Golgota shqiptare në vitet 1912–1913

View previous topic View next topic Go down

Golgota shqiptare në vitet 1912–1913

Post  AuLoNa on Sat Mar 14, 2009 12:42 am

Rrëfimet tronditëse të Leon Trockit për dhunën dhe gjenocidin sllav kundër shqiptarëve 1912-1913

Raportimet e luftës të Leon Trockit, janë rrëfime realiste, të tmerrshme dhe të llahtarshme, të cilat përshkruajnë vrasjet mizore masakrimet dhe shfarosjen e shqiptarëve gjatë Luftërave Ballkanike, 1912-1913.



Leon Trocki ( 1879–1940) teorik i marksizmit dhe revolucionar, ka qenë i dërguar në Ballkan me qëllim për të raportuar për gazetën e majtë më të popullarizuar në Rusinë Jugore “Kijevskaja misl” ( Mendimi i Kijevës). Raportimet e tij nga vendi i luftimeve janë botuar në fletushkat e veprave të zgjedhura, të papërfunduara, në gjuhën ruse, mes viteve 1923–1927. Raportet e tij për Ballkanin dhe luftërat ballkanike janë përkthyer në gjuhen angleze në vitin 1980 dhe janë ribotuar mes viteve 1991–1993, në kohën e ripërsëritjes së luftërave ballkanike( në Kroaci e Bosnje).

Teksti në vazhdim flet për veprimet e shteteve ballkanike kundër popullatës myslimane në vitet 1912-1913 dhe për heshtjen e shtypit rus lidhur me krimet të cilat i kanë kryer aleatët e tyre në Ballkan.

Rrëfimet tronditëse të Leon Trockit

Kam pasur rastin, për fat apo fatkeqësi ta vizitoj Shkupin, disa ditë pas Betejës së Kumanovës. Qysh në fillim isha i irrituar nga autoritetet e Beogradit lidhur me lejen për qarkullim. Nga pengesat që m’i ka bërë Ministria e luftës, kam filluar të mendoj se njerëzit, të cilët e udhëhiqnin luftën nuk e kishin ndërgjegjen e pastër dhe që atje poshtë, ata po kryenin veprime krejt ndryshe nga sa paraqitej në shtypin zyrtar. Kjo përshtypje ose parandjenjë më është përforcuar me rastin e takimit me një oficer, i cili kishte qëndruar në Shkup me ushtarët të Shtabit të Përgjithshëm.
Ky oficer, të cilin e kam njohur për një kohë të gjatë, ishte njeri i ndershëm. Mirëpo, sapo ai e mori vesh se unë po shkoja për në Shkup, meqë realisht edhe e kisha marrë lejen për të shkuar atje, ai me një qëndrim të hapur armiqësor më tha se nuk duhet të shkoja atje dhe që Beogradi sipas tij nuk e kuptonte se çka po bënte kur i lejonte “të huajt” të shkonin në Shkup. Në Vrajë në kufirin me Serbinë, kur e kuptoi se nuk do ta ndërroja vendimin, oficeri serb e ndërroi zërin dhe filloi të më përgatitë për pamjet që do t’ i shikoja kur të arrija në Shkup. “Këto janë gjëra të pakëndshme, por fatkeqësisht janë të paevitueshme”. Krejt kjo më duhet të pranoj se më bënte edhe më shumë të dyshoja. Kjo do të thotë se veprat e liga, për të cilat ishte dëgjuar deri në Beograd, nuk ishin të rastësishme, nuk ishin raste të veçanta e të izoluara, përderisa një oficer i trajtonte si “nevoja të shtetit”.Dikush duhej të kishte të dhëna për këto. Kush? Ushtria? Apo Qeveria? Përgjigjen në këto pyetje e mësova sapo arrita në Shkup. Trishtimi filloi sapo e kaluam kufirin. Në orën 5 pas dite jemi afruar te Kumanova. Dielli po perëndonte dhe terri tashmë ishte lëshuar.

Sa më shumë që errësohej aq më tepër shiheshin flakët e zjarrit që shkonin përpjetë. Po digjej gjithçka përreth nesh. Të gjitha fshatrat shqiptare, të afërta dhe të largëta, ishin kthyer në shtylla zjarri, deri te hekurudha.

