Ismet Haxhia: Tre motivet e vrasjes së Azem Hajdarit

View previous topic View next topic Go down

Ismet Haxhia: Tre motivet e vrasjes së Azem Hajdarit

Post  Hëna on Tue Mar 03, 2009 1:14 pm

Ismet Haxhia, një prej të dënuarve si pjesëmarrës në vrasjen e deputetit të PD-së Azem Hajdari, mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, thyen heshtjen. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, nga qelitë e burgut të Fushë-Krujës i dënuari me 20 vjet burg rrëfen për herë të parë për ngjarjen e cilësuar si “vrasja e shekullit”. “Marrëdhëniet me Sali Berishën janë të ngrira. Misteri i vrasjes së Azem Hajdarit nuk është zbardhur ende. Gjithçka u gatua në zyrën e SHIK-ut”, - shprehet Haxhia. Për herë të parë Ismet Haxhia, vëllai i ish-truprojës së Sali Berishës, Izet Haxhisë, edhe ky i dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e deputetit Hajdari, tregon se ka pasur një plan të fshehtë për ekzekutimin e Fatos Nanos. Inxhinieri i minierave hedh poshtë kategorikisht se vëllai i tij Izeti të ketë tradhtuar Azem Hajdarin, ndërkaq shprehet se jeta e tij rrezikohet nëse vjen në Shqipëri….
Z.Haxhia, kanë kaluar 11 vjet nga vrasja e Azem Hajdarit dhe ju jeni një nga të cilësuarit fajtor për këtë ngjarje.

Çfarë mund të na thoni pas kaq vitesh?

Njëlloj si para dhjetë vjetëve. Asgjë e zbardhur rreth këtij krimi, asgjë e vërtetë rreth asaj që është thënë dhe fiksuar në aktin e padrejtësisë. Një vrasje e shëmtuar politike, e mbuluar me mister dhe harresë. Me vrasës të ekzekutuar në mënyrë misterioze, me ca viktima të akuzuar e dënuar në përmbushje të skenarëve politiko-kriminal të pasvrasjes dhe me vrasësit e vërtetë, të lirë e të lumtur për atë krim makabër që kanë bërë dhe që ende nuk u ka hyrë asgjë gjemb për krimin e realizuar prej tyre.

Si qëndron e vërteta e natës së 12 shtatorit 1998?

E vërteta e çdo krimi, sipas të drejtës penale ndërkombëtare të çdo shteti të botës, qëndron tek motivi për të cilin kryhet ai krim. Këtu tek ne, e vërteta në jo pak raste qëndron tek interesat e palëve të treta, apo fenomeneve korruptive që sundojnë shoqërinë tonë të pasndryshimit të sistemit politik. Edhe e vërteta e vrasjes së deputetit demokrat Azem Hajdari qëndron të motivi që nxiti urdhëruesit dhe organizatorët e këtij krimi të kamufluar në mënyrë banale nga këta të fundit, si vrasje për motive hakmarrjeje kanunore!!!. Realizuesit e këtij krimi, sipas organit të akuzës ishim ne, tre vëllezërit Haxhiu, ndaj të cilëve edhe pse u kërkua me këmbëngulje të na komunikonin ndonjë motiv që të ketë nxitur për vrasjen e Azem Hajdarit, nuk ndodhi kurrë një gjë e tillë. I vetmi motiv i pathënë nga organizatorët e krimit dhe i pashkruar ende në ndonjë akt të drejtësisë, është ai që duke përdorur emrat tanë si pjesëmarrës në këtë vrasje të akuzonin Berishën, kundërshtarin e tyre potent. Unë kam shkruar një libër të cilin do ta bëj publik në momentin e duhur, në të cilin kam analizuar shumë fakte e rrethana që çuan në vrasjen e Azem Hajdarit. Tri janë motivet e vrasjes së Azem Hajdarit, dy prej të cilave, politike.

Së pari; frika e organizimit të ndonjë kryengritjeje të armatosur me drejtues Azem Hajdarin, e cila rrezikonte pushtetin e socialistëve, me të njëjtën mënyrë që ata e kishin fituar atë pak kohë më parë. Ky motiv, megjithëse në fantazinë e të frikësuarve për humbjen e pushtetit, e kishte zanafillën në deklaratën e Azem Hajdarit se: “...brenda tre muajve do e rrëzoj Parlamentin e kallashnikovëve...”, deklaratë e ardhur pak kohë pas plagosjes së tij në mjediset e Kuvendit në vjeshtën e vitit 1997.

Së dyti; organizimi i vrasjes së deputetit Azem Hajdari do të shërbente si precedent për pastrimin e politikës shqiptare nga protagonistët e saj, Nano-Berisha, që duke vrarë të parin me këtë rast, e për shkak të akuzonin më pas Berishën, duke e burgosur gjatë atë. Në këtë mënyrë do të realizohej më së miri skenari politiko-kriminal i një klani opozitar brenda llojit, i cili vinte pas dështimit të skenarit me arrestimin e të Gjashtëve të Partisë Demokratike, me të cilin synohej likuidimi politik i Nanos pas qejfmbetjeve në ndarjen e dokmave të pushtetit.

