Rezistenca shqiptare kundër coptimit të 1913 që mungon në librat e historisë

View previous topic View next topic Go down

Rezistenca shqiptare kundër coptimit të 1913 që mungon në librat e historisë

Post  ZEUS10 on Sun May 03, 2009 4:06 pm

Është e pafalshme që në tekstet e Historisë së Shqipërisë, veç mangësive të tjera, mungon edhe paraqitja e rezistencës luftarake shqiptare përkundër coptimit të territoreve e popullsisë shqiptare nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër
DOSJE nga URAN BUTKA
(Në dritën e dokumenteve serbe)
Është e pafalshme që në tekstet e Historisë së Shqipërisë, veç mangësive të tjera, mungon edhe paraqitja e rezistencës luftarake shqiptare përkundër coptimit të territoreve e popullsisë shqiptare nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, si edhe përkundër pushtuesve të huaj dhe masakrave të tyre barbare gjatë vitit 1913.
Pas përpjekjes diplomatike të delegacionit shqiptar të kryesuar nga Ismail Qemali më 1913 në disa vende evropiane dhe memorandumeve të trevave shqiptare që kishin mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë, në shtator të vitit 1913 shpërtheu në Dibër kryengritja kundër pushtimit serb, që u përhap edhe në treva të tjera shqiptare.
Nga ana tjetër, kryeministri serb Pashiq u deklaronte autoriteteve qeveritare të Austro-Hungarisë dhe Italisë se, qeveria e tij ishte e gatshme t'i pranojë vendimet e marra në Londër e t'u bindej atyre, ndërsa nga ana tjetër urdhëronte pushtetarët e vet si dhe bandat e ndryshme të komitëve serbë që të depërtonin në thellësi të Shqipërisë, ku bënin masakra të papara. Ajo ishte ndërhyrje e pashembullt në punët e brendshme të shtetit të ri, me qëllim shkatërrimin e shtetit të posakrijuar shqiptar
Kryengritja e Dibrës e vitit 1913
Situatë kritike paraqitej sidomos në lindje të kufijve të Shqipërisë, si në Dibër e në Liqenin e Ohrit. Në ato anë, tashmë kishin filluar aksionet e çetave dhe të grupeve të tjera të rezistencës, rreth mesit të shtatorit të vitit 1913 filloi kryengritja e rrufeshme. Kryengritësit shqiptarë i zunë në befasi forcat ushtarake e policore serbe dhe shumë shpejt aksionet çlirimtare morën pamjen e një ofensive të përgjithshme për t'i çliruar qytetet e rëndësishme shqiptare. Kryengritësit shqiptarë ia mësynë Dibrës, Strugës, Ohrit, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës dhe në veri Gjakovës e Prizrenit.
Kryengritësit shqiptarë depërtuan në katër drejtime: së pari, ia filloi grupi çlirimtar nga Qafë-Thana për Strugë, Ohër, Resnjë e më tej; drejtimi i dytë nga Ura e Arasit, Peshkopi, Dibër, Gostivar; i treti nga Ujmishti kah Bicaj, Vranishti, Prizreni dhe Dukagjini, kurse pjesa e katërt e kryengritësve shqiptarë u tubua nga rrethi i Krasniqes dhe i Gashit në drejtim të Gjakovës. Forcat kryengritëse arrinin numrin rreth 12 000 vetë. Depërtimi, sidomos nga Dibra, ishte i fuqishëm dhe i përgatitur mjaft mirë nga të dëbuarit dibranë. Më 17 (29) shtator 1913, çlirohet Dibra me rrethinat e saj. Kështu, lëvizja e armatosur e cila deri atëherë kishte pasur karakter spontan, pas gjysmës së shtatorit 1913 mori përpjestime të