DEMOKRATIZIMI, OSE MJETI LIBERAL PËR KOLONIZIM

View previous topic View next topic Go down

DEMOKRATIZIMI, OSE MJETI LIBERAL PËR KOLONIZIM

Post  1bilderberg on Thu Feb 19, 2009 12:14 pm

DEMOKRATIZIMI, OSE MJETI LIBERAL PËR KOLONIZIM



Agon Hamza

Diskursi i përndritur liberal na thotë se bashkësia ndërkombëtare (e shfaqur në formën e Perandorisë) është në Kosovë për të na ndihmuar. Këtë na e konfirmon edhe Hashim Thaçi. Duke vazhduar në këtë linjë të argumentimit, na thonë se bashkësia ndërkombëtare nuk është këtu për të na eksploatuar dhe rrjedhimisht nuk ka eksploatim ekonomik, politik etj. Çdo ikje nga kjo paradigmë damkoset si pjesë e një diskursi nacional–romantik, ksenofobik madje, dhe kualifikimet vazhdojnë tutje...

Problemi i parë në të cilin ndeshet ky diskurs është ai i konceptit të ndihmës. Ndihma është (pothuajse gjithnjë) e kundërt me nevojat shoqërore. Si koncept thelbësisht religjioz, ndihma është ekuivalent i lëmoshës. Pra, njeriu asnjëherë nuk merr aq sa i takon, por aq sa Tjetri mendon se atij i mjafton. Në anën tjetër, nevojat tona janë shoqërore, ato i takojnë një realiteti tokësor. Ato janë materiale dhe konkrete. Këtu ndeshemi me ndryshimin ndërmjet formës klasike të kolonizimit (ku kolonizator është një shtet i caktuar) me formën e sotme: sot nuk kolonizon një shtet i vetëm mbi një shtet/territor të vetëm. Sot kolonizatori shfaqet në formën e Perandorisë (siç e quajnë Hardt&Negri): nuk ekziston një qendër e vendosjes (Washingtoni, Brukseli, Moska, NewYorku), dhe një qendër administrative, territori i të cilave zgjerohet me kolonizim. P.sh. Kosova nuk është bërë pjesë e një shteti konkret, SHBA-të (dhe aleatët) nuk i kanë zgjeruar kufijtë me okupimin e Irakut e Afganistanit. Ato janë aty, në kufijtë e tyre shtetëror. Ndryshimi tjetër është raporti ndërmjet “civilizimit” dhe “demokratizimit”: popujt e “civilizuar” shkonin në Afrikë, Azi, Amerikën Latine dhe i kolonizonin vendet dhe popujt “primitivë” – qëllimi ishte civilizimi i tyre, natyrisht kjo nënkuptonte eksploatimin e pasurive natyrore, shitjen e mallrave dhe shfrytëzimin e fuqisë së lirë punëtore. Tani askund më nuk flitet për “civilizimin e popujve primitivë”.
Më nuk ekziston koncepti i “primitivizmit”, por i “kulturave tjera”, ose “të ndryshme”. Këtu racizmi është inherent. Kjo do të thotë që përbrenda “Tjetrit të ndryshëm” fshihet një primitivizëm primordial, i cili nuk do të thotë që duhet domosdoshmërisht të ndryshohet/civilizohet, por në raport me te duhet ruajtur njëfarë distance të duhur, që në fjalorin politik e kulturor quhet tolerancë multikulturore. Larg nga përafrimi i kulturave të ndryshme, toleranca multikulturore dërgon drejt ndarjes edhe më të madhe ndërmjet popujve. Toleranca multikulturore është pjesë shtojcë e liberal-demokracisë. Shënjuesi i sotëm i kolonializmit është demokracia: popujve të tjerë duhet t’u mësohet demokracia, të drejtat e njeriut, etj.

A nuk është kjo paradigma politike mbi të cilën bashkësia ndërkombëtare e ndërton legjitimitetin e pranisë së saj në Kosovë? Çka dëgjojmë ne nga pushteti kolonial në Kosovë? Ata na thonë se jemi popull i mirë, pakës të paedukuar (por, pasi që jetojmë në një sistem formal demokratik, jemi drejt edukimit), kemi një histori prej së cilës domosdoshmërisht duhet shkëputur – me një fjalë, jemi një popull ekzotik.

Siç thotë Fanoni, racizmi kolonial nuk është i ndryshëm prej racizmave të tjerë. Pushteti kolonialist na e mohon historinë, sepse e shkruan atë vet, thotë ai. Nëse dëgjohen me vëmendje deklaratat e ndërkombëtarëve në vendin tonë, fjala “shqiptarë” përmendet çdo herë e më pak. Si zëvendësim, kemi konceptin e Kosovarit – njeriut të ri. Këtu ndeshemi me dy koncepte jashtëzakonisht të rëndësishme politike: bashkëveprimin e fantazisë dhe ideologjisë. Për Lacanin (dhe përgjithësi në psikoanalizë), koncepti I fantazisë përcakton një koincidence dialektike të bashkëveprimit të të kundërtave: ekziston pjesa e lumtur, e hareshme e saj dhe e kundërta, forma fondamentale e së cilës është fantazia e pistë (ose, xhelozia). Kur njëri është xheloz, pyetja e tij është: “çka bën gruaja/partnerja ime në shtrat me tjetrin, e që nuk e bën me mua?”, ose “”Si më trajton mua tjetri?”, etj. Nëse kjo zhvendoset në rrafshin e politikës (natyrisht, në nivelin më naiv, bazik) do të kemi këtë: pjesa e hareshme e fantazisë së kolonizatorëve është Kosova si “një vend multietnik, demokratik dhe i integruar në BE” – për ta mirëmbajtur këtë fantazi, duhet ta zhvillojnë pothuajse deri në ekstrem anën e kundërt të saj: zhdukja, ose asgjësimi i gjithçkaje që ka ekzistuar këtu më parë, në emër të një “të ardhme të përkryer”. Pra, për ta krijuar një subjekt ideologjik të ri – Kosovarin, duhet që me çdo kusht të asgjësohet Shqiptari.