Së treti; frika e humbjes së statusit lider në trafikun e armëve me Kosovën, trafik që organizohej e kontrollohej nga kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi dhe klani i tij kriminal, pas së cilës vjen vrasja e Ahmet Krasniqit e më pas e Azem Hajdarit, i cili denoncoi publikisht këtë krim dhe organizatorët e tij, kriminelë të veshur me pushtet. Zbardhja e këtij krimi të shëmtuar nuk ka për të ndodhur asnjëherë, për sa kohë nuk hetohet nisur nga këto tri motive, të cilat duhet të shërbejnë si pistat e vërteta për zbardhjen e krimit nga prokurorë të pandikuar politikisht.

Sa e ka “tradhtuar” vëllai juaj Izeti, të ndjerin Azem Hajdari?

Vëllai im, Izet Haxhia dhe asnjëri prej nesh nuk kemi tradhtuar dhe as mund ta bëjmë kurrë një gjë të tillë. Në të vërtetë po të ishim të tillë, nuk do të ishim burgosur tre vëllezër për një krim që nuk e kemi kryer kurrë, ashtu sikundër na është ofruar jo vetëm një herë. Pikërisht vëllai im Izeti ka qenë objekt i manipulimit të këtij krimi nëpërmjet një thashethemnaje të ngritur në rrugë institucionale, e gatuar nga Fatos Klosi dhe bashkëpunëtorët e tij me qëllim që inkriminimin e tyre dhe urdhëruesve nga prapaskena e tij t’ia faturonin Berishës nëpërmjet ne vëllezërve, skenar që ka funksionuar përballë naivëve, që për fat të keq ka jo pak, madje shumë. Prokuroria gjatë hetimeve si dhe gjatë procesit gjyqësor është përpjekur të vërtetojë se ka qenë pikërisht Izeti, ai që nëpërmjet një telefonate ka nxjerrë në pritë Azem Hajdarin, gjë që nuk u provua kurrë, qoftë edhe me një dëshmi të vetme e për pasojë nuk është shkruar në asnjë rresht të vendimeve gjyqësore. Kemi mësuar përkundrazi se, Azem Hajdari është paralajmëruar për rrezikun nëpërmjet një militanti të PD-së. Azem Hajdari, numrin e telefonit me të cilin pretendohet se i është bërë thirrja, e kishte marrë dhuratë nga një kosovar vetëm dhjetë ditë më parë se të vritej (deponuar në gjyq nga miku i tij më i ngushtë), numrin e të cilit e kishin vetëm pak persona të rrethit të ngushtë të Hajdarit dhe familja, madje as shoferi i tij personal nuk e dispononte atë numër (deponuar nga shoferi i tij në proces gjyqësor). Aq më pak mund ta kishte im vëlla, i cili që prej zgjedhjeve të 1997 rreth dhjetë muaj më parë ai nuk hynte në ambientet e PD-së, pasi për shkak të një qejfmbetjeje pas heqjes nga puna kur ai nuk ndodhej në Shqipëri, i kishte ftohur thuajse fare marrëdhëniet me lidershipin e kësaj partie. Ne nuk mund t’i bënim Azem Hajdarit një “tradhti” të tillë, ndërkohë që jo rrallëherë vëllezërit e mi i ishin ndodhur në krah atij në ditët më të vështira që kishte kaluar (si rasti i atentatit në Milot shkurt 1998 dhe në shoqërimin në Tropojë, në fushatën e qershorit 1997, ku jeta e tij ishte e rrezikuar prej atyre që i bënë atentat një vit më vonë në Bajram Curri, në qershor 1998).

Çfarë raportesh keni me Sali Berishën, duke pasur parasysh se keni qenë shumë pranë tij?

Raportet me Sali Berishën janë të ftohta që pas zgjedhjeve të 1997-ës, siç e cilësova më lart, dhe pikërisht të ngrira që pas vrasjes së Azem Hajdarit, pasi spiunët militantë të PD-së arritën të përcillnin tek ai shpifjet e SHIK-ut, dhe për fat të keq e bindën atë se ne vëllezërit kishim marrë pjesë në vrasjen e Azem Hajdarit. Besoj se deri në zbardhjen e së vërtetës së këtij krimi të shëmtuar, asnjë nuk mund dhe nuk ka për të ndryshuar. Megjithatë, shpresoj dhe uroj që një ditë të ndodhë, një ditë të afërt.

Sipas jush, a rrezikohet jeta e Izet Haxhisë nëse rikthehet në Shqipëri?