gjera nga Dibra, ku u hoq flamuri serb dhe u ngrit flamuri shqiptar. Ushtria dhe policia serbe u detyruan të tërhiqeshin nga Struga dhe nga Ohri dhe të përballonin furinë e kryengritësve shqiptarë mbi Tetovë e Gostivar. Forcat kryengritëse, të cilat e çliruan Dibrën dhe që operonin në rrethinë, numëronin afër 3 000 vetë. Pas një ballafaqimi me kryengritësit, ushtria serbe dhe nëpunësit u tërhoqën në panik. Gazeta "Ozbor" e Zagrebit shkruante se, kryengritja si duket është e organizuar mirë, andaj në luftimet e Dibrës ka rreth 1 000 të vrarë, janë zënë robër 300 ushtarë serbë dhe material i shumtë luftarak.
Lufta në drejtim të Prizrenit u zhvillua nga 18 (30) shtatori deri më 22 shtator, gjegjësisht katër tetor 1913. Në ato luftime morën pjesë rreth 2 000 kryengritës. Të dy palët patën humbje të konsiderueshme: me qindra të vrarë e të plagosur. Ushtria pushtuese serbe u detyrua të tërhiqej deri afër Prizrenit. Në krye të kryengritësve u dalluan, veç të tjerëve, edhe Ramadan Zaskoci e Qazim Lika. Kryengritësit shqiptarë shpresuan se do të ndihmohen më shumë nga vëllezërit e tyre në prapavijë. Sipas shtypit, lëvizje pati edhe në drejtim të Tuzit, të Hotit, të Grudës dhe të Gucisë. Kryengritja e vitit 1913, për shkak të përmasave të një fronti të gjerë që kishte, nga shtypi i kohës u quajt edhe Lufta e Tretë Ballkanike.
Për rrethanat dhe shkaqet e kryengritjes "Radniçke novine" e datës 29.09.1913 shkruante: "Shkaku kryesor i të gjitha vështirësive prej të cilave vuajmë sot dhe prej të cilave do të vuajmë shumë në të ardhmen qendron në faktin se kemi hyrë në tokë të huaj".
Me rastin e çlirimit të Dibrës me rrethinë, është shkruar një raport i gjatë prej 44 faqesh nga përfaqësuesi serb, Qirkoviç, ku veç të tjerash shkruan se me rastin e hyrjes së kryengritësve në Dibër, organizimi dhe disiplina e tyre ishin për lakmi, dhe se kryengritësit kishin përkrahjen e madhe nga populli i Dibrës me rrethinë. Si udhëheqës më të njohur të kësaj ane përmenden: Elez Isufi nga Luznia e Dibrës së Poshtme, vëllezërit Kaloshi dhe Dema, Sefedin Pustina, etj. Ndaj të plagosurve dhe të zënëve robër, kryengritësit shqiptarë janë sjellë në mënyrë humane, konkludonte Qirkoviçi. Nga dokumentacioni i shumtë kuptohet se, kryengritësit shqiptarë zhvilluan një luftë, për çlirimin e territoreve të okupuara, për liri e pavarësi, pse jo edhe për çlirimin e gjysmës tjetër të pushtuar nga Serbia e Mali i Zi.
Hyrja dhe çlirimi i disa qyteteve shqiptare në Shqipërinë Lindore nga ana e kryengritësve, e tronditi qeverinë serbe. U morën masa të shpejta në dërgimin e ushtrisë prej 20 deri 40 mijë vetash për shuarjen e kryengritjes, meqë Serbia shprehu frikë nga zgjerimi i saj në të gjitha territoret shqiptare të pushtuara gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Për shkak të kryengritjes, qeveria serbe i thirri përsëri oficerët që kishte lëshuar në pushim dhe ushtarët e kategorisë së dytë. Ajo kishte dhënë urdhër që meshkujt nën moshën 45-vjeçare të mos largoheshin jashtë kufijve të Serbisë.
