ARBËNIA
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Gjuha shqipe në shërbim të neuroradiologjisë

Go down

Gjuha shqipe në shërbim të neuroradiologjisë Empty Gjuha shqipe në shërbim të neuroradiologjisë

Post  Anxhi Fri Apr 24, 2009 9:25 pm

[SIZE="3"][color:397c="Indigo"]Gjuha shqipe në shërbim të neuroradiologjisë

Altin Stafa
Mjek Neuroradiolog
Bologna, Itali

“Eshtë e bukur ajo gjuhë që të ndihmon të shprehësh ndjenja fisnike…” (Anonime)

Kurioziteti që mbartin në vetvete të ashtuquajturat “gjuhë të vogla”, i ka shtyrë gjithmonë gjuhëtarët dhe antropologët të rrëmojnë në thellësitë e tyre fonetike dhe semantike. Por çfarë ndodh kur është vetë gjuha ajo që “gërmon” në thellësi të mekanizmave fiziologjike e nervore të cilët e shndërrojnë atë nga një grup tingujsh në një flamur të llojit fisnik Homo sapiens? Çfarë ndodh në këndet e fshehtë të trurit të njeriut kur ai dëgjon një gjuhë që nuk e kupton? Si reagon korja e trurit të tij?
Literatura neurofiziologjike bashkëkohore është mjaft e pasur në këtë fushë dhe horizontet e saj po bëhen gjithonë e më të largët… Deri këtu, asgjë e re. Risia qendron gjetkë: ndoshta për të parën herë, në një studim shkencor që mbart vlerën e një eksperimenti të vërtetë, shkenca mjekësore nën drejtimin e mjekëve neuroradiologë, thërret në ndihmë gjuhën shqipe!
Qëllimi: Përcaktimi me saktësi i zonave funksionale të kores së trurit (korteksi cerebral) që janë përgjegjëse për dekodifikimin gjuhësor, edhe në rastin e gjuhëve të panjohura.

[color:397c="Indigo"]Vlera shkencore: Kompletimi dhe konfirmimi i “hartës” funksionale të trurit.

Vlera klinike: Përgatitja e një strategjie të sigurtë preoperative, për t’i dhënë neurokirurgut mundësinë të ruajë të paprekura zonat e rëndësishme, gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në pacientët me dëmtime të trurit, sidomos tumore.
Ky ishte një ndër objektivat e studimit të ekipit të mjekëve neuroradiologë të Departamentit të Neuroshkencave në Spitalin Bellaria të Bolonjës, Itali, nën drejtimin e Prof. Marco Leonardi dhe Dr. Raffaele Agati. Për t’i paraqitur sa më qartë lexuesit jo specifik këtë argument të ndërlikuar, është i domosdoshëm një spjegim i thjeshtuar i pjesës teknike.
Dihet prej kohësh që truri i njeriut, dhe veçanërisht korteksi cerebral, është i organizuar në zona të caktuara, secila prej të cilave përgjegjëse për një proçes të veçantë: të parit, të ecurit, të folurit, të dëgjuarit, të kuptuarit etj. (Fig.1)

Gjuha shqipe në shërbim të neuroradiologjisë Fig1d

Objektivi i studimeve të këtij lloji, të shumta gjatë viteve të fundit, është ai i identifikimit të secilës zonë dhe të proçesit përkatës. Cila është zona përgjegjëse për një proces të caktuar? Si është e mundur t’i jepet përgjigje kësaj pyetjeje? Teknika që merr përsipër këtë detyrë është Rezonanca Magnetike Funksionale - RMF (fMRI – Functional Magnetic Resonance Imaging).
I gjithë truri i njeriut përshkohet nga një rrjet i dendur kapilarësh që furnizojnë me oksigjen neuronet, qelizat e trurit. Kur kryhet një proces i caktuar, p.sh. lëvizja e dorës, zona përgjegjëse në koren e trurit kërkon më shumë gjak për atë kohë aktivizimi. Gjaku që arrin në këtë rast (aktivitet me ritëm të lartë), mbart më tepër oksigjen në krahasim me fluksin e furnizimit në gjendje prehjeje (aktivitet me ritëm të ulët). Oksigjeni që kalon pranë neuroneve aktive mbartet nga hemoglobina. Në bazë të sasisë së oksigjenit, hemoglobina ndryshon orientimin e saj në brendësi të fushës magnetike gjatë ekzaminimit RMF. Pra, jemi në gjendje të dallojmë hemoglobinën me oksigjen nga ajo pa oksigjen. E, ky është edhe çelësi i këtij studimi.