Nga të dhënat që kam, ai në burgjet turke ruhet nën masa të rrepta sigurie, “me porosi të shtetit shqiptar” - siç i kanë thënë, çka më bën të mendoj se këta që janë sot në pushtet, nuk kanë përse të marrin ndonjë iniciativë kundër jetës së tij. Ata që kanë pasur interes për likuidimin e tij dhe madje që urdhëruan vrasjen e Izetit (të dhëna të sakta), janë segmente të politikës që janë sot në opozitë dhe që edhe sot përpiqen të bindin shqiptarët se Berisha na paska arrestuar Izetin për ta likuiduar, me qëllim fshehjen gjoja të krimeve të tij. Rreth këtij absurdi vërtitej dhe kalamxhiu i mbeturinave të Sigurimit famëkeq të Shtetit, Neshat Tozaj, në një shkrim pak ditë pas arrestimit të Izetit në fletushkën partiake “Zëri i Popullit”, ky pseudodemokrat që vazhdon të njomë ende punën e tij me “bojën” e kuqe të krimeve të tij e bashkëpunëtorëve të idealit që atëherë, kur kërcënonte nënën e një adoleshenti të dashuruar me vajzën e mikut të tij nga skutat e errëta të Sigurimit kriminal të Shtetit, për të zhdukur nga faqja e dheut e që për fat të keq, më pas ai dhe bashkëpunëtorët e tij zhdukën nga shpirti i adoleshentit dashurinë dhe të drejtën për të jetuar si njeri normal e si artist, dhunti që ia kishte falur natyra. Ai dhe ata të cilëve u shërben, besojnë në vete sa edhe të tjerët bëjnë njëlloj si ata, duke i kthyer burgjet në vende ekzekutimi dhe spitalet psikiatrike në vende të tjetërsimit shpirtëror e mendor, vetëm se guxon të dashurosh vajzën e oborrtarit të nomenklaturës së kuqe. Parë në këtë kontekst, pra atyre që kanë urdhëruar likuidimin e tij, më bën të mendoj dhe krijoj bindjen se ai është seriozisht i rrezikuar prej këtyre të fundit e më pas sigurisht t’ia faturojnë Berishës, ashtu si e ndjellin të ndodhë, duke aluduar që më përpara se të mund ta bëjnë realitet.

Cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja me familjen Haklaj?

Marrëdhëniet tona me familjen Haklaj kanë qenë normale, njëlloj si me të gjithë bashkëfshatarët, pa asnjë interes në mes dhe aspak të lidhura me krimin. A mund mes nesh të mos ishin përfshirë në ndonjë nga ajo mori krimesh, për të cilat ata akuzohen? Apo si mund të besohet që ne, tre vëllezër të arsimuar me nga dy fakultete të larta secili, të merrnim pjesë në një krim të tillë kaq të rëndë, pa pasur asnjë motiv në mes, duke e pasur logjikën e mjaftueshme për të konsideruar pasojat e rënda që pasojnë akte të tilla.

Çfarë raportesh keni me Jaho (Salihin) Mulosmanin?

Raportet me Jaho Mulosmanin ngjasojnë me atë thyesën, ku në numëruesin e saj është vendosur vlerësimi shpifarak i medias dhe strukturave që ajo u shërben në kohën e gjykimit të çështjes “Hajdari”, dhe realisht që është një zero e vendosur në emëruesin e saj me një rezultat të barabartë me zero. E them këtë, duke pasur parasysh shkrimet që shkruheshin në zyrat e SHIK-ut dhe botoheshin në emrat e gazetarëve, shërbëtorë të bindur të tyre, se gjoja Izet Haxhia është parë me Hano Mulosmanin në zonën e Kukësit, e duke shkuar në shtëpinë e prindërve tanë, që gjë nuk kishte ndodhur kurrë. Kjo bëhej në prag të zgjedhjeve të vitit 2000 për pushtetin vendor, me qëllim që të trembnin Berishën për të mos shkuar në atë zonë pas informacioneve të rrema se Haxhiat do ta vrisnin atë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në majin e vitit 2000, kur Berisha këmbëngulte të shkonte në Vlorë, duke u përballur me kërcënimet për jetën e tij nga pushteti i atëhershëm, pasi kishin përhapur thashethemnajën e turpshme dhe absurde se Izet Haxhia ndodhej atje për ta likuiduar atë që për tetë vjet e kishte mbrojtur, kohë kur ishte lakmuar jo pak për likuidimin e tij fizik. Duke përfunduar përgjigjen për këtë pyetje, të jeni të sigurt se Jaho Mulosmanin e kam njohur vetëm atëherë kur ai u emërua shef policie në Tropojë dhe mesin e verës së 1998-ë, pas vetëm një kontakti me të të nesërmen e atentatit ndaj Azem Hajdarit, teksa po i përcillja drejt tragetit të linjës Fierzë-Koman. Më përpara nuk kam pasur rast, por as interes për ta njohur. Edhe pse njohjes me të, marrëdhëniet kanë qenë të ftohta, për shkak të veprimtarisë së kundraligjshme që cenonte reputacionin e funksionit që unë mbaja në policinë e Tropojës.

Dosja “Hajdari” ndodhet në Strasburg. Çfarë prisni nga kjo gjykatë?

