit Hetimor nënvizon se, Rama ka refuzuar dërgimin e dokumentacionit të kërkuar, duke konsumuar në këtë mënyrë një shkelje shumë të rëndë të Kushtetutës dhe ligjeve të shtetit. Sipas ligjit për komisionet hetimore, organet kompetente që i disponojnë këto të dhëna dhe dokumente janë të detyruara t`ia përcjellin zyrtarisht komisionit, sipas kërkesës së tij. Ky ligj i jep komisionit kompetenca të plota në hetimin e çështjeve objekt i veprimtarisë së tij, duke iu referuar edhe Kodit të Procedurës Penale. Ankimimi në Gjykatën Kushtetuese ndaj ngritjes së Komisionit Hetimor nuk e përjashton Bashkinë e Tiranës nga detyrimi kushtetues dhe ligjor për dërgimin e dokumentacionit të kërkuar. Refuzimi i aksesit mbi këtë dokumentacion cënon rëndë të drejtën e aksesit të të zgjedhurve të popullit mbi veprimtarinë dhe transparencën e organeve shtetërore. Komisioni vlerëson se në përgjigjen e tij, Rama sfidon me shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, institucionin më të lartë në një Republikë parlamentare, Kuvendin e Shqipërisë. Gjithashtu, Komisioni vlerëson se mënyra e sjelljes së kryetarit të KRRT-së dhe anëtarëve të saj, të cilët refuzuan të vijnë të dëshmojnë, përbëjnë në tërësi një veprimtari në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, me qëllim pengimin e funksionimit të veprimtarisë së këtij komisioni.

Analiza ligjore e fakteve të mbledhura

Komisioni, pas mbledhjes së fakteve tronditëse të cituara më lart, kaloi në diskutimin dhe analizën ligjore të këtyre veprimeve të kryetarit të KRRT-së të Bashkisë Tiranë, me qëllim që t'i japë përgjigje pyetjeve të ngritura në fillim të këtij raporti hetimor. Ligji, mbi të cilën bazohet veprimtaria e KRRT së Bashkisë së Tiranës, është Ligji nr.8405, datë 17.09.1998, "Për urbanistikën" i ndryshuar. Në nenin 21, pas paragrafit të parë shtohet një paragraf me këtë përmbajtje: "Vendimet e KRRT-së Tiranë merren me jo më pak se pesë vota pro, përveç rasteve të parashikuara në nenin 20, pika 2, shkronjat 'c' dhe 'dh', për të cilat vendimet merren me jo më pak se 6 vota pro". Nga ana tjetër, është e detyrueshme që jo vetëm KRRT e Tiranës, por të gjitha institucionet shtetërore të vendit duhet të zbatojnë, krahas ligjeve të tjera, edhe një ligj shumë të rëndësishëm, si Ligji nr.9367, datë 07.04.2005, "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike", i ndryshuar. Në interpretim të neneve 3, 4, 37, 38 e 40 të këtij ligji ka një përcaktim të qartë të konfliktit të interesit. "Konflikti i interesit", gjendja e konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesat private të një zyrtari, në të cilën ai ka interesa privatë, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në kryerjen në mënyrë të padrejtë të detyrave dhe përgjegjësive të tij publike. Më tej: "Kryerje në mënyrë të drejtë e detyrave dhe përgjegjësive" është mënyra e kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive, të materializuara në një vendimmarrje, në të cilën zyrtari vepron në përputhje me ligjin, me ndershmëri, paanshmëri, përgjegjësi, përkushtim, në afat, në mbrojtjen në çdo rast, të interesit publik dhe të drejtave të ligjshme të personave privatë, si dhe për ruajtjen dhe forcimin e besueshmërisë e të dinjitetit të institucionit ku punon, të shtetit në përgjithësi dhe të figurës së zyrtarit. Në analizë të këtyre parimeve, Komisioni mund t`i përgjigjet pyetjes së ngritur në fillim të këtij raporti nëse anëtarët e KRRT-së së Tiranës, Eftimi dhe Shkreli, kanë qenë në konflikt të hapur të interesit gjatë vendimmarrjes së tyre. Përgjigjja është e padiskutueshme që po. Anëtarët (të paktën 2) kanë qenë në konflikt të hapur të interesit, ata kanë qenë në "konflikt faktik", pasi ka qenë mëse e dukshme gjendja, në të cilën interesat private të zyrtarëve Alban Eftimi dhe Artan Shkreli kanë ndikuar në kryerjen në mënyrë të padrejtë të detyrave dhe përgjegjësive të tyre zyrtare. Ata kanë mundur që, me ndihmën e kryetarit të KRRT, Edi Rama, të përfitojnë në mënyrë të padrejtë dhe klienteliste jo më pak se 9 milion euro vetëm brenda 2 viteve, pa përfshirë këtu vlerën e projekteve publike, tenderat e së cilëve janë kryer në kundërshtim të plotë të procedurave, ashtu siç u theksua dhe nga dëshmitarët gjatë seancave dëgjimore në Komisionin Parlamentar. Por ky konflikt interesi ka qenë i vazhdueshëm dhe rrezikon të jetë i tillë edhe për shumë kohë, pasi mbrohet në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke nga kryetari i KRRT, Edi Rama. Ligji 7367, datë 07.04.2005, e ka përcaktuar qartë se organi epror, duhet të ndërhyjë për të zgjidhur procesin e konfliktit të interesit (neni 40). Nuk ka ndodhur deri më sot edhe pasi faktet janë bërë publike jo vetëm nga ana e mazhorancës, por edhe vetë anëtarëve të saj në KRRT, ku me arrogancën e përdorimit të pushtetit, Edi Rama ka refuzuar gjithçka dhe ka lejuar që të paktën vetëm gjatë vitit 2009 një studio "Atelier 4" mik dhe anëtar i KRRT së Bashkisë së Tiranës të përfitojë jo më pak se 55% e lejeve të ndërtimit. Por, kur kryetari i KRRT nuk ndërhyn dhe nuk zgjidh këtë konflikt të hapur interesi, në rastet kur me qindra e ndoshta me mijëra studio të tjera në treg nuk mundin të marrin as edhe një leje ndërtimi në KRRT, sepse aty ku ndodhet kryetari i saj, Edi Rama, i cili i jep Eftimit dhe Shkrelit, detyrimisht kjo çështje kthehet në një probem publik të rëndësishëm dhe si i tillë përbën dhe një interes publik. Sipas nenit 34 të ligjit 9367 të ndryshaur, për nevojat e zbatimit të këtij ligji, Autoriteti i Konkurrencës, në përputhje me Ligjin nr.9121, datë 28.07.2003, "Për mbrojtjen e konkurrencës", vlerëson me ose pa kërkesë nëse një shoqëri ka pozitë dominuese në një treg, çështja duhet të hetohet më tej edhe nga ky organ.