[color:397c="Indigo"]Si zhvillohet eksperimenti?

Kryhet një ekzaminim cerebral RMF, tek një vullnetar në gjendje qetësie (prehjeje, me dorën të palëvizur). Më pas, kryhet i njëjti ekzaminim gjatë lëvizjes së dorës (lëvizje e përsëritur për 30 sekonda). Në fund, me anë të programeve kompjuterike të posaçme, kryhet një proces i ngjashëm me zbritjen aritmetike: nga imazhi i dytë hiqet imazhi i parë. Rezualtati është një zonë e vogël e “ndriçuar” nga një sinjal me intesitet më të lartë. Kjo është zona përgjegjëse për lëvizjen e dorës.
E njejta logjikë dhe e njejta strategji mund të përdoret për të identifikuar vendndodhjen e neuroneve përgjegjëse edhe për shumë proçese të tjera, p.sh. për proçesin e të kuptuarit dhe dekodifikimit të gjuhës së folur. Ja njera nga provat e kryera nga mjekët neuroradiologë të Spitalit Bellaria në Bolonja, Itali, gjatë studimit të tyre. Gjatë ekzaminimit RMF, një vullnetari italian iu lexua një tekst në italisht dhe më pas një tekst në një gjuhë të panjohur për të, në shqip.
Legjenda e vjetër e Kostandinit dhe Doruntinës, simbol i lashtë i besës shqiptare, jehoi për pak minuta brenda tunelit të ftohtë të aparaturës së rezonancës magnetike… Dhe ndonëse vullnetari italian i përqendruar për të perceptuar ndonjë fjalë gjysëm të njohur, nuk arrinte të imagjinonte trokthin e pluhurt të kalit të Kostandinit, rezultati përfundimtar ishte befasues.
Eshtë e njejta zonë cerebrale që aktivizohet si gjatë dekodifikimit të gjuhës së njohur ashtu edhe gjatë tentativës për të dekodifikuar një gjuhë të panjohur! (Fig.2 dhe Fig.3)

Gjuha shqipe në shërbim të neuroradiologjisë Fig2k Gjuha shqipe në shërbim të neuroradiologjisë Fig3

Fig. 2 - Aktivizimi cerebral kortikal gjatë dëgjimit italisht
Fig. 3 - Aktivizimi cerebral kortikal gjatë dëgjimit shqip

Struktura cerebrale përgjegjëse për dekodifikimin e kodit gjuhësor lokalizohet në lobin temporal të hemisferës cerebrale dominante: majtas për personat që përdorin dorën e djathtë dhe djathtas për mëngjarashët. Kjo strukturë, e njohur me emrin Zona 41 Brodmann, bashkëpunon me një tjetër zonë, Zona Wernicke ose Zona 42 Brodmann, e cila merret me logjikën sintaksore dhe interpretative të fjalisë.
Janë pikërisht këto dy zona që aktivizohen si në rastin e dekodifikimit të një gjuhe të njohur, ashtu edhe në përpjekjen për të dekodifikuar një gjuhë të panjohur. Ky rezultat ka një rëndësi të veçantë klinike. Tek pacientët e prekur nga tumorët cerebralë, gjatë përgatitjes së strategjisë së ndërhyrjes neurokirurgjikale, është e rëndësishme njohja e saktë e rrugës që duhet ndjekur për të bërë të mundur heqjen e tumorit, pa dëmtuar zonat funksionale të papushtuara nga tumori. Në këtë mënyrë, ndërlikimet pas operacionit janë më të pakta dhe rezultatet më pozitive. Studimi i ekipit të neuroradiologëve të Spitalit Bellaria të Bolonjës, përfshiu një numër të madh zonash funksionale (lëvizje, dëgjim, prekje, etj.). Rezultatet e këtij studimi janë duke iu paraqitur këto ditë komunitetit shkencor ndërkombëtar. Për rëndësinë klinike që ky studim paraqet dhe, pse jo, për kënaqësinë e natyrshme që të jep prezantimi i gjuhës nënë në burimet e shkencës bashkëkohore, autori i këtij artikulli, si mjek dhe si shqiptar, ndihet krenar për bashkëpunimin me këtë ekip mjekësh neuroradiologë.