Dosja ankimore imja dhe e vëllait tim ndodhen në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, që nga korriku 2003, dhe e vëllait rreth tre vjet më pas. Nga kjo gjykatë pres shpalljen si joligjore e me shkelje të shumta të konventës, shkelje këto të qëllimshme e të urdhëruara nga politika e kohës. Unë prej nga kjo gjykatë të urdhërojë rigjykimin e çështjes, për ta çliruar nga shkeljet e shumta që e kanë deformuar duke e kthyer në një proces tërësisht joligjor. Mendoj se kjo mjafton për të vërtetuar falsitetin e akuzave të ngritura kundër ne vëllezërve dhe ndoshta pas një hetimi profesional të mundshëm, edhe zbardhja e së vërtetës së mistershme.

Sa ka ndikuar politika në hetimin e kësaj çështjeje?

Politika, ose më saktë një klan kriminal me pushtet në atë kohë dhe me rrënjë të thella në politikë, ka dirigjuar me mjeshtri kriminale gjithë procesin e hetimit e më pas gjykimin e vrasjes së cilësuar si më e rënda e shekullit që kemi lënë pas. Gjatë trembëdhjetë muajve gjykimi në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, të drejtuar nga një ish-kartelist i asaj gjykate, një servil i bindur i atij klani dhe i zgjedhur prej tij dhe vegël e prokurorit të Përgjithshëm Arben Rakipi, nuk kanë bërë qoftë dhe një pyetje të vetme palëve, edhe pse çështja ishte aq e rëndësishme e hetuar aq keq, vetëm duke dhënë vendime të ndërmjetme mohuese për palën mbrojtëse dhe vendime të tjera që hapnin dritën jeshile për efektet e rënda që dhanë në këtë proces, cilësia e dobët e hetimit dhe shkeljet e rënda proceduriale e kushtetuese që e kishin shoqëruar atë.

Hëna
Senior Member
Senior Member

Female
Number of posts : 179
Registration date : 2009-02-10
Points : 12
Reputation : 5

Back to top Go down

Re: Ismet Haxhia: Tre motivet e vrasjes së Azem Hajdarit

Post  Hëna on Tue Mar 03, 2009 1:15 pm

Sa profesioniste ka qenë prokuroria? Cilat janë të pathënat e vrasjes së shekullit?

Për dosjen “Hajdari”, ajo që është thënë është një hiç në raport me atë që drejtësia duhej të kishte thënë apo dhe duhet të thotë. E theksova më lart se në librin që kam shkruar, kjo pyetje merr përgjigje të zgjeruar, duke sqaruar mjaft fakte e rrethana që çuan vrasësit në realizimin e këtij krimi dhe që nëpërmjet një pyetjeje natyrisht që nuk mund të përmbushet ajo që duhet thënë e zbuluar për publikun. Shkurt, kjo është një vrasje politike prej atyre që Hajdari u rrezikonte pushtetin e duke përdorur si precedent largimin nga politika të protagonistëve të saj Nano-Berisha. Mendoni arrestimin e të Gjashtëve, reagimin e Nanos pas këtij akti se ai nuk kishte pasur dijeni, si dhe deklaratën e këtij të fundit se një grua më paralajmëroi për vrasje më 12 shtator. Por edhe lutjet që u janë bërë të mëdhenjve të politikës botërore “... për t’u hequr qafe binomin politik Nano-Berisha pas dështimit të skenave të përmendura më lart. Për fat të keq mundet që ky klan kriminal të ketë bindur ndonjë strukturë të huaj për vrasjen e të ndjerit Azem Hajdari, si rrezik potencial për vendin tonë të brishtë dhe shumë të lodhur pas trazirave tronditëse të 1997-ës. Kam bindjen se veç interesave kriminale të trafikantëve të armëve, vrasja e Hajdarit u ka interesuar dhe strukturave të ish-Jugosllavisë, me qëllim destabilizimin e vendit tonë në kohën kur përgatiste masakrën ndaj Kosovës, me qëllim që të vepronin me dorë të fortë jashtë vëmendjes së ndërkombëtarëve, praktika këto që kanë ndodhur dhe më parë. Por duhet theksuar se urdhëruesit dhe organizatorët e këtij krimi të cilët bënin informacione se gjoja në fillim të shtatorit 1998 Azem Hajdari do të fillonte kryengritjen e armatosur e që pikërisht në këtë moment u larguan nga vendi i krimit i përgatitur prej tyre, janë pikërisht përgjegjësit për vrasjen e Azem Hajdarit.