Kryengritësit e udhëhequr nga Bajram Curri dhe Isa Boletini zhvilluan luftime të ashpra me ushtrinë serbe. Pas rreth dy jave luftimesh në drejtim të Gjakovës, kryengritësit u detyruan të tërhiqen drejt Malësisë me humbje të konsiderueshme, me ç'rast pësuan sidomos fshatrat dhe popullsia e pafajshme.
Për qëllimet gjenocidale të Serbisë ndaj popullit shqiptar merret vesh nga dokumenti i një komiti serb, që i drejtohet vetë kryetarit të Parlamentit, Andre Nikoliçit, më 30 nëntor 1913, në të cilin veç të tjerash shkruan: "Kam ardhur nga Shqipëria, ku kam qendruar 7 javë me çetën prej 26 vetave. Sa i përket mundit nuk kemi kursyer asgjë, por i kemi kryer urdhërat në mënyrë shembullore. Njëkohësisht po ju informojmë se kudo ku ka kaluar ushtria jonë është djegur çdo gjë". Kështu, vetëm në Lumë thuhej se janë pushkatuar e masakruar 700 gra dhe fëmijë. Luma kishte gjithsej rreth dymijë të vrarë gjatë muajve shtator-tetor. Vrasje dhe masakrime ka pasur edhe në fshatra e qytete të tjera shqiptare, si në: Kërçovë, Strugë, Gostivar, Ohër etj. Ndërsa, për Dibrën me rrethinë dhe Lumën gjatë shtypjes brutale të kryengritjes, janë lënë shënimet për dëmet dhe shkatërrimet e çdo fshati në gazetën "Liri e Shqipërisë" dhe "Kalendari Kombiar" në Sofje më 1914. Kështu, p.sh. qyteti i Dibrës, diku me 18-20 mijë banorë, në fund të vitit 1913 kishte mbetur vetëm me 2 000 banorë, por edhe ky numër i vogël që kishte mbetur po vdiste nga uria. Ngjarje të tmerrshme ndodhën edhe në Kërçovë e rrethinë, në Krushevë, në Peshkopi e shumë vende të tjera. Nga dokumentacioni kuptohet se ato ngjarje ishin vërtetë të dhimbshme e tragjike. Andaj, shtypja brutale e kryengritjes e shpejtoi krizën e tendosur ballkanike e evropiane. Berhtoldi, ministër i Jashtëm austro-hungarez, më 1 më 17 tetor 1913 i dërgoi qeverisë serbe një notë verbale në formë ultimatumi, me anën e së cilës kërkohej që ushtria serbe brenda tetë ditësh të lëshonte territorin e Shqipërisë. Qeveria e Vjenës mori pëlqimin e Gjermanisë dhe të Italisë për një hap të tillë. Parashikoheshin komplikime të reja midis blloqeve kundërshtare.
Ambasadori rus në Beograd, Hartvig, pati disa takime me Pashiqin dhe pikërisht pas kësaj më 20 tetor, Qeveria serbe e mori vendimin për t'i tërhequr trupat brenda afatit të caktuar prej tetë ditëve. Po atë ditë, përfaqësuesi i Serbisë në Vjenë i solli Berhtoldit përgjigjen e qeverisë së tij lidhur me ultimatumin e 17 tetorit, e cila përmbante sigurimin për tërheqjen e trupave serbe këndej vijës kufitare të caktuar në Londër. Ushtria serbe duhej ta përfundonte tërheqjen më 26 tetor në orën 10 paradite. Serbia u detyrua ta tërheqë ushtrinë pushtuese nga Shqipëria dhe njoftoi një ditë para afatit të kalimit të kohës së ultimatumin se i kishte tërhequr të gjitha trupat në vijën kufitare të caktuar në Londër më 22 mars 1913. Mendohej se ultimatumi dërguar Serbisë nuk ishte kërcënim vetëm për të, por edhe për Rusinë dhe fuqitë e tjera që e përkrahën.
Pra, synimi i udhëheqësve të kryengritjes së vitit 1913, veç të tjerash ishte për ta detyruar diplomacinë evropiane që të rikthehej në vendimet për kufijtë meqë shqiptarët ishin në ankth për humbjen e territoreve të gjysmës së Shqipërisë.
(vazhdon)