Last edited by 1bilderberg on Thu Feb 19, 2009 12:25 pm; edited 4 times in total

1bilderberg
Veteran Member
Veteran Member

Male
Number of posts : 236
Registration date : 2009-01-28
Points : 38
Reputation : 20

Back to top Go down

Re: DEMOKRATIZIMI, OSE MJETI LIBERAL PËR KOLONIZIM

Post  1bilderberg on Thu Feb 19, 2009 12:15 pm

Kur flitet për kolonializmin, mësimet e Fanonit janë të pashmangshme. Libri i tij i parë quhet “Lëkura e Zezë, Maska e Bardhë”. A nuk është pikërisht ky përshkrim të cilin ne e hasim tek Kosovarët e Rinjë? Kjo kastë njerëzish përfaqësohet denjësisht jo vetëm nëpërmjet politikanëve (pa përjashtim), por edhe nëpërmjet punëtorëve lokal të ndërkombëtarëve, disa analistëve, etj. Të gjithë këta, jo vetëm që retorikën e kanë përplot hipokrizi, por edhe ne sjellje e dukje tentojnë të mos duken si indigjenë. Keqkuptimi që duhet shmangur është se këtu në asnjë moment nuk po e implikoj lojën me moralin shqiptar, gjakun shqiptar, të cilat po na rrezikohen nga integrimi në tregun global, etj. Paradoksi i radhës është ky: gjendja koloniale nuk duhet të kuptohet si shkatërrim i kulturës lokale, integrimi në atë globale, shkatërrimi i shtetit–komb (të gjitha këto dokrra të pseudo-majtistëve). Ky nuk është rreziku kryesor. Çështja është se gjendja koloniale është presion i vazhdueshëm, jo gjithnjë fizik, brutal (edhe pse këtë e kemi përjetuar) dhe si shpëtim nga kjo gjendje, pothuajse gjithnjë njerëzit përfundojnë në dy pseudo-alternativa: fundamentalizmin religjioz dhe nacionalizmin konservativ. Te dyja janë tipike për gjendjen koloniale. Ky shantazh duhet të shmanget me çdo kusht.

Por, çka përfitojnë fuqitë koloniale nga prezenca e tyre në Kosovë? Përfitimi i strukturave ndërkombëtare nuk është vetëm ekonomik. Për shembull, krahasoni pagat e punëtorëve lokalë në raport me kolegët e tyre ndërkombëtarë për punën e njëjtë ose përafërsisht të njëjtë. Cilat punë i kryejnë punëtorët lokalë, etj. Është një aspekt tjetër, ndoshta po aq i rëndësishëm sa edhe eksploatimi ekonomik. Kosova do të bëhet një hapësirë jashtëzakonisht e mirë për eksperimentet e të gjithëllojshme ushtarake. Në çka tjetër përngjanë FSK-ja se sa një paratrupë ushtarake e cila do të angazhohet në misione “paqeruajtëse” ne vendet e pushtuara të radhës (ose, madje edhe në Irak e Afganistan)?
Ditëve të fundit në media po spekulohet për mundësinë e ndërtimit të raketave mbrojtëse amerikane në Shqipëri. Nuk është për t’u befasuar nëse së shpejti, SHBA-të vendosin që në vend se t’i vendosin radarët në Çeki, ato të vendosen në Kosovë (kujtoni deklaratat e ministrit të jashtëm çek për shtyrjen e afatit të ndërtimit të radarëve). Pra, Kosova do të shndërrohet në një zonë ushtarake të kolonizatorëve. Një shtet pa ushtri, pa kurrfarë aftësie mbrojtëse nga aspiratat hegjemonike të fqinjëve tanë, por një vend ideal për t’u eksploatuar, e për më tepër, ne të kënaqemi me atë. Kjo është kënaqësia perverse e subjektit, i cili në psikanalizë quhet Skllav. Skllavi e njeh Padronin e tij në nivelin e dinjitetit njerëzor, përderisa vetveten e pozicionon në nivelin e jetës shtazore. Përkthyer në realitetin politik, kjo është pozita e të kolonizuarit në raport me kolonizatorin. Sa herë që i referohemi ndonjë punëtori ndërkombëtar, i themi “ai i huaji”: sikur ai është mishërimi i Tjetrit të madh, rendit simbolik. Është kjo ndjenjë nga e cila duhet çliruar, duke e përjetuar “të huajin” si kolonizator.

Gazeta “Express”, Prishtinë, 18 shkurt 2009


1bilderberg
Veteran Member
Veteran Member

Male
Number of posts : 236
Registration date : 2009-01-28
Points : 38
Reputation : 20

Back to top Go down

View previous topic View next topic Back to top

- Similar topics

 
Permissions in this forum:
You cannot reply to topics in this forum