(vijon në numrin e nesërm)

Hëna
Senior Member
Senior Member

Female
Number of posts : 179
Registration date : 2009-02-10
Points : 12
Reputation : 5

Back to top Go down

Flet Ismet Haxhia: Shteti ndihmoi ne vrasjen e Azemit

Post  Hëna on Fri Mar 06, 2009 8:26 pm

Nga Klodiana Lala


Prokuroria manipuloi provat e dosjes “Hajdari”. Fatmir Haklaj u lirua nga arresti për t’u ekzekutuar. Fillesat e serialit të vrasjeve në Tropojë, mendoj se nuk kanë qenë të nisura nga politika”. Kështu shprehet Ismet Haxhia, në pjesën e dytë të intervistës dhënë për “Gazeta Shqiptare”. I dënuari me 20 vjet burg për vrasjen e deputetit të PD-së, Azem Hajdari, rrëfen për takimin e tij me ish-shefin e SHIK-ut, Fatos Klosi. “Pas arrestimit të vëllait tim Isamedinit, unë i kërkova takim Fatos Klosit, takim që u realizua në lokalin “Redbull”, një lokal përballë Ministrisë së Drejtësisë. Në atë takim unë nuk shkova për të kërkuar lëmoshë, as për t’u bërë pjesë e skenarëve të tij kriminalë, por për ta paralajmëruar me vendosmëri që të hiqte dorë prej tyre dhe prej krimeve që synonte ndaj meje dhe vëllezërve të mi”, - thekson Haxhiaj. Ai shprehet më tej se shteti heshti përballë një krimi kaq të rëndë, duke lënë vrasësit të largohen...

(vijon nga numri i djeshëm)

Z.Haxhiaj, ju pretendoni se për dosjen “Hajdari” nuk është hetuar. Si e argumentoni këtë fakt?

Siç e kam theksuar edhe më parë, çështja “Hajdari” nuk është hetuar ndonjëherë. Ajo vetëm është manipuluar, madje edhe hetimet e zhvilluara në harkun kohor të një viti e gjysmë janë zhdukur nga dosja hetimore menjëherë pas likuidimit fizik të provës kryesore, ekzekutorit të Azem Hajdarit, Fatmir Haklajt, për të zëvendësuar këtë të fundit me emrat tanë, në shërbim të skenarëve që shpjegova. Në pamje të parë të bie në sy një grup prokurorësh sa për të shpërndarë përgjegjësinë si manipulatorë të çështjes, sa për të mos u ndjerë vetëm në këtë krim të dënueshëm siç është manipulimi i provave. Se sa profesional ka qenë ky grup prokurorësh del në pah duke menduar se atë e ka drejtuar Haxhi Giu, një ish-mësues fshati i brumosur me dijeni të thella në jurisprudencë, afër bregut të cekët të detit Adriatik, në Plepa të Durrësit, aty ku në vitet e edukimit komunist kualifikoheshin aktivistët e bashkimeve profesionale me vetëm aq kohë sa u kualifikua për drejtësi prokurori Giu. Cilësia e hetimit dhe gjykimit të vrasjes më të bujshme dhe serioziteti me të cilin e mori politika, duken qartë edhe në aftësinë prej aktivisti me shkollë nate të pinjollit të diktaturës Arben Micko, që kryesonte trupin gjykues. A mund të besohet nga ndokush se ky krim kaq i rëndë u hetua me profesionalizëm e paanësi politike, kur ata morën prova të përpunuara nga SHIK-u i Klosit me konflikt të thellë kriminal interesi si Muldaka e Cakrri (Astrit Muldaka dhe Petrit Cakrri, dy dëshmitarët okularë të vrasjes së Azem Hajdarit, shënim i redaktorit) i pari, i konvertuar nga vrasës në dëshmitar, kur në vend që ekzekutori Fatmir Haklaj të merrej në përgjegjësi penale për vrasjen, e liruan nga gjendja e arrestit për ta likuiduar fizikisht vetëm pak ditë më pas, pasi prokurorët nëpërmjet dëshmitares Pëllumbesha Gjoni, pa dashje dhe pa dijeninë e Klosit dhe Rakipit, e identifikuan atë si vrasësin e Hajdarit; kur vrasësit pas kryerjes së krimit largohen të qetë, madje duke na hequr edhe pengesat, edhe pse kaluan në territorin e tetë rajoneve e komisariateve të policisë dhe nuk u hetua kurrë për përgjegjësinë e përkrahjes shtetërore pas krimit, kur; organizatorët e këtij krimi, për të mos i shqetësuar vrasësit, urdhërojnë heqjen e postblloqeve te Ura e Fanit në Mirditë, menjëherë pasi mësuan drejtimin e lëvizjes së vrasësve për t’u kthyer nga kishin ardhur dhe askush nuk u mor në përgjegjësi për këtë krim shtetëror, kur me gjithë identifikimin e vrasësve, menjëherë pas kryerjes së krimit nuk veprohet për arrestimin e tyre, edhe pas kërkesës së ish-shefit të Komisariatit Tropojë, Fatmir Meta që të nesërmen e vrasjes së deputetit. Kur identifikohet mjeti i krimit dhe zotëruesi i tij në momentin e krimit dhe nuk veprohet për ta arrestuar, edhe pse kjo gjë i kërkohet ministrit të Rendit nga Shefi i Sektorit ushtarak në Prefekturën e Tiranës A.Duka, por e lanë të fshehur identitetin e tij, për ta përdorur më pas si dëshmitar të rremë, kundër njerëzve pa faj, në përmbushjen e skenarëve në betejën politike të zgjedhjeve të vitit 2001. Kur Shërbimi Inteligjent Kombëtar në informacionet e tij për institucionet më të larta të vendit, qëllimisht fsheh identitetin e përdoruesit të këtij mjeti në momentin e krimit, nëpërmjet deformimit të emrit të Muldakës, duke e quajtur Myftar Culaj dhe për ta zbuluar e përdorur si dëshmitar në kohën e manipulimit të dosjes hetimore. Kur organi i akuzës largonte nga mjeti i zaptuar prej tij Muldakën e duke e vënë në një makinë tjetër në rolin e inspektorit të vendit të ngjarjes, në këmbim të heqjes së akuzës që meritonte, pra me përfitim të ndërsjelltë, duke penalizuar të pafajshmit nëpërmjet këtij vrasësi të konvertuar në dëshmitar, të zgjedhur nga tutorët e tyre në SHIK e në politikë. Kur në mënyrë krejtësisht banale ka servirur para gjykatës variantin se në vrasjen e Azem Hajdarit kanë marrë pjesë një ushtri prej rreth 100 vetash, vetëm për të justifikuar mosveprimin e strukturave të urdhëruara nga tutorët e tyre politikë, ndërkohë që është vërtetuar se në vrasjen e Hajdarit kanë marrë pjesë vetëm katër veta, njëri prej të cilëve e vranë pa dashje nga plumbat e ekzekutorit. Pra, a mund të mendohet e besohet se është kryer një hetim profesional e i paanshëm duke marrë prova të stisura nga përgjegjësit e kësaj vrasjeje? Ndërkohë që prokurorët nuk bënin gjë tjetër, veç “montimin” e dëshmive të tyre në funksion të manipulimit të dosjes e fshehjes së të vërtetës. Nga këto që thashë e një mori arsyesh të tjera të cilat nuk mund të radhiten të gjitha në një intervistë, krijojnë bindjen tek të gjithë, - veç atyre që duan të bëjnë indiferentin apo shurdhmemecin, - se kjo çështje nuk u hetua fare objektivisht dhe aq më pak profesionalisht.