Last edited by ZEUS10 on Sun May 03, 2009 4:08 pm; edited 1 time in total

_________________

The only thing necessary for the triumph of evil is for good men to do nothing

ZEUS10
King
King

Male
Number of posts : 712
Location : CANADA
Humor : Great, the lightning during the anger greater.
Registration date : 2009-01-27
Points : 150
Reputation : 53

http://www.zeus10.com

Back to top Go down

Re: Rezistenca shqiptare kundër coptimit të 1913 që mungon në librat e historisë

Post  ZEUS10 on Sun May 03, 2009 4:07 pm

(vijim)
Shpirti i kryengritjes së muajve shtator-tetor të vitit 1913 ishin të dëbuarit shqiptarë të vilajetit të Kosovës dhe atij të Manastirit, në krye të të cilëve ishin Hasan Prishtina, Isa Boletini, Elez Isufi, vëllezërit Kaloshi, Bajram Curri, etj., të cilët synonin bashkimin e Kosovës, të Dibrës, etj., me Shqipërinë e Pavarur të pranuar në Konferencën e Londrës. Prandaj, megjithë humbjet e konsiderueshme të popullit shqiptar, duke bërë përpjekje për liri dhe pavarësi kombëtare, kryengritja shqiptare u bë faktori kryesor që e detyroi ushtrinë pushtuese të fqinjëve, të tërhiqej nga Shqipëria e pranuar në Konferencën e Londrës. Andaj themi se, Kryengritja e vjeshtës së vitit 1913 ishte ngjarja e fundit e krizave ndërshtetërore ballkanike dhe evropiane para se të fillonte kataklizma e Luftës së Parë Botërore.
Me gjithë pësimet, Kryengritja e vitit 1913 bëri me dije se, të gjitha ato qytete e fshatra të përfshira në flakën e luftës dhe dhjetëfish më tepër territore të mbetura në prapavijë, ishin tokë historike dhe etnike shqiptare. Deshën apo nuk deshën pushtuesit serbë, çështja shqiptare pas kryengritjes së vitit 1913 u bë edhe më tepër çështje ndërkombëtare. Pra, udhëheqësit dhe kryengritësit shqiptarë në shtator dhe tetor të vitit 1913 bënë një akt patriotik, duke shprehur një atdhedashuri të madhe për territoret e tyre të grabitura nga Serbia e Mali i Zi, megjithëse ishte një moment jo i përshtatshëm ndërkombëtar, pasi që askush nuk e përkrahu.
Kryengritja antiserbe e viti 1913 është përpjekja e parë e organizuar kundër vendimeve absurde të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, e cila rezultoi me krijimin e kufijve kolonialë për shqiptarët. Ajo e bëri të qartë para opinionit ndërkombëtar se kurrë nuk do të ketë qetësi derisa të mos bashkohen gjymtyrët e shkëputura nga trupi i Shqipërisë.
Udhëheqësit e kryengritjes antiserbe në shtator-tetor 1913 e dinin mirë se bashkimi i territoreve shqiptare në një shtet kombëtar ishte një e drejtë e patjetërsueshme, të cilën e gëzonin të gjithë popujt e Ballkanit dhe të Evropës. Rrjedhimisht, nuk kishin pse të mos e kërkonte dhe pse të mos ta gëzonte edhe kombi shqiptar.
Beteja e Petrinjës
Popullsia e fshatrave rreth Liqenit të Ohrit, u bashkua me kryengritësit që vinin nga Dibra. Në Strugë e rrethina u krijuan çetat kryengritëse, si ajo e Avdulla Gojëdrinit, Demir Lenës, Riza Ajros e të tjera. Kryengritësit mbajtën një tubim historik tek vendi që quhet "Plepat e Teferiçit", ku morën pjesë përfaqësuës nga Ohri, Prespa e Struga, midis tyre edhe Milan Mato nga Struga, Riza Ajro, Demir Lena dhe Emro Sinani, nga Ladorishti. Komandant u zgjodh Riza Ajro dhe nënkomandant Demir Lena