Ishte ky një shembull i një lufte të tmerrshme shkatërruese, që kam parë në zonat e luftimeve. Për një çast pasuria e atyre njerëzve e trashëguar nga gjyshërit e stërgjyshërit dhe e fituar me mund po kthehej në flakë. Kjo monotoni e zjarrit na ka përcjellë gjatë tërë rrugës deri në Shkup. Kam zbritur nga vagoni me të cilin kam udhëtuar. Tërë qyteti ishte i heshtur, në rrugë nuk shihje njeri të gjallë, Vetëm para stacionit të trenit ishte një grup ushtarësh, nga ku përhapeshin zëra të dehurish. Secili shkonte në rrugën e vet, ndërsa unë mbeta i vetmuar në stacion. Shkova te grupi i ushtarëve. Katër ushtarë mbanin bajonetat në gjendje gatishmërie. Në mesin e grupit të ushtarëve qëndronin dy të rinj shqiptarë, me plisa të bardhë. Një ushtar, çetnik i dehur, mbante në dorë thikën, ndërsa në dorën tjetër shishen e rakisë. Çetniku urdhëroi shqiptarët të binin për tokë. Ata gjysmë të vdekur nga frika ulën në gjunjë. Pas urdhrit tjetër ata ngihen. Këtë ai e përsërit disa herë....

Pastaj çetniku duke sharë dhe duke i kërcënuar u drejtoi majën e thikës edhe viktimave të tjera. I detyron të pinë raki, pastaj... i puth. I dehur nga forca nga rakia dhe gjaku ai argëtohej, duke luajtur me ta ashtu si macja e egër me minjtë. Të njëjtat veprime, e njëjta psikologji. Të tre ushtarët e tjerë të dehur qëndronin duke ruajtur mos shqiptarët po iknin ose do të kundërshtonin, derisa çetniku po argëtohej. “Këta janë arnautë” më thotë një ushtar “tash do t’ i therë”.

Prej frikës u largova nga grupi. Nuk kishte kuptim të mundohesha t’i mbroja shqiptarët. Ata mund të shpëtonin nga këta ushtarë vetëm me një forcë të armatosur … Krejt kjo skenë po luhej në stacionin e trenit kur sapo erdhi treni. Ika për të mos dëgjuar britmat e tmerrshme dhe thirrjen e tyre për ndihmë...

Në qytet, nëpër rrugë ishte aq qetësi, sa dukej shkret. Të gjitha dyert ishin mbyllur qysh nga ora gjashtë pas dite. Me të rënë nata, çetnikët fillojnë punët e tyre. Futen dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe turqve dhe kryejnë veprat e tyre të vrasjes dhe plaçkitjes. Shkupi kishte 60 mijë banorë nga të cilët gjysma ishin shqiptarë e turq. Disa nga ata sigurisht që kishin ikur, por shumica kishte mbetur. Dhe tash, gjatë natës kundër tyre kryhen krime.

Dy ditë pas arritjes sime në Shkup, e para gjë që do të shihej në mëngjes ishte grumbulli e kufomave të shqiptarëve me koka të thyera nën Urën e Vardarit, mu në qendër të qytetit. Disa thoshin se ishin shqiptarë, të cilët ishin mbytur nga çetnikët, të tjerët thoshin se ata i kishte sjellë uji i lumit. Vetëm një gjë dihej se ata njerëz nuk ishin vrarë në luftime....

Shkupi ishte kthyer në një kamp të rëndomtë ushtarak. Popullata, sidomos myslimanët fshiheshin nëpër rrugë për të mos u parë nga ushtarët serbë. Në mesin e masës së ushtarëve dallohen edhe fshatarë serbë, të cilët kanë ardhur këtu nga vende të ndryshme të Serbisë. Duke rrëfyer se kanë ardhur për të gjetur bijtë dhe vëllezërit e tyre, ata kalojnë nëpër Kosovë duke plaçkitur. Kam biseduar me tre prej këtyre “torbarëve”. Më i riu prej tyre, një burrë i shkurtë i sojit të “trimave” lavdërohet sesi me pushkën e tij ka vrarë dy shqiptarë, por dy të tjerë i kishin ikur. Bashkudhëtarët e tij, fshatarë të moshuar e vërtetonin rrëfimin e tij.