Çfarë mund të na thoni për serialin e vrasjeve në Tropojë? A mendoni se ky serial u mbars nga politika?

Për serialin e vrasjeve në Tropojë është folur me profesionalizëm në emisionin “Xhungël”, të cilin e kam ndjekur dhe më ka pëlqyer. Megjithatë, në serialin e këtyre vrasjeve ka shumë të ditura, por të pathëna, që nga askush dhe asnjëherë deri tani nuk u hetuan, e për pasojë nuk u penalizuan përgjegjësit, pasi shumica e tyre janë pasojë e një terrori të egër shtetëror në Tropojë. Ajo që vlen të theksohet është se atje, për fat të keq u goditën padrejtësisht familjarët, ndër më të mirët e asaj treve. Në Tropojë, pas vrasjes së vëllait e kunatit të Fatmir Haklajt, gjithçka doli jashtë normalitetit. Asgjë nuk mund të kontrollohej e aq më pak krimi. Në këto kushte e terren të kontrolluar vetëm nga banda të armatosura, u bënë shumë vrasje të shëmtuara. Pak muaj më parë u bë një vrasje tejet e shëmtuar. U vra Bajram Hoxha, një djalë me cilësi të rralla e nga një familje ideale për nga cilësitë e saj. Ai u vra në një ditë të rëndë për atë familje, pasi ata, po atë ditë po përcillnin për në banesën e fundit një djalë të tyrin fare të ri, ditë kjo që edhe hasmi më i lig nuk të vret. Kjo vrasje na tronditi të gjithëve, por akoma më tronditës ishte fakti se vrasësit nuk u deklaruan, çka nuk kishte qenë traditë e malësorëve të Tropojës. Pastaj vazhduan vrasje seri pas atij momentit që theksova më lart. Duke vazhduar me vrasjen e tre të pafajshmëve: Avdyl Matoshi, Gjin Kolbucaj dhe Agim Dezdari, vetëm për të ushtruar terror e dhunë psikologjike prej të fortësh me njerëz të paarmatosur e të pozicionuar në hallet e veta. Vrasjet më pas vazhdojnë për bajraktarizëm, pas dyshimeve nga thashethemnaja që kishte marrë dhenë në atë kohë, nga intrigat nëpërmjet të cilave filloi hakmarrja e egër për mllefe e armiqësi të harruara deri atëherë e të lindura rishtazi, deri edhe në vrasje të kryera për variacionin për t’i përdorur si harem për hasmin, me qëllim që duke shkuar në varrim apo për ngushëllim, t’i bënin pritë vrasëse atij e për motive deri më të rëndomtat. Fillesat e serialit të vrasjeve në Tropojë, mendoj se nuk kanë qenë të nisura nga politika. Më pas ato u përdorën politikisht me intensitet dhe egërsi vetëm e vetëm për të dëmtuar imazhin e Berishës e Hajdarit atje, e deri në nxitjen e të fortëve për likuidimin e tyre. Të gjithë banorët e asaj treve, kush më shumë e kush më pak, jemi trullosur nga shpifjet e ngritura në mënyrë institucionale e të shpërndara nëpërmjet thashethemeve se vrasjen e Qafës së Luzhës ku u vranë vëllai e kunati i shefit të komisariatit, Fatmir Haklajt, e kishin urdhëruar Berisha e Hajdari.