Rizai u thotë të tubuarve: "Duhet t'i biem serbit. Dibra e ndoqi deri në Strugë, ne duhet ta ndjekim më tutje". Demir Lena, që kishte mbledhur shumë luftëtarë dhe që disa prej tyre nuk ishin të armatosur, iu përgjegj: "S'kemi armë dhe fishekë". "Më duket se u trembe, Demir!"- i tha Rizai. Demiri që ishte më tepër ushtarak dhe e kishte mbajtur kurdoherë dogranë majë krahit, ia priti: "Me serbin nuk luftohet me fjalë. T'i gjejmë armët njëherë, se për këtë ditë na duhen, mandej nisemi". Dhe kështu bënë. Fshatarët i nxorrën armët e municionet e fshehur, kush një kollan e kush një torbë me fishekë dhe u gatitën për luftë. Njësia e armatosur e mori emrin Taborri i Strugës. Luftëtarët u hodhën në ndjekje të regjimentit XVI të ushtrisë serbe dhe çliruan krejt trevën e Strugës dhe të Ohrit.
Serbia mobilizoi forca të mëdha ushtarake të regjimenteve IX, XI dhe XVII me mëse 60.000 ushtarë dhe sulmoi në tre drejtime: Prizren-Lumë; Tetovë-Gostivar-Mavrovë-Dibër; Manastir-Resnjë-Ohër-Strugë.
Shqiptarët u organizuan për mbrojtje. Qeveria e përkohshme e Dibrës caktoi komandant të mbrojtjes në trevën e Strugës, Milan Maton. U bënë disa luftime të përgjakshme. Por beteja më e madhe ishte ajo e Petrinjës.
Në këtë mal zunë vend forcat kombëtare me çetat e Irfan bej Ohrit, Milan Matos, Riza Ajros, Demir Lenës, Dan Canës e të tjera. Këto forca mbështeteshin nga Prefekti i Elbasanit, Aqif pashë Elbasani. Forcat e ushtrisë serbe sulmuan në të gjithë vijën e frontit, pasi gjuajtën me artileri. Beteja u zhvillua e ashpër nga data 28 shtator deri më 2 tetor 1913.
Luftimet më të përgjakshme u bënë në Qafën e Bukovës, ku ishte vendosur çeta e Demir Lenës. Këtë qafë donin ta merrnin me çdo kusht serbët, por Demir Lena dhe luftëtarët e tij qëndruan trimërisht për pesë ditë e net resht. Ndërkohë, ushtrisë serbe i erdhi në ndihmë një forcë e re. Po Demir Lena me ladorishtarët nuk u thye. Çdo plumb i tyre binte në shenjë. Ditën e pestë të betejës, luftëtarëve iu mbaruan municionet. Demir Lena kishte pasur të drejtë. Ushtria serbe e armatour rëndë mundi ta shpërthente mbrojtjen në Petrinjë në 2 tetor. Luftëtarët shqiptarë u tërhoqën gjatë natës. Prej tyre, mbetën të vrarë shtatë burra ladorishtarë:
Baftjar Ajro, Nurimehmet Hoxha, Elez Ajro, Halil Klenja, Bilal Çollaku, Maksut Ajro dhe Zylyftar Klenja.
U plagosën: Riza Ajro, Demir Lena, Hamza Coma, Banush Coma e mjaft të tjerë.
Nga ushtarët serbë u vranë rreth 500-600 vetë.
Kryengritësit u tërhoqën drejt Strugës dhe zunë vend në vijën Vishnje-Belicë-Ladorisht- Rajcë. Demir Lena, i plagosur në bark, kaloi me mundim me pak shokë nga Shën Naumi dhe doli në Pogradec, në shtëpinë e patriotit të shquar Jashar bej Starova, ku u mjekua dhe u bashkua sërish me luftëtarët e tjerë në Ladorisht. Më 2 tetor u zhvilluan luftime afër Salikes dhe në fshatin Ladorisht. Ladorishtarët e vazhduan luftën deri në datën 7 tetor. Gjatë qëndresës u vranë shumë prej tyre. Te Gryka e Merasë, afër plepave, serbët therën shumë banorë të fshatit dhe i hodhën në hendek si Bilal Çollakun, Maksut Ajron, Zylyftar Klenjën e të tjerë. Hajdar Ajron, serbët e prenë me sopatë në Strugë. E motra me bashkëshortin e saj, e morën në një thes dhe e varrosën në kopshtin e Demir Ajros.