“Një gjë nuk është e mirë” ankohen ata. “Nuk kemi para me vete. Këtu mund të marrësh sa të duash qe dhe kuaj. Paga e ushtarit është dy dinarë (75 kopejkë). Ushtari shkon në fshatin e parë të shqiptarëve dhe e merr kalin e parë të cilin e gjen. Përmes ushtarëve mund të marrësh një pendë qe për 20 dinarë. Serbët nga rrethina e Vrajës, në mënyrë masive janë nisur drejt fshatrave shqiptare me qëllim për të rrëmbyer gjithçka të gjejnë. Gratë serbe kanë ngarkuar në shpinë edhe dyer e dritare që kanë marrë nëpër fshatrat shqiptare.

AuLoNa
No rank
No rank

Female
Number of posts : 1002
Location : USA
Humor : Plenty..:)
Registration date : 2009-01-27
Points : 118
Reputation : 33

Back to top Go down

Re: Golgota shqiptare në vitet 1912–1913

Post  AuLoNa on Sat Mar 14, 2009 12:43 am

Ndërkohë erdhën dy ushtarë. Ata bëjnë pjesë në çetat të cilat i çarmatosin shqiptarët. Një ushtar pyet ku mund ta këmbejë një lirë. Kërkova të ma tregojë lirën meqë nuk kisha parë monedhë turke. Ushtari fillimisht shikon anash, pastaj e nxjerrë dukatin nga qesja, duke rrëfyer se ka edhe të tjera, por nuk dëshiron të rrëfejë sasinë.
Një lirë turke këmbehet me 23 franga. Erdhën edhe ushtarë të tjerë. Po dëgjoja bisedat e tyre. “Nuk e di sa shqiptarë kam vrarë”, thotë njëri, “por te asnjëri prej tyre nuk kam gjetur diçka të vlefshme për të marrë. Dhe, kur ia kam hequr kokën një nuseje të re, te ajo kam gjetur 10 lira”. Për bëmat e tyre ata flasin krejt lirshëm. Kjo është e zakonshme për ta. Njerëzit nuk e kuptojnë se sa ndryshime të brendshme kanë sjellë vetëm disa ditë të luftës. Mund të shihet se deri në ç’ nivel njeriu varet nga rrethanat. Në kushte të organizmit barbar të luftës, njerëzit shpejt brutalizohen dhe këtë ndoshta edhe nuk e kuptojnë.

Një tog ushtarësh po marshonte rrugës kryesore të Shkupit. Një i dehur, sipas të gjitha gjasave, një turk i marrë, filloi t’i mallkonte. Ushtarët ndaluan. E mbështetën turkun për murin më të afërm dhe e pushkatuan në vend. Togu vazhdoi tutje ashtu sikur edhe popullata që ishte në rrugë.

Atë mbrëmje në një pijetore kam takuar një oficer të cilin e njihja. Njësia e tij ka qenë e stacionuar në Ferizaj në qendrën e shqiptarëve, “Serbia e vjetër”. Me njerëzit e tij rreshteri ka tërhequr një top të madh të rrezikshëm, gjatë defilimit nga Koçani deri në Shkup. Ky top to t’i dërgohet ushtrisë e cila e cila ka rrethuar Edrenen.
“Çka po punon tani në Ferizaj mes shqiptarëve” e pyes. Po pjekim zogj dhe po vrasim arnautë. Jemi lodhur tashmë” thotë duke bërë grimasa dhe hapur gojën nga lodhja. “Ka shumë njerëz të pasur mes tyre.

Afër Ferizajt kemi hyrë në një fshat të pasur me shtëpi sikur kështjella. Pronari ishte një njeri i pasur, i cili kishte tre bij. Ishin katër veta dhe shumë gra. Të gjithë i kemi nxjerrë nga shtëpia i kemi radhitur gratë dhe ua kemi prerë burrat para syve të tyre. Gratë nuk kanë qarë. Na kanë lutur të futen në shtëpi dhe të marrin rrobat e tyre. I kemi lejuar. Ato pastaj na kanë dhënë nga një dhuratë. Pastaj ia kemi dhënë zjarrin tërë vendit...