Konkluzionet

Në përfundim të hetimeve të kryera, komisioni pasi analizoi provat e mbledhura, faktet dhe rrethanat, dhe pasi i vlerësoi në bazë të Kushtetutës, ligjeve organike dhe procedurave, arriti në këto konkluzione:

a- Lejet e ndërtimit të dhëna nga KRRT e Bashksië Tiranë gjatë periudhës hetimore, janë leje të dhëna në kundërshtim të plotë me Ligjin nr.9367, datë 07.04.2005, "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike", i ndryshuar nenet 3, 4, 37, 38 e 40 të këtij Ligji, pasi të paktën dy prej anëtarëve të KRRT kanë marë leje ndërtimi për projekte të kryera nga studio ku ata vetë janë ortakë.

b- Gjendja e konfliktit të interesit dhe paligjshmërisë nuk ka ekzistuar në mënyrë sporadike, por ajo ka qenë e pranishme pothuajse në të gjithë veprimtarinë e organit administrativ. Kjo gjendje u provua qartë nga dëshmitë dhe dokumentacioni, që iu nënshtrua hetimit parlamentar.

c- Gjendja e krijuar në KRRT e Bashkisë së Tiranës, ku një apo dy studio marrin jo më pak se 55% të lejeve të ndërtimit dhe objekteve private dhe publike, bie në kundërshtim të hapur me Ligjin nr.9121, datë 28.07.2003, "Për mbrojtjen e konkurrencës", pasi shmang në mënyrë shumë të qartë gjithë kompanitë e tjera, duke krijuar një pozitë superdominuese në treg. Nga këto leje prezumohet se janë përfituar në mënyrë të kundraligjshme të ardhura të konsiderueshme në vlerën e jo më pak se 9 milion eurove studio të anëtarëve të KRRT. Për hetime të hollësishme duhet t'i kalojnë Prokurorisë së Përgjithshme. Rezulton se në Bashkinë e Tiranës, janë jo më pak se 360 arkitektë dhe individë dhe 140 studio arkitekture, ndërkohë që në KRRT e Bashkisë së Tiranës vetëm 2 studio arrijnë të përfitojnë shumicën e lejeve të ndërtimit, çka përbën as më shumë e as më pak për shkelje më të rëndë të Ligjit 9121 "Për mbrojtjen e konkurrencës", duke krijuar një superstudio superdominuese.

d- Lejet e ndërtimit të dhëna gjatë periudhës hetimore kanë dalë në kundërshtim me të paktën 3 ligje, që lidhen me njëri-tjetrin, KPRA Ligji "Për urbanistikën" dhe Ligji "Për parandalimin e konfliktit të interesit".

e- Lejet e ndërtimit të dala në datën 17 prill 2009, janë akte administrative të pavlefshme dhe komisioni arrin në konkluzionin se çështja duhet t'i kalojë ILDKP dhe Avokaturës së Shtetit për trajtim më të hollësishëm në përputhje me nenin 40, pika 6, gërma b të Ligjit 9367, datë 07.04.2005, "Për konfliktin e interesave në ushtrimin e funksioneve publike", i ndryshuar.

Për këto arsye, bazuar në nenin 77 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 20 të Ligjit nr.8891, datë 02.05.2002, "Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit", komisioni me vendim përfundimtar, në mungesë të anëtarëve të opozitës, vendosi:

1- T'i propozojë Kuvendit të Shqipërisë të miratojë Raportin e Komisionit Hetimor parlamentar dhe konkluzionet e tij.

2- T'i propozojë Kuvendit të Shqipërisë dërgimin e Raportit të Prokurorit të Përgjithshëm për fillimin e çështjes penale për personat, që eventualisht kanë abuzuar me detyrën dhe funksionimin publik.

3- Të konstatojë pavlefshmërinë e vendimeve të KRRT së Bashkisë Tiranë, në datën 17 prill 2009 dhe të ngarkojë Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive, që në bashkëpunim e Avokaturën e Shtetit, të ndërmarrin masat ligjore në përputhje me nenin 40, pika 6, gërma b të Ligjit 9367, datë 07.04.2005, "Për konfliktin e interesave në ushtrimin e funksioneve publike", i ndryshuar.

_________________



http://www.arberiaonline.com/


Leka
Moderator
 Moderator

Male
Number of posts : 334
Registration date : 2009-01-27
Points : 64
Reputation : 20

Back to top Go down

View previous topic View next topic Back to top


 
Permissions in this forum:
You cannot reply to topics in this forum