Hakmarrja serbe kundrejt luftëtarëve dhe familjeve të tyre ishte e tmerrshme. Një genocid i përgjakshëm dhe një spastrim etnik i paparë. Në ditët e para të tetorit 1913, mbreti i Serbisë, Pjetri, lëshoi një dekret që meshkujt shqiptarë nga 7-70 vjeç të likuidoheshin për pjesëmarrje në kryengritje.
Në Ohër, 40 qytetarët më të njohur, i therrën dhe i hodhën në pusin e kalasë, që u quajt "Pusi i gjakut". Fshati Bukovë u zhduk nga faqja e dheut. Në Strugë vranë e burgosën pa gjyq me qindra shqiptarë, që kishin marrë pjesë në kryengritje, por edhe njerëz të pafajshëm. "Dora e zezë" dhe "Narodna Odbranes" bënë kërdinë tek shqiptarët e pambrojtur.
Ja ç'shkruan në një letër drejtuar familjes një ushtar serb:
"Këtu ndodhin gjëra të tmerrshme. Mua më rriqethën flokët dhe gjithnjë pyes veten: a mund të jetë njeriu kaq barbar? Kjo është e lemerishme. S'guxoj dhe nuk kam kohë të shkruaj më gjerësisht. Kudo kufoma, hi dhe pluhur. Ka fshatra me 100, 150 e 200 shtëpi, ku nuk ka mbetur njeri i gjallë. I mbledhin njerëzit grupe-grupe dhe i masakrojnë me bajoneta…"
Sipas të dhënave statistikore që jep Komisioni Ballkanik, shpërnguljet e dhunshme të shqiptarëve nga trojet e tyre janë alarmante. Vetëm për në Selanik u shpërngulën 135.000 vetë. Për në Shqipëri e Turqi edhe më shumë. Për në Bullgari 50.000. U shkretuan 180 fshatra me 10.934 shtëpi.
Koloneli austro-hungarez, Mitzel, anëtar i komisionit të caktimit të kufijve lindorë e verilindorë, në ditarin e tij të datës 29 tetor 1913, shkruan: "Në fshatin Ladorisht, komisioni për caktimin e kufijve u ndal aty nga mesi i tetorit 1913, kur para syve të anëtarëve të komisionit u shfaq një pamje e tmerrshme: Nga 320 shtëpi që ka pasur Ladorishti, 300 prej tyre ishin djegur nga serbët dhe nga 1500 banorë që ka pasur ky fshat, kishin mbetur vetëm 100 vetë" (nga Ditari i kolonelit Mitzel, dt. 29 tetor 1913. AIH.)
Pjesa më e madhe e luftëtarëve të Taborit të Strugës kaluan në Shqipëri. Demir Lena me shokë shkuan në Bërzeshtë të Librazhdit dhe u vendosën në shtëpinë e atdhetarit Shaban Blloshmi, mik i Demir Lenës. Ndërsa, Riza Ajro emigroi në Turqi, ku edhe vdiq në vitin 1938. Theksojmë këtu edhe rolin tradhëtar të Esat Toptanit, mbështetës i pushtuesve serbë, me të cilët ishte në marrëveshje. Ai ktheu 13 burra nga treva e Strugës, që kishin kaluar në Shqipëri dhe ua dorëzoi autoriteteve serbe, që pasi i torturuan, i dogjën të gjallë.

_________________

The only thing necessary for the triumph of evil is for good men to do nothing

ZEUS10
King
King

Male
Number of posts : 712
Location : CANADA
Humor : Great, the lightning during the anger greater.
Registration date : 2009-01-27
Points : 150
Reputation : 53

http://www.zeus10.com

Back to top Go down

View previous topic View next topic Back to top


 
Permissions in this forum:
You cannot reply to topics in this forum