“Si mund të veproni në mënyrë kaq brutale”, - e pyes i çmeritur me rrëfimin e tij. “Nuk e di as vetë-mësohet njeriu. Në një kohë tjetër, nuk do të kisha qenë në gjendje ta vrisja një plak apo një fëmijë të pafajshëm. Në kohë lufte, sikur e dini, komandanti iu urdhëron dhe ju duhet ta zbatoni urdhrin”.

Shumë gjëra si këto kanë ndodhur jo moti.

Derisa e kemi bartur atë top në Shkup gjatë rrugës takuam një qerre, në të cilën ishin shtrirë katër burra të mbuluar deri në brez. Përnjëherë kam nuhatur erën e jodit. Diçka ishte e dyshimtë, po mendoja. E kam ndaluar qerren dhe i kam pyetur kush ishin dhe ku shkonin. Heshtnin duke u arsyetuar se nuk dinin serbisht. Me ta ishte vetëm qerrexhiu, një magjup, i cili na tregoi se katër të plagosurit kishin marrë pjesë në luftime në Merdare. Ishin plagosur dhe tani po ktheheshin nëpër shtëpi. E kisha kuptuar kush ishin. “Zbritni” urdhërova. Kuptuan çka po iu them, por hezitonin. Çka të bësh? E kam vendosur bajonetën në pushkë dhe i kamë therur të katërtit....

E kam njohur atë njeri. Ka qenë kamerier në Kragujevc. Njeri pa ndonjë kualitet. Jo luftarak nga natyra. Kamerier, ashtu sikur të gjithë kamerierët në vendet e tjera. Një kohë ishte edhe në Sindikatën e kamerierëve. Ishte madje edhe sekretar por u largua...

Dhe shikoni tash se në çka është kthyer.

“Përse veproni si banditë, po vrisni dhe po plaçkitni pa bërë asnjë dallim”, bërtita, duke ndier një neveri për njeriun me të cilin kisha biseduar. Eprori u gjend në një situatë të vështirë. Duket sikur diçka i kishte rënë ndërmend. Pastaj duke u munduar ta arsyetojë vetveten, i bindur dhe serioz kumtoi një frazë e cila hidhte edhe më shumë të zeza sesa kisha parë dhe dëgjuar.

“Jo. Kjo nuk është ashtu. Ne ushtria e rregullt, i përfillim në mënyrë rigoroze rregullat, asnjëherë nuk vrasim njeri më të ri se 12 vjet. Për çetnikët nuk të them asgjë me siguri. Ata janë krye në vete. Unë mund të iu siguroj për ushtarët. Rreshteri nuk siguronte për çetnikët. Dhe me të vërtetë ata nuk pranonin asnjë kufizim. Të rekrutuar nga mesi i të papunëve, të paaftëve, elementë të ligj dhe të pa vlerë, nga turma më e ulët, argëtoheshin me egërsinë e tyre me krimet, plaçkitjet dhe dhunën.
Veprat dëshmonin shumë kundër tyre. Edhe ushtria e shteti ndihej jo mirë nga banalitetet e tilla të përgjakshme të çetave të degjeneruara. Ata u detyruan të ndërmarrin masa dhe ende pa mbaruar lufta, i çarmatosën dhe i kthyen nëpër shtëpitë e tyre.

Nuk isha në gjendje ta duroja edhe më tej atë atmosferë, nuk kisha lukth për t i duruar ato. Interesi politik dhe vetëdija morale, për të parë me sy se si bëhen gjërat e tilla, u fundosen. Tashmë kisha vetëm një dëshirë. Të kthehesha sa më parë. Sërish u gjeta në vagon. Po shikoja fushat e gjëra rreth Shkupit. Çfarë bukurie, çfarë gjerësia. Njerëzit mund të jetonin mirë këtu. Çfarë dobie ka të flasë kur ju vetë i dini këto ide, vetëm ato në atë vend më tingëllonin dhjetë herë më fortë.

Pesëmbëdhjetë minuta nga nisja e trenit, hodha vështrimin jashtë dhe pashë në një largësi prej 200 jardë nga stacioni një kufomë me fes në kokë, më fytyrë përdhe dhe duar të shtrira. Rreth 5o jardë kah hekurudha po qëndronin dy rojtarë serbë, pjesë e forcave që po e ruanin hekurudhën. Me siguri se kjo ishte vepër e tyre.

