Qyteti i biçikletave, Shkodra vazhdon të ruajë emrin

View previous topic View next topic Go down

Qyteti i biçikletave, Shkodra vazhdon të ruajë emrin

Post  ^_BIM_BUM_BAM_^ on Fri Apr 03, 2009 9:21 am

Është vështirë të shkosh në qytetin verior dhe mos të të bëjnë përshtypje vendet e shumta të "parkimit" të biçikletave. Madje, në një takim të parë, mund të lexosh: "Lokali nuk mban përgjegjësi nëse biçikleta vidhet". Por "parkime" të tilla nuk ndodhen vetëm pranë lokaleve, por edhe zyrave, institucioneve, hoteleve luksoze, kudo. Duket si një "petk" për Shkodrën, një tjetër veçanti e saj...


SHKODËR - Në gazetën lokale të para vitit 1990 "Jeta e Re", në maj 1981, autori Agim Parruca shkruante: "Është llogaritur që në rrugët kryesore të qytetit nga ora 06:00 e mëngjesit deri në 18:00 të darkës, në çdo seksion të rrugëve qarkullojnë rreth 1 000 biçikleta në orë.

Kjo është arsyeja që Shkodrës i thonë "Qyteti i biçikletave". Por, ndërsa është i padiskutueshëm fakti që para ardhjes së demokracisë dhe lejimit të përdorimit të mjeteve motorike private, Shkodra mbante numrin më të madh të përdoruesve të biçikletës në vend, duket se edhe në demokraci, pozicionimi nuk ka ndryshuar. Aktualisht në këtë qytet ka mjaft pika tregtimi biçikletash të llojeve e madhësive të ndryshme, përfshirë edhe ato për fëmijë.

Në fakt, janë mbi 30 pika që merren me riparime biçikletash, një zanat ky i hershëm në Shkodër, i cili ka mbijetuar pikërisht nga vazhdimi i përdorimit masiv të këtij mjeti.


Të jesh në vizitën tënde të parë në Shkodër, një nga gjërat që nuk mund të mos bjerë në sy janë vendet e parkimit për biçikleta pranë lokaleve, dyqaneve, përfshirë dhe hoteleve të mëdha.

Po kështu, edhe përpara institucioneve publike ka vende qëndrimi biçikletash, madje ka persona që i ruajnë ato kundrejt një pagese prej 10 lekësh të reja.
Biçikleta, ky mjet lëvizës, është i dashur për shkodranët, por edhe mjaft i përdorshëm. Mjafton të kujtosh rrethet çiklistike që e kanë zanafillën në këtë qytet, tradita në çiklizëm, organizimi i aktiviteteve, si:

"Dita pa makina", ku njerëz të moshave të ndryshme demostrojnë lëvizjen me biçikleta, garat e ndryshme të fëmijëve me biçikleta, pa folur për të apasionuarit pas këtij mjeti që përshkojnë distanca të gjata me të.
Duke folur me qytetarë shkodranë kupton qartë përse ata vazhdojnë të përdorin biçikletën si mjet lëvizjeje.

"Është shumë më ekonomike. Unë kam një autoveturë, por e përdor vetëm për raste kur bie shi, kur dalim shëtitje jashtë qytetit me familjen. Në punë shkojmë me biçikleta, pasi kursejmë kohë, lëvizim më lehtë dhe është më e shëndetshme", shprehet K.Daka , banor në qytetin e Shkodrës. Ndërsa A.Bajraktari shton se makinën e përdor për të marrë mall për dyqanin ku shet me pakicë, si dhe në rastet kur bie shi.

"Në qytet është shumë e vështirë të lëvizësh me makinë, sepse rrugët nuk janë shumë të gjera dhe parkimet vend e pa vend e vështirësojnë lëvizjen, pa folur për mungesën e parkingut. Për personat që e kanë punën në qytet dhe nuk e kanë të nevojshme të marrin mjete pune të mëdha e të rënda për të cilat duhet automjeti, është shumë më efikase lëvizja me biçikletë. Unë e përdor mjaft, pasi lëvizja me makinë më shkakton stres nga këto pengesa dhe më vonon",- thotë ai.


Studiuesi Agim Parruca në librin e tij "Shkodra, bastion i qytetërimit shqiptar", për biçikletën e parë në Shkodër shkruan: "Në vitin 1907 konsulli i nderit i Suedisë në Shkodër solli nga jashtë një biçikletë, por e pati mjaft të vështirë ta fuste në Shkodër, sepse edhe vetë doganierët nuk e njihnin atë "lloj hallati", siç e quajtën ata vetë.

Kjo biçikletë tërhoqi vëmendjen e të gjithë banorëve qytetarë, të cilët e shikonin me habi, sepse ishte i pari dhe i vetmi mjet në tokë, në atë kohë në Shkodër, që ecte pa u tërhequr nga kuajt apo nga qetë.

Ndonjë fanatik e quajti edhe "karroca e djallit". Sidoqoftë, koha bëri të veten dhe numri i biçikletave erdhi gjithnjë duke u rritur, kështu që nuk habitej askush nga ai mjet udhëtimi.


Por pas disa vitesh një biçikletë tërhoqi përsëri vëmendjen e qytetarëve të Shkodrës, saqë kur morën vesh se po kalonte para kafenesë, burrat lanë tavolinat bosh dhe vrapuan te dera e dritaret e kafenesë për ta parë: biçikleta ishte e zakonshme si të tjerat, por e "jashtëzakonshmja" ishte se atë po e ngiste një grua e konsullatës austriake. Ishte hera e parë që shikohej një grua të niste biçikletën".

Dhe më pas ky mjet pati një përhapje të madhe dhe është e çuditshme nëse gjen njeri në Shkodër, madje që në moshë të vogël që thotë se nuk e di biçikletën. Qyteti ka një shtrirje rreth 12 km të gjatë dhe rreth 6 km të gjerë, dhe lëvizja me biçikletë kursen kohë dhe është më e lehtë.

Biçiklisti 70-vjeçar: Biçikleta, një luks


Sadik Sadiku është 70 vjeç dhe gjithë jetën ka pasur si profesion atë të biçiklistit. Edhe pse në moshë të thyer, ai vazhdon ta ndjekë me vëmendje zanatin të cilit i kushtoi jetën dhe që ia ka trashëguar djalit të tij, Mentorit.

Thotë se zanatin e ka marrë nga Jakup Dushi, biçiklist që në vitet '30. "Biçikleta para viteve '90 ka pasur më shumë rëndësi, sepse atëherë nuk kishte automjete private dhe të kishe biçikletë ishte sa e domosdoshme, aq edhe një privilegj, madje dukej si luks.

Jo vetëm se biçikleta ishte diçka e kushtueshme për kohën, por se me të kryeje punë më shumë e më shpejt dhe dukej sikur ishe para të tjerëve", e fillon rrëfimin Sadik Sadiku. "Në ato vite, pas 1944-s, ishin mallrat e Lindjes që dominonin tregun dhe biçikletat vinin nga Lindja. Më së shumti kanë ardhur biçikletat kineze, të cilat ishin më të përhapurat, disa llojesh dhe mjaft cilësore e të forta.

Biçikletat vinin pjesë - pjesë dhe montoheshin në Shkodër. Këto pastaj shiteshin në dyqanet e ndryshme në qytet e fshat. Për kohën paguheshim mirë për montimin e biçikletave që vinin nga jashtë. Paga mujore shkonte deri 1100 lekë të reja, aq sa nuk merrte as një drejtor atëherë.


Blerja e biçikletave ishte e madhe, pasi ajo ishte mjeti më i përdorur dhe kërkesat ishin të shumta, sa shpesh ato mungonin në treg. Kur dilnin në shitje, njerëzit rrinin në radhë dhe shtyheshin për të blerë një biçikletë, edhe pse ajo kushtonte për kohën.

Kështu, biçikletën e përdorte edhe intelektuali, edhe drejtori, edhe mësuesi, inxhinieri, mjeku etj, edhe punëtori që shkonte me të në punë, madje shumë e përdornin edhe gratë. Por me biçikletë shkonin në fshatra dhe ata që punonin nga qyteti atje, kryesisht mësuesit e mjekët. Pas prishjes me Kinën, pati mungesa të theksuara në treg për biçikleta dhe për pjesë këmbimi për to.

Më kujtohet se si në një takim të Mehmet Shehut në komitetin e partisë në Shkodër me përfaqësues të klasës punëtore, punonjëset e ndërmarrjes artistike i bënë kërkesë për të pasur në treg kapertona biçikletash, pasi ato mungonin, ndërsa vetëm në këtë ndërmarrje ishin mbi 1000 gra që shkonin çdo ditë në punë me biçikletë.

Në kushtet kur pjesët e riparimit për biçikleta mungonin, kryesisht kapërtonat pasi ato konsumohen më shumë, pasi pjesët e tjera atëherë ishin mall i fortë, u përdoren kapertonat prej bezeje. Ishte një opingar, saraç Isa Dhampiri, i cili filloi të bënte kapertona biçiklete prej bezeje, ku bezes që prodhohej në vend i qepej teli anash.

Filluan të prodhoheshin dhe kapërtona vendi, që i bënte ndërmarrja e gomës, por ishin të dobët dhe nuk qëndronin më shumë se 3-4 muaj. Shkodra ishte ajo që kërkonte më shumë kapërtona e pjesë ndërrimi për biçikleta pasi këtu kishte më shumë se kudo të tilla, pas saj vinte Lushnja.


Biçikletat sot

Në fillim të viteve '90 puna ra, ndërmarrjet u shkrinë, por profesioni ynë mbijetoi. Kjo pasi në Shkodër nuk e lëshojnë biçikletën dhe ndonëse ka mjaft automjete, makina e motoçikleta, ajo përsëri është mjaft e pranueshme në rrugët e qytetit, por dhe të fshatit. Megjithatë, biçikletat e hyra në Shqipëri pas 1990-s nuk janë aq cilësore si ato të mëparshmet, përfshirë dhe biçikletat që prodhoheshin në vend në vitet '80. Ka mallra turke e kineze, por sidomos këta të fundit janë shumë më pak cilësorë se biçikletat kineze të dikurshme. Kanë ndryshim si nata me ditën.

Por përsëri biçikleta në Shkodër është shumë e pranishme dhe për këtë dhe biçiklistët vazhdojnë të punojnë, madje e kanë trashëguar këtë zanat. Përveç atyre që kanë punuar gjithmonë këtë zanat ka dhe të rinj që e kanë nisur vitet e fundit",- rrëfen Sadik Sadiku.

Vetë ai shton se nuk rri dot pa ardhur tek puna që bën i biri dhe për t'u marrë me ndonjë riparim biçiklete. "Është për pasion", thotë ai, ndërsa tregon se lëviz me biçikletën e tij prodhim i vitit 1950.


Ajo që pohohet nga qytetarët shkodranë është fakti se, pavarësisht shtimit të mjeteve motorike, biçikleta vazhdon të mbetet e pazëvendësueshme për ta dhe duket se edhe për shumë kohë do të vazhdojë të jetë e tillë. "Shkodra nuk mund të kuptohet pa biçikletat në çdo rrugë të saj",- shprehen shkodranët.

^_BIM_BUM_BAM_^
Junior Member
Junior Member

Male
Number of posts : 8
Registration date : 2009-03-28
Points : 6
Reputation : 2

Back to top Go down

View previous topic View next topic Back to top


 
Permissions in this forum:
You cannot reply to topics in this forum