“Gjuha jonë, sa e mirë…!”

_______________________________________

P.S. Ky artikull u mendua dhe u shkrua për një grup lexuesish jo specialistë në fushën e neurofiziologjisë dhe të neuroradiologjisë dhe ka për qëllim informacionin e përgjithshëm. Për më shumë informacione teknike, më poshtë renditen disa nga zërat e shumtë bibliografike që trajtojnë këtë argument në mënyrë të detajuar.
D. Cevolani, R. Agati, L. Albini Riccioli, S. Battaglia, H. Hacker, M. Leonardi: Pre-Surgical Use of Functional Paradigms in Brain fMRI Mapping: Our Initial 3 T Experience, Rivista di Neuroradiologia, Volume 17, December 2004, p. 836.
B. Hakyemez, C. Erdogan, N. Yildirim, I. Bora, A. Bekar, M. Parlak: Functional MRI in Patients with Intracranial Lesions near Language Areas, The Neuroradiology Journal, Volume 19, June 2006, p. 306.
Christoph Stippich: Functional magnetic resonance imaging (fMRI) of language and visual cortex, Rivista di Neuroradiologia, Volume 16/Sup. 3, September 2003, p.15.
G. Basso, M.L. Gorno-Tempini, G. Calandra-Buonaura, M. Serafini,
G. Pagnoni, L. Mavilla, C.A. Porro, P. Baraldi, P.F. Nichelli mezzo di un compito di decisione lessicale Functional Localization
of Language Brain Areas by Means of a Lexical Decision Task, Rivista di Neuroradiologia, Volume 13, February 2000, p. 139.
R. Schlösser, S. Hunsche, J. Gawehn, H. Böcher-Schwarz, A. Perneczky, G. Gründer, P. Stoeter: fMRI Activation Paradigms for the Evaluation of Language Areas in the Human Brain Stability and Clinical Applications, Rivista di Neuroradiologia, Volume 11/Sup 2, November 1998, p. 162.
P.M. Matthews: Brain Plasticity and Clinical Applications of fMRI, Rivista di Neuroradiologia, Volume 18, August 2005, p. 493.
Tharin S., Golby A.: Functional brain mapping and its applications to neurosurgery, Neurosurgery. 2007 Apr. 60 (4 Suppl 2): 185-201; discussion 201-2.
Lee A., Kannan V., Hillis A.E.: The contribution of neuroimaging to the study of language and aphasia. Neuropsychol. Rev. 2006 Dec. 16 (4): 171-83.
Smits M., Visch-Brink E., Schraa-Tam C.K., Koudstaal P.J., van der Lugt A.: Functional MR imaging of language processing: an overview of easy-to-implement paradigms for patient care and clinical research. Radiographics. 2006 Oct. 26 Suppl 1: S145-58.[/SIZE]
Anxhi
Anxhi
Regular Member
Regular Member

Female
Number of posts : 53
Registration date : 2009-02-10
Points : 24
Reputation : 17

Back to top Go down

Back to top

- Similar topics

 
Permissions in this forum:
You cannot reply to topics in this forum