AuLoNa
No rank
No rank

Female
Number of posts : 1002
Location : USA
Humor : Plenty..:)
Registration date : 2009-01-27
Points : 118
Reputation : 33

Back to top Go down

Re: Golgota shqiptare në vitet 1912–1913

Post  AuLoNa on Sat Mar 14, 2009 12:44 am

Tutje, tutje, vetëm të largohem sa më parë nga ky vend.

Jo larg nga Kumanova, në një livadh, afër hekurudhës ushtarët po hapnin një gropë të madhe. I pyes për çka po hapej ajo gropë. Më thanë se gropa po hapet për mish të prishur që ndodhej në dhjetë apo 15 kamionë, të cilën ishin stacionuar anash.
Ushtarët nuk e kishin marrë mishin që iu kishte takuar. Krejt nevojat e tyre ushqimore madje edhe më shumë ata i merrnin nga shtëpitë e shqiptarëve: djathë, qumësht, mjaltë. Në atë kohë kam ngrënë më shumë mjaltë që u merrej shqiptarëve, sesa kisha ngrënë gjatë tërë jetës sime më thotë një ushtar, të cilin e njihja. Për çdo ditë ushtarët serbë thernin qe, dele, derra, pula të cilat i hanin dhe i gjuanin mbetjet anash. “Neve nuk na duhet mishi. Sa e sa herë u kemi shkruar atyre në Beograd të mos na dërgojnë mish, por ata e bëjnë këtë sipas do rregullave”.

Kështu qëndrojnë gjërat kur shikohen nga afër. Mishi po prishet, si mishi i njerëzve ashtu edhe i kafshëve, fshatrat janë bërë shkrumb e hi, njerëzit po dëbohen. “njerëzit mbi 12 vjet”... të gjithë janë brutalizuar, duke humbur fytyrën e tyre njerëzore. Lufta po del në sipërfaqe si kryesorja dhe më e rëndësishmja, do t’i shihni krimet nëse shpalosni pak perden, e cila ri varur para veprave të trimërisë së ushtarëve... “Kievskaya Mysl” No. 355 23. dhjetor, 1912.

Trocki raporton për dhunën, gjenocidin dhe barbarinë që ushtronin aleatët sllavë kundër shqiptarëve, turqve dhe hebrenjve

Nga këto vise të çliruara, po vijnë lajme të këqija. Në fillim na kanë folur për brohoritjet e popullatës së çliruar, kanë mbajtur fjalime patriotike për administratorët e rinj. Por brohoritjet patriotike tashmë janë shuar. Prapa ka mbetur kaosi dhe e liga. Edhe para luftës, në Maqedoni ka pasur mjaftë elementë dezintegrues dhe anarki politike. Lufta kryengritëse dhe sulmet dinamike i kanë dhënë areal ushtarak këtyre elementeve dhe kanë fituar bindjen se gjithçka është e lejueshme. Përkohësisht lufta i ka dehur. Tash sërish kanë dalë në sipërfaqe krejtësisht të prishur nga përvoja e luftës. Më ka rënë në dorë një letër, të cilën e ka shkruar një zyrtar, i dërguar në Shtip, me qëllim për ta themeluar një filiale të Bankës Kombëtare. Letra është aq e qartë sa të tërën do ta jap në tërësi.

“Kam arritur para katër ditësh dhe tashmë jam penduar përse kam ardhur.
Këtu kam parë gjëra të tmerrshme. As që kam ëndërruar se gjëra të tilla janë mund të bëhen.

Në orën gjashtë të mbrëmjes qyteti vdes.

Shtëpitë e turqve dhe të hebrenjve, të cilat këtu përbëjnë gjysmën e qytetit krejtësisht janë të zbrazëta. Të gjitha dyqanet e asaj pjese të qytetit janë plaçkitur dhe janë djegur. Vrasje dhe plaçkitje ndodhin përditë. Kam parë me sytë e mi, se më 2 nëntor në mesditë, 20 deri 25 çetnikë plaçkitës kanë sulmuar një hebre të moshuar rreth 60 apo 70 vjeçar, të cilit ia kanë shtypur kokën. Unë fillova ta thërras policinë. “Kapeni, edhe ky është hebre”, thanë ata. Filluan të më ndjekin dhe u detyrova të ikë. U mbylla në katin e parë të dhomës sime, nxora revolen ashtu sikurse edhe pronari i banesës ku po banoja. Plaçkitësit filluan të shtynin dyert, por dera kryesore ishte shumë e fortë. Gruaja ime e cila kishte mbetur jashtë po mundohej të fshihej në podrum. Kur ndjekësit u bindën se unë nuk jam aty, u tërhoqën. Kam lajmëruar prefektin, shefit e policisë dhe komandantin e kryengritësve. Pas një orë, 12 apo 15 anëtarë nga kreu erdhën në dhomën time. U vërtetua pa ndonjë vështirësi se kush e kishte mbytur dhunshëm plakun hebre. Ishin disa kryengritës të njohur të sapo pranuar në radha. Asnjëri prej tyre nuk është dënuar. Këtu nuk ka ushtri dhe këta “kryengritësit” e kanë në dorë situatën. Disa prijës të këtyre kryengritësve, gjatë kësaj periudhe kanë grabitur pasuri dhe të holla me vlerë deri në 4 mijë lira ( një lirë vlen 23 franga). Në Radovishte, dyshohet se shefi i policisë lokale bashkëpunon fshehtas me këto banda.

Është një situatë e tmerrshme.

Kur shoh nganjëherë sesi janë gjymtuar fshatarët paqësorë, sesi iu është marrë pasuria, ndërsa fëmijët e gratë e tyre janë lënë të vdesin urie, zemra më lëngon nga dhembja. Në mes të Radovishtit dhe Shtipit ndodhen mbi 2000 të ikur, shumica prej tyre gra e fëmijë kanë vdekur urie. Plaku 70-vjeçar me kokë të shtypur, mijëra gra e fëmijë të vdekur urie, kryengritësit revolucionarë të degjeneruar në banda, shefi i policisë mbrojtës i plaçkitësve, kjo është pasqyra e jetës në një krahinë të çliruar.

Kufizimi për vetëpërmbajtje është definuar keq, ndërsa mundësia e pasurimit të shpejtë është mjaft sfiduese. Ja fjalët e një anonimi. “Një zyrtar i shkruan tjetrit”.. Toka mund të blihet shumë lirë, sidomos në Ovce Polje. Turqit, ( është fjala për shqiptarët, meqë turq nuk kishte nëpër fshatra, por jo të gjithë zyrtarët e vërenin këtë dallim) kanë ikur dhe i kanë lënë shkret pasuritë e tyre dhe grabitja e pasurive të tyre po bëhet me shpejtësi. Njerëzit largpamës tashmë kanë zbuluar rrugët që shpijnë në këto vise, ata hulumtojnë dhe po nuhasin mundësi të tjera. Shumë ushtarë bullgarë mendojnë, jo pa leje nga lartë, se tokat do t’u jepen atyre. Në ditët e lira ata hulumtojnë tokat më të mira dhe fillojnë të vendosin kufijtë... Këta burra po gabohen. Ata do të sjellin nëpër shtëpitë e tyre ndonjë turk invalid apo bjerrakohës, për t’ i shërbyer deri në fund të jetës.

Tokat po i marrin politikanët e pasur e largpamës. Sot pronat e reja janë të paluajtshme, kufiri është vendosur. Për pak kohë do të fillojë lufta e ashpër qytetare, lufta qytetare në të cilën kryengritësit duhet ta thonë fjalën e tyre të fundit. Por mbi të gjitha vendosja e rendit në “viset e tyre” do të bëhet një peshë tjetër popullit punëtor të Bullgarisë.

Protesta e Leon Trockit kundër Qeverisës ruse, e cila ishte frymëzuese dhe bashkëfajtore e krimeve të kryera nga Aleanca e shteteve sllave të Ballkanit kundër shqiptarëve

Një pyetje jashtëparlamentare z. N. Milukov *

Zotëri deputet! Ju jeni njëri nga inspiruesit e asaj që njihet si “Lëvizje pansllave”, e cila bazohet në principet e përgjithshme të qytetërimit, humanizmit dhe çlirimit kombëtar. Ju shumë shpesh si në shtyp ashtu edhe foltoren e Dumës, i keni bindur aleatët, dinastitë dhe klikat e tyre, të cilat e sundojnë Ballkanin, lidhur me simpatitë që ata kanë për shoqërinë ruse dhe për fushatën që ata kanë ndërmarrë për “çlirim”.
Jo moti, pas ndërprerjes së zjarrit ju keni ndërmarrë një udhëtim politik nëpër Ballkan. Keni vajtur nëpër krahina, dhe çka është më e rëndësishme, keni vizituar krahinat, të cilat janë pushtuar nga aleatët.

Gjatë udhëtimeve Tuaja a thua a nuk keni dëgjuar për këto akte të mizorisë dhe brutalitetit, të cilat i kanë kryer disa nga aleatët në zonat Tuaja të luftimeve, jo vetëm kundër ushtarëve të paarmatosur turq, kundër robërve dhe të plagosurve, mirëpo edhe kundër popullatës paqësore myslimane, kundër pleqve e plakave dhe kundër fëmijëve. Nëse keni dëgjuar, dhe nuk mund të mos keni dëgjuar, atëherë përse heshtni. Përse hesht fjala juaj?

Faktet e pamohueshme a nuk ju kanë detyruar të kuptoni se bullgarët në Maqedoni dhe në Serbinë e Vjetër, në turrin e tyre kombëtar për të përmirësuar të dhënat për statistikat etnografike, të cilat nuk janë sipas shijes së tyre, ata thjesht po angazhohen për të shfarosur në mënyrë sistematike popullatën myslimane nëpër fshatra, në qytete dhe në rrethe.

Çka keni për të thënë lidhur me këto metoda për të siguruar fitoren e elementit sllav? A nuk do të pajtoheni se heshtja nga i tërë shtypi juaj shtetëror, nga gjarpri i patriotizmit “Novoje Vremja” , pastaj “Ruskaja Molva”, “Ruskoje Slovo” dhe “Reç” të cilat gjithnjë vazhdojnë të tregohen më të përkushtuara, dhe kjo marrëveshje e brendshme e të gjithë juve për të heshtur, a nuk iu bën juve bashkëfajtorë për këto akte shtazarake, të cilat do të lënë damka të zeza për tërë epokën?
Në rrethana të tilla, protestat tuaja kundër veprimeve të shëmtuara turke, të cilat nuk i mohoj, a nuk janë të njëjta me veprimet fariseje: që rrjedhin jo nga principet e përgjithshme të kulturës dhe humanizmit, por nga kalkulimet lakuriqe imperialiste?
A thua a nuk e keni të qartë se heshtja e tillë e “partive udhëheqëse të Rusisë” kundrejt veprimeve çmeritëse serbe e bullgare, tani kur aleatët ballkanikë kanë rifilluar operacionet ushtarake, i lehtëson këto të fundit që të angazhohen në veprat e tyre Kainiste, në masakra të tjera kundër popujve të “Gjysmëhënës” në interes të “kulturës” së Krishtit?

A mund të përgjigjeni në këto pyetje të qarta dhe të thjeshta, zotëri deputet?
Apo ndoshta ju jeni mësuar të llogaritni vetëm sa bëjnë dy e dy, dhe të konstatoni se prijësit janë fajtorë... Kjo letër proteste e Trockit është botuar në Gazetën “Luç” Nr. 34 (110) 30. Janar, 1913.

* Pavel Nikolajeviç Miljukov (1859-1943), ka qenë historian, i njohur për orientimin e tij sllavofil dhe figurë politike. Themelues dhe udhëheqës i Partisë kryesore Liberale Ruse, redaktor i gazetës “Reç” dhe udhëheqës i delegacionit të Kadetëve në Dumën e Katërt, në kohën kur Trocki i ka drejtuar këtë protestë.

• Këtë shkrim e përgatiti për botim: Ahmet Qeriqi, drejtor i Radios Kosova e Lirë.

AuLoNa
No rank
No rank

Female
Number of posts : 1002
Location : USA
Humor : Plenty..:)
Registration date : 2009-01-27
Points : 118
Reputation : 33

Back to top Go down

Re: Golgota shqiptare në vitet 1912–1913

Post  Sponsored content Today at 7:49 am


Sponsored content


Back to top Go down

View previous topic View next topic Back to top

- Similar topics

 
Permissions in this forum:
You cannot reply to topics in this forum