Një absurditet i madh ky! Kam bindjen se kjo vrasje u iniciua nga strukturat e UDB-së jugosllave dhe trafikantët e armëve që synonin të bëheshin lider në këtë treg fitimesh marramendëse, duke boshatisur magazinat e pacenuara të armëve të shtetit duke bërë dhe patriotin, se ua jepnin UÇK-së me çmime të kripura, në vend që tua falnin për të mos u sharruar më vonë me gur fresibël në kuadrin e likuidimit të armatimit të tepërt. Vrasja e Shkëlqim Haklajt, i cili kishte filluar punë në Pikën e kalimit Kufitar të Qafë-Prushit dy ditë para se të vritej, vetëm për të ngritur një linjë të re për shitje armësh. Në vitet 1998-1999, kohë kur në Tropojë zhvillohej gjithë aktiviteti stërvitor i furnizimit me mjete logjistike, ushqime e ilaçe i formacioneve të UÇK-së, për destabilizimin e Tropojës nuk mund të gjendej ndonjë variant më ideal se vrasja e vëllait të Fatmir Haklajt, në atë kohë shef i komisariatit atje, i cili ishte edhe zotëruesi i trafikut të armëve, pa lejen e të cilit nuk mund të shitej qoftë edhe një fishek i vetëm. Ky destabilizim u shërbente pra trafikantëve të veshur me pushtet e që drejtohej nga Tirana, duke synuar zotërimin e tregut atje, si dhe strukturave të fshehta të Serbisë, që synonin me çdo kusht pengimin e armatosjes së UÇK-së duke e sabotuar këtë trafik. Më mirë se aq sa e kanë llogaritur e realizuar njëherësh, nuk mund të kishin realizuar më mirë se kaq, me asnjë mënyrë tjetër të mundshme. Destabilizuan Tropojën dhe e lanë ashtu, nën peshën e rëndë të vëllavrasjeve, që ashtu si shumica e tropojanëve nuk e kanë dëshiruar dhe as e kanë për ta dëshiruar kurrë.

Si e gjykoni ju mosvajtjen e Berishës në Tropojë pas kaq vitesh?

Këtë përgjigje duhet ta kërkoni nga Berisha. Megjithatë, dua të theksoj vetëm këtë gjë, që Berishën e duan tropojanët dhe e mbrojnë, pa asnjë dallim politik. Berisha e ka pasur më të vështirë të shkonte në Vlorë në pranverën e vitit 2000, e megjithatë shkoi atje dhe e pritën me lule, e jo me plumba siç e kërcënonin kundërshtarët e tij të vjetër. Mendoj se Berisha nuk ka shkuar në Tropojë për të vetmen arsye, pasi nuk do që kundërshtarët e tij të mund ta përdorin këtë veprim të mundshëm të tij që, duke e instrumentalizuar e përpunuar në mënyrë kriminale siç është vepruar deri më sot, të bëhet shkak edhe për më të voglin destabilitet në vendlindjen e tij.


Ju pretendoni pafajësi, cilët janë personat që përgatitën arrestimin e dënimin tuaj?

Më duket se deri tani ju përmenda ndonjë nga emrat, por për më saktë duroni derisa të vijë momenti i botimit të librit tim, që sapo ju fola. Dua të them se ata kanë emra të përveçëm dhe atëherë kanë qenë të veshur me shumë pushtet. Kaq sa për ata që përgatitën vrasjen e Azem Hajdarit. Ndërsa për ata që përgatitën arrestimin dhe dënimin tim, vlen të theksoj se, menjëherë sapo më arrestuan vëllain Isamedinin, duke qenë plotësisht i pafajshëm, unë reagova ashpër e në mënyrë kërcënuese. Menjëherë unë i kërkova takim Fatos Klosit, takim që u realizua në lokalin “Redbull”, një lokal përballë Ministrisë së Drejtësisë. Në atë takim unë nuk shkova për të kërkuar lëmoshë, as për t’u bërë pjesë e skenarëve të tij kriminalë, por për ta paralajmëruar me vendosmëri që të hiqte dorë prej tyre dhe prej krimeve që synonte ndaj meje dhe vëllezërve të mi. Në atë moment unë nuk kam qenë i parashikuar për t’u penalizuar për vrasjen e Azem Hajdarit, pasi për këtë kishin planifikuar dy vëllezërit e mi, gjë që duket në manipulimin e Muldakës. Sipas dëshmisë së tij të datës 20.11.2000 marrë prej tij në burgun Rexhina Çela në Romë dhe që emri im nuk figuron të jetë përmendur prej tij. Mendoni faktin që ai kriminel përmendte vetëm emrat e atyre që i kërkohej prej prokurorëve në kuadrin e manipulimit të dosjes. Pas këtij takimi arrestimi im erdhi pak ditë më pas, vetëm pesë, kohë që iu desh Klosit të përdorte bashkëpunimin e tij të paskrupullt Cakrri, që tua dhuronte prokurorëve për të sajuar arrestimin tim, për të cilin vetëm pak minuta pas ndarjes nga unë, e përgatiten në takimin e tyre Klosi – Rakipi, fakt ky që unë e kam denoncuar edhe më parë.


Çfarë bën Ismet Haxhia në qeli?

Shpesh duke iu përgjigjur miqve të mi me shaka, u them se ndodhem në regjim stallor; ha, pi dhe rri. Sa për të qeshur pak. Në fakt nuk është kështu. Unë përpiqem të programoj kohën në atë mënyrë, që të mos lë boshllëk që të veprojnë mbi mua hallet që kam. Në këtë kontekst, lexoj shumë letërsi artistike, kam lexuar një metër kub literaturë për jurisprudencë dhe për procedurat e praktikat ligjore të Gjykatës së Strasburgut. Veç librit që përmenda kam shkruar edhe dy romane, një me temë nga realiteti i sotëm, dhe një me temë nga e kaluara që kam pasur. Jam duke përgatitur një libër me temë nga jurisprudenca, nëpërmjet të cilit të ndihmoj këdo që dëshiron t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut, kur mendon se i janë shkelur të drejtat nëpërmjet një procesi të rregullt ligjor, apo hetues prokurorë, gjykatës, juristë, që janë dhunuesit më të mëdhenj të të drejtave të qytetarëve, nëpërmjet ushtrimit të funksioneve të tyre, në vend që t’i mbajnë ato duke zbatuar Kushtetutën e ligjet e vendit dhe veçanërisht avokatët, që për fat të keq janë hallka më e dobët e sistemit të drejtësisë.

Hëna
Senior Member
Senior Member

Female
Number of posts : 179
Registration date : 2009-02-10
Points : 12
Reputation : 5

Back to top Go down

Re: Ismet Haxhia: Tre motivet e vrasjes së Azem Hajdarit

Post  Hëna on Fri Mar 06, 2009 8:26 pm

Edhe avokatin tuaj e kategorizoni sipas këtij mendimi?

Në fakt, avokati im është krejt ndryshe nga ata për të cilët kam mësuar nga bashkëvuajtësit e mi. Ai është një penalist shumë i mirë, e njeh mjaft mirë profesionin dhe mbi të gjitha është një njeri ideal e unë tashmë e kam një mik shumë të mirë. Për çështjen time, as ai dhe as avokati më i mirë në botë nuk mund të çante përballë një procesi të tillë të paragjykuar dhe të montuar politikisht.

Thatë që lexoni. Çfarë libri keni në duar aktualisht?

Tani po lexoj një libër të Xhorxh Soros me titull “Kriza e kapitalizmit global”.

Po familja juaj, çfarë ka përjetuar përgjatë këtyre viteve të burgosjes suaj?

Dhembje, vetëm dhembje e vuajtje nga më të ndryshmet, varfëri deri në ekstremet e mbijetesës duke mos e merituar aspak atë. Mund të them që ka përjetuar barrën e rëndë të fajit pa qenë e tillë, ajo dhe as unë. Prindërit e mi, për fatin e keq përjetuan persekutimin e fëmijëve të tyre. Fillimisht kanë qenë të shokuar nga ajo që po ndodhte me ne, aq sa nëna ime 75-vjeçare, në janar të vitit 2001, pak ditë pas arrestimit tonë, teksa kishte ardhur të më takonte në paraburgimin e Krujës (atje më kishin degdisur) duke i rrjedhur lotët curril nga mjekra që i dridhej pa pushim, më drejtohet kështu në prani të policit që mbikëqyrte takimin: “Se si duhet ta kuptojë nana këto që po ndodh me ju?”, - duke nënkuptuar përgjegjësinë tonë në vrasjen e Azem Hajdarit. Jam detyruar të betohem në gjirin që ajo më kish ushqyer se nuk kemi përgjegjësi për këtë vrasje. Ajo shfryu e lehtësuar, hoqi shaminë nga koka, fshiu lotët me të dhe filloi të nëmë tërë mllef prej nëne e gruaje ata që vranë Azem Hajdarin. “Tani le të vdes, - më tha ajo, - kur të dojë i madhi zot”. E përmenda këtë rast për të treguar se prindërit tanë, të tronditur nga ajo që po ndodhte kishin filluar të lëkundeshin për fajësinë tonë, vaj halli për të tjerët që nuk ishin prindër apo të rrethit tonë shoqëror e miqësor, që padyshim kanë pësuar tronditje të thellë.

Hëna
Senior Member
Senior Member

Female
Number of posts : 179
Registration date : 2009-02-10
Points : 12
Reputation : 5

Back to top Go down

Re: Ismet Haxhia: Tre motivet e vrasjes së Azem Hajdarit

Post  Sponsored content Today at 7:52 am


Sponsored content


Back to top Go down

View previous topic View next topic Back to top


 
Permissions in this forum:
You cannot reply to